E drejta zakonore dje dhe sot

Për Konferencën e Parë Shkencore e Diasporës Shqiptare, në The Academy of Leadership Sciences Switzerland ALSS; “Shkenctarët e Disaporës Shqiptare i shërbejnë botes dhe rrënjeve të veta!”

Shkruan Islam Qerimi

Gjurmët më të vjetra të jetës njerëzore të Shqipërisë së sotme na kthejne mbrapa plot 120,000 vjet mbrapa. Gjetjet e pasura arkeologjike dëshmojnë se zona të Shqipërisë së sotme deri në 10,000 vjet p.e.s duhet të kenë qenë të banuara vazhdimisht (Bartl, Peter (1995): Albanien. Vom Mittelalter bis zur Gegenwart. Regensburg. f. 18).

Siç dihet e drejta zakonore është aplikuar tek shqiptarët gjatë. Periudha kohore e cila është aplikuar për herë të parë është e pamundur të përcaktohet saktesisht. Megjithate, ajo supozohet se ka lindur shumë heret e kjo kohe duhet të ketë qenë në kohën e Ilirëve. Në atë periudhë kohore janë aplikuar disa institute të cilat kanë qenë ndër shekuj të një rëndësie të veçantë për funksionimin e kësaj të drejte të pashkruar. Kështu p.sh. qysh në atë kohë ekzistonte termi Plaku  dhe Plakonia. Këto terme nuk paraqitnin vetem personin e rritur, respektivisht me moshën e shtyer, por kishte të bente me një person, i cili konsiderohej si organ institucional, që ndante drejtësinë në konfliktet e paraqitura në mes të njerëzve në fusha të ndryshme.

E drejta zakonore sipas hulumtimeve (të autorit të këtij punimi) është aplikuar edhe në periudhat e humbjes së pavaresisë së shtetit Ilir (viti 167 p.e.s ramja e Shkodres). Mirëpo edhe pas kësaj faze Senati romak kishte vendosur që shqiptarët të vazhdonin të mbesin autonom, përderisa ata të merrnin pjesë në betejat e romakëve kundër armiqëve të Romës.

Keshtu, që ne burimet e së drejtes romake, gjenden të dhëna për lejimin e aplikimit të së drejës zakonore vendore të Ilirëve. Gjithashtu, edhe në periudhen e Bizantit aplikohej e drejta zakonore shqiptare. Më tutje në kohën e sundimit të Bullgareve dhe të Perandorisë Osmane gjenden shumë burime të cilat dëshmojnë mbi aplikimin e së drejtës zakonore në territoret shqiptare paralel sistemeve juridike – shtetërore të tyre.

Kështu në periudhen s sundimit të Perandorisë Osmane, burime themelore të te se drejtes zakonore shqiptare ishin kanunet. Në territoret shqiptare aplikoheshin një mori kanunesh, por më të njohurat ishin Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Arbërit (Skendërbeut) edhe Kanuni i Labërisë. Me karakter regjional vepronin edhe një mori kanunesh tjera. Institutet e përgjithshme të këtyre kanuneve ishin të ngjashme. Kështu si institute të përbashketa konsideroheshin : besa, nderi, mikpritja, burrëria, ndorja, gjakmarrja dhe hakmarrja. Nga këndvështrimi i sotshëm këto institute ndahen në pozitive dhe ato negative. Në ato pozitive bënin pjesë: besa, nderi, mikpritja dhe burreria, ndersa në ato negative do të hynin: gjakmarrja, hakmarrja dhe pabarazia gjinore.

Për ekzistimin e kanunit dhe në përgjithesi për të drejtën zakonore shqiptare, është shkruajtur nga studiuesit vendor e sidomos ata të huaj gjatë shekujve XIX dhe XX. Ndër ta ishin së pari Karl Kaser, Karl Steinmetz, e më tutje Johann Georg von Hahn, Mary Edith Durham,  Leo Freundlich, Franz Baron Nopcsa, Kazuhiko Yamamoto, Margaret M. H. Hasluck, Peter Bartl, Salvatore Villari, Stephanie Schwandner-Sievers, Robert Elsie, at Shtjefën Gjeçovi, Ismail Kadare, Faton Baxhaku, Syrja Pupovci, Ismet Elezi, Diana Gëllci, Ndue Dedaj etj.

Kodifikimin, respektivisht përmbledhjen e Kanunit të Lekë Dukagjinit e ka bërë at Shtjefën Gjeçovi. Ai së pari ka publikuar fragmente me normat e këtij Kanuni në revistat shqiptare që ishin hapur në shtetet e huaja, ndërsa Kanunin në 12 libra e kishte hartuar në pjesën e parë të shekullit XX-të. Përberja, respektivisht strukturimi i këtij Kanuni ishte i ngjashëm me 12 librat e Kodit të Justinianit (Perandorit romak me prejardhje ilire), i cili ishte hartuar në shekullin e VI-të.

Kanuni si burim kryesor i së drejtës zakonore shqiptare në vete ishte një kushtetutë apo, siç thoshte profesori Ejup Statovci edhe më shumë se kushtetuta, meqenëse në te përmbante norma shoqërore e juridike prej lindjes së njeriut e deri në vdekje. Pra, kanuni përmbante rregulla nga e drejta civile (familjare, trashëgimore, detyrimore dhe sendore), e drejta penale (fajësia, përgjegjësia civile dhe penale, pleqëria, djalëria, sanksionet etj), e drejta administrative (organizimi dhe funksionimi i organeve vetëqeverisëse qysh nga familja, fisi, katuni dhe flamuri. Në krye të kanunit ishte caktuar shtëpia e Gjon Markut në fshatin Orosh të Mirditës. Ajo familje kishte rolin e gjykatës supreme dhe kushtetuese. Vendimi i kësaj dere ishte përfundimtar, respektivisht i formës së prerë.

Në lidhje me ekzistimin e normave religjioze nëpër kanune duhet potencuar se ato kanë ekzistuar por ndikimi i tyre ka qenë i ndryshëm. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, i hartuar nga at Shtjefën Gjeçovi libri i parë i përket të drejtave të kishës dhe detyrimeve të njerëzve ndaj saj. Në këtë kanun përcaktohej roli i jashtëzakonshëm i kishes me paprekshmëri dhe privilegjet e saj.

Gjithashtu, një fakt tjetër për ta përmendur është edhe pabarazia gjinore. Gruaja sipas kanunit shqiptar ishte e pabarabartë në raport me burrin. Ajo piksëpari ishte e përjashtuar nga e drejta e trashëgimit qoftë tek familja e prindërve e qoftë edhe tek familja e burrit. Më tutje ajo kishte edhe shumë kufizime dhe ndalesa tjera në mundësinë e ushtrimit apo krijimit të raporteve juridike. Kështu p.sh. ajo nuk gëzonte të drejtën të ishte pjesëtare e organeve gjyqsëore (Pleqëria dhe këshillat e pleqëve) të mbështetura në dispozitat juridike të së driejtës zakonore shqiptare (shih librin XI i Kanunit të Lekë Dukagjinit). Megjithate, ajo nëse hynte në mes palëve në konflikt të drejtpërdrejtë të armatosur palët ishin të detyruara të pushonin zjarrin menjëherë. Poashtu, nëse vritej apo cenohej nderi i ndonje gruaja, autori i këtyre veprave penale do të pergjigjej dyfish, para dy familjeve, si të burrit e poashtu edhe të prindit

Ndërsa, këto kanune vepronin historikisht në territoret shqiptare, ato kishin rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar, mosasimilimin dhe atdhedashurinë.

Përderisa pothuajse të gjithë studiuesit e huaj dhe vendor në kohen kur aplikohej e drejta zakonore, respektivisht kanunet shqiptare, kishin një qasje dhe pikpamje pozitive për te, ndërsa tani në kohët e fundit, e sidomos në fillim të shekullit XXI, disa autorë të huaj e shohin atë nga këndvështrimi joshkencor me qasje negative. Kështu vlen të përmendet p.sh. disertacioni i Dr. Nina Florack, i paraqitur dhe i mbrotjur në Universitetin e Mynsterit ku ka proklamuar tezen se “kanuni shqiptar është strumbullari i së keqes, në bazë të të cilit është ndërtuar struktura organizative e grupeve të sotshme kriminaleMafia shqiptare””. Në këtë disertacion ajo pretendon se “Mafia shqiptare” është brutale në raste të përdorimit të dhunës, e kjo vie si rezultat i historikut të gjakmarrjeve të lejuara sipas kanunit shqiptar. Kjo tendencë për ta paraqitur kanunin dhe të drejtën zakonore shqiptare si strumbullar i dhunës dhe brutalitetit të “Mafias shqiptare” është kundërshtuar nëpërmes gjuhës së argumenteve shkencore të hartuara dhe të publikuara në recenzionin e autorit të këtij artikulli, në revistën online : Polizei-newsletter.de, e redaktuar nga Prof. Dr. Thomas Feltes, M.A, në Fakultetin Juridik i Universitetit Ruhr të Bohumit.

Ajo në fakt harron ose nuk e din se kanuni kishte të bëjë me respektimin dhe zbatimin e së drejtës për tërë popullatën, ndërsa mafia ka primare anarkinë, gjegjësisht padrejtësinë dhe veprimet kundër të së drejtës, të cilat përdoren me veprime kundërligjore. Të gjitha institucionet e themeluara në bazë të së drejtës zakonore janë deri dikund në baza demokratike, përderisa mafia ësht ëkrijuar në bazë të anarkisë. Poashtu në lidhje me besen, autorja e lartpërmendur pretendon faktin se “ky institut kanunor shqiptari ka shërbyer mafisë” pasi që gjithnjë sipas saj “ata në një mënyrë lidhin marreveshjen per te realizuar nje krim”, përderisa besa shkencërisht e ditur dhe e vërtetuar, ka pasur krejt një qëllim tjetër gjate funksionimit të së drejtës zakonore. Ky institut shërbente të arrihej dhe ruhej paqja, ndalej lufta. Ky institute vepronte edhe kur beteja e palëve zhvillohej me armë, kur edhe në qoftë se në njëren ane ishin të mbetur të vrarë nga pala kundërshtare 100 persona e në tjetren ane pa asnjë të vrarë, po sa te hynte një grua në mes të palëve në konflikt armët e tyre pushonin ne menyre automaitike. Besa mundësonte edhe lëvizjen e lire të familjeve në hasmëri etj.,.

Më tutje, në punimet e tyre serbët Lekën e konsiderojnë si “trim serb (Canon Lex Dux Ivan) i cili ka përkrahur Skënderbeun dhe ka kodifikuar të drejtën zakonore serbe”, e cila sipas tyre “burimin e ka në Kodin e Dushanit”, duke e bërë ate të dallueshme nga e drejta turke. Një tëndencë e tillë me motive politike kundër kanunit që është burim dhe e drejtë autoktone e së drejtës zakonore shqiptare, eshte paraqitur edhe në revisten kroate Zbornik, të Fakultetit Juridik, ku recenzionisti e refuzon pranimin dhe publikimin e punimit me këtë tematikë, kinse me faktin se historianët serbë konstatojnë se Kanuni i Lekës dhe vet Lekë Dukagjini i perkasin  gjenetikes serbe dhe të drejtës mesjetare të tyre.

Duhet theksuar se ndër shume faktet tjera që (nga autori i këtij artikulli) janë përmendur në atë punim shkencor për revistën Zbornik të Rijekes dhe për shumë libra dhe revista në Gjermani, Austri, Kroaci etj, janë sjellur shumë të dhëna të argumentuara shkencërisht, që e pohojnë se Kanuni i Lekë Dukagjinit është burim i së drejtës zakonore shqiptare i cili edhe pse mund të ketë qenë në ndonjë normë i influencuar nga të drejtat tjera zakonore të popujve fqinjë. Vlen të theksohet se takasativisht në Kodin e Car Dushanit (shek XIV) nuk gjendet asnjë normë juridike e cila ka të bëjë me gjakmarrjen. Në këtë kod mesjetar serb inkriminohet secili që nuk u përmbahet normave të përcaktuara në te. Ndërsa në përgjithësi Sllavët e vjetër në rastet e vrasjeve e caktonin çmimin e kokës për ta lehtësuar punën e pajtimit.

Prandaj, duhet potencuar se kanuni dhe e drejta zakonore kanë qenë të rendesishme per kohën që ishin te aplikuara, por që nga periudha kohore e krijimit të shtetit shqiptar e sidomos pas vitit 1928 e kendej kur u fillua me hartimin e legjislacionit modern shqiptar në fushat e ndryshme juridike, kanuni në përgjithesi vendin e tij e gjen vetëm në arkivat dhe muzet historike kombëtare dhe do të duhej të ishte edhe në mbrojtje të UNESCOs.

Përderisa, tani fatkeqësisht është ngatërruar koncepti i kanunit dhe së drejtes zakonore edhe nga vet shqiptaret, pasi që përderisa, shume sulme dhe vrasje të cilat ndodhin jo vetem ndaj burrave, por ato po ndodhin edhe ndaj grave dhe fëmijëve e dëshmojnë të kundërtën që kishte kodifikuar kanuni shqiptar. Në kanun jo vetëm që vrasja ndalohej shprehimisht të shkaktohej në mënyrë mizore, torturuese apo tinzare, ajo sot mjerisht kryhet pa zgjedhur mjetin e sulmit, personin dhe mënyrën apo formën e kryerjes.

Gjithashtu, si perfundim vlen të rrumbullaksohet, se ruajtja e zakoneve të mira shqiptare siç janë p.sh. besa, mikpritja në kontekstin modern, të krahasueshme me rregullat e së drejtës kontraktore dhe ato të së drejtës ndërkombëtare publike se kontratat, respektivisht marrëveshjet e ndryshme të palëve duhet të respektohen sipas parimit Pacta sunt servanda apo kur bëhet fjalë për mikpritjen do të vlente sot për të avancuar sektorin e turizmit e ku do të vlente gjithashtu rregulla e vjetër shqiptare që Shtëpia është e Zotit dhe e mikut, ndërsa tani do të thuhej që Shqipëria është e Zotit dhe e mikut./ KultPlus.com

Historia e universiteteve botërore dhe evropiane në mesjetën e “errët”

Në preokupimin historik në lidhje me prejardhjen e hershme të universitetit, çuditërisht shpesh lind pyetja se kur dhe ku mund të gjendet institucioni më i vjetër arsimor “Alma mater”, që do të quhet “nëna edukuese që i ushqen studentët me njohuri”. Prandaj, a ka vend thënia e njohur “Mesjeta e errët”?!

Shkruan: Islam Qerimi

Edhe pse termi “universitet” ka një origjinë mesjetare, i cili rrjedh nga latinishtja “universitas” ose “universitas litterarum et artium liberalium” që do të thotë “tërësia” ose “tërësia e shkencave“, ai ka ruajtur një vazhdimësi nga antikiteti.[1] Por, universiteti në kuptimin modern nuk ekzistonte në antikitet, por kishte disa qendra arsimore në të cilat ishte përqendruar mësimdhënia universitare dhe të cilat për këtë arsye mund të referohen si universitete. Termi “universitas” definitivisht u përdor fillimisht vetëm për esnafin skolastik brenda një kursi, d.m.th. për komunitetin e studentëve dhe masterëve.[2] Universiteti është një institucion shkencor, me një strukturë mësimore dhe kërkimore që ka për qëllim trajnimin dhe edukimin. Termi “universitet” është përmend për herë të parë në vitin 1221, nga komuniteti i i Universitetit Magjister i Parisit.[3]

Sipas hulumtimeve të bëra nga aspekti historik i paraqitjes së shkollave të para, është arritur të kuptohet se, një popull që jetoi gjatë mijëvjeçarit të 4 para Krishtit ishin Sumerët, të cilët ishin të parët që përvetësuan shkathtësi të shkrimit dhe leximit. Ata kishin imigruar në Mesopotami (Iraku i sotëm). Në atë kohë Sumerianët ishin njerëzit më modernë në botë, kur Evropa Qendrore ende jetonte në epokën e gurit.[4] Fëmijët Sumerë në vitin 2100 para Krishtit mund të mësonin të lexonin dhe shkruanin me shkrim kuneiform. Për ta bërë këtë, ata vizituan të ashtuquajturat shtëpi tryeze (ky ishte emri i shkollave Sumeriane).[5] Kështu u avancuan shkollat ​​e para Sumeriane të cilat u shndërruan në shkolla tempulli për burra të rinj inteligjentë të klasës së lartë, që përfitonin udhëzime në lidhje me kontabilitetin e biznesit në vend të fesë, historisë ose letërsisë. Ashtu si fillimet e shkrimit dhe aritmetikës, institucioni i tillë ishte gjithashtu i orientuar drejt kalimit të tyre në kërkesat praktike të asaj kohe. Shkollat ​​e Sumerianëve ishin shkolla laike, prandaj,  që nga fillimi ato ishin qendra të formimit profesional me qëllim të mësimdhënies së shkrimit, leximit dhe aritmetikës.[6]

Por, cilat janë universitetet e para? Një enciklopedi në internet, për shembull, vëren: „… Ka disa polemika në lidhje me atë që është universiteti më i vjetër në botë midis Takshashila, Nalanda dhe Universitetit Al-Azhar… Studentët në Universitetin Takshashila, të themeluar në Taxila, Pakistan (një pjesë e Indisë antike këtë herë) nga rreth shekullit të 7-të para Krishtit, merrnin tituj akademikë pasi kanë mbaruar një nga kurset e shumta të tij. Universiteti Nalanda, i themeluar në Bihar, Indi nga rreth shekulli V para Krishtit gjithashtu u dha tituj akademikë të diplomuarve të tij, ndërsa gjithashtu ofroi kurse pasuniversitare. Universiteti Al-Azhar, i themeluar në Kajro, Egjipt në shekullin e 9-të, ofroi një larmi diplomash pasuniversitare dhe zakonisht konsiderohet si universiteti i parë i plotë.”.[7]

Në këto “vendndodhje universitare” që ndjekej arsimi i lartë dhe si përfundim i këtyre kurseve të studimit, arrihej një shkathtësi studimi (veçanërisht filozofi dhe retorikë), organizimi dhe kohëzgjatja e të cilave natyrisht varej plotësisht nga “studenti” individual. Qendrat e arsimit shkencor ekzistonin në Aleksandria (Museion) dhe Pergamon që në periudhën helenistike, por ato shërbyen më shumë për kërkime të pavarura sesa për studime universitare.[8]

Ndërsa, për dallim nga pikpamjet e autorëve evropianë për universitetet e para evropiane mesjetare, sipas të dhënave për institucionet e arsimit të lartë në Persi dhe Kinë, vijon fjalia befasuese : “Universiteti i parë mesjetar evropian ishte Universiteti i Magnaura[9] në Kostandinopojë (tani Stamboll, Turqi), themeluar në vitin 849 nga perandori Bardas, pasuar nga Universiteti i Salerno (shekulli IX), Universiteti i Bolonjës (1088) dhe Universiteti i Parisit (rreth 1100), shoqëruar më vonë me emrin Sorbonne. “

Fakt i pamohueshëm është që Universitetet më të vjetëra në botë ndodhen në tokën afrikane. Kështu, Universiteti i al-Zaytuna në Tunizi u themelua në vitin 732. Prandaj, mund të quhet i pari në botë. Ky universitet funksion edhe sot në Tunizi.[10] Një tjetër aplikant për postin e universitetit më të vjetër në botë është Universiteti i al-Qarawīyīn në Fez, Marok. Ai mban rekordin botëror Guinness si institucioni më i vjetër arsimor që funksionon vazhdimisht.  Ky ishte themeluar në vitin 859.[11] Sipas UNESCO-s dhe Librit të Rekordeve Guinness, ai është universiteti më i vjetër në botë dhe institucioni i parë që jep gradë akademike.[12] Një universitet tjetër në këtë kontinent u themelua në vitin 972 nga Fatimidët Shiitë në kryeqytetin egjiptian Kajro dhe quhet al-Azhar, “shqip: ai që lulëzon“. Ky universitet ishte themeluar për nder të Fatimes, vajzës së Profetit. Universiteti Al-Azhar është ende një nga institucionet arsimore më të respektuara në botën arabe, duke tërhequr studentë nga e gjithë bota.[13]

Ndërsa, origjina e shumë universiteteve mesjetare të Botës Përendimore mund të gjurmohet që nga shkollat ​​e katedraleve së krishterë ose shkollat ​​e manastireve, të cilat u krijuan që në shekullin e VI-të dhe funksionuan si të tilla për qindra vjet përpara se të themeloheshin zyrtarisht si universitete në Mesjetën e Lartë.[14] Kështu, universitetet më të vjetra në Evropë u themeluan në shekullin e XII-të. Prandaj, ato thuhet se erdhën në ekzistencë në një proces gradual, e jo të themeluar. Kështu legistët dhe kanonistët në Bolonjë, artistët dhe teologët në Paris ishin të parët, mjekët në Montpellier, mbase edhe në Salerno, dhe u ndoqën nga studiuesit e disiplinave të ndryshme në Oksford.[15]

Universiteti i parë i Botës Përendimore konsiderohet të jetë ai i Bolonjës (Università di Bologna), i cili u themelua në vitin 1088 (Sot në këtë Universitet studiojnë afër 87.758 studentë në pesë lokacione të ndryshme). [16] Ky Universitet me të drejtë është emërtuar Alma Mater Studiorum. Në këtë universitet shquhej Irnerius Bononiensis (1050 – 1125), i cili ishte jurist dhe në literaturën juridike ai quhet edhe “Shkëndija e së drejtës” dhe themelues i këtij universiteti.[17] Mësimdhënia zhvillohej në latinisht. Gjatë kësaj kohe profesori leksionin u’a diktonte studentëve të tij, pasi mungonin librat. Thuhet se gratë studionin në Bolonjë që në shekullin e XII-të, por në të vërtetë u deshën gati 600 vjet para se një grua të merrte një karrigë ligjërimi, megjithëse atë e arriti së pari në fizikë.

Universiteti i Oksfordit (angl : University of Oxford), llogaritet të jetë institucioni i dytë më i lashtë në Evropë dhe më i vjetri në trollin britanik. Është themeluar në vitin1096.  Sot në këtë Universitet studiojnë 24.299 studentë. Ai përbëhet nga 39 kolegje dhe në gjashtë Salla private të përhershme. Der në Nëntor 2019 numëronte 55 nobelistë.[18]

Universiteti i Parisit rangohet në vendin e tretë për nga historiku i themelimit, i cili është hapur rreth viteve 1160 – 1250 (I ndarë në vitin 1970 pas revoltave të studentëve në 13 universitete të pavarura)[19].

Universiteti i Kembrixhit (angl : University of Cambridge) i themeluar në vitin 1208[20] karakterizohet me 90 fituesit e çmimit nobelë.[21] Është karakteristike se në universitetet e Oksfordit dhe Kembrixhit fillimisht studimi akademik ishte i rezervuar vetëm për qytetarët më të pasur.[22] Tani në këtë Universitet studiojnë rreth 20.000 studentë.[23]

Universiteti i Padovës (ital : ‘Università di Padova) ishte themeluar në vitin 1222 nga profesorët të cilët e kishin lëshuar Universitetin e Bolonjës të cilët luftonin për lirinë akademike (Libertas scholastica). Ndërsa, dy vite më vonë ishte themeluar edhe Universiteti i Napolit, i cili njihet si universiteti më i vjetër publik dhe shtetëror në botë.[24] Pra, ky universitet njihet si universiteti i dytë më i vjetër në Itali, në të cilin në vitin 2015 ishin të regjistruar 62,577 studentë.[25]

Universiteti i Coimbra (Lat. Universitas Conimbrigensis) është një nga më të vjetrit dhe më të bukurit në Evropë. Ai u themelua në 1290 dhe është universiteti më i vjetër në Portugali.[26] Në vitin 2015 ishin të regjistruar në këtë Universitet 24,817 studentë.[27]

Sipas “teorisë së traditës”, duhet të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë, strukturore midis institucioneve arsimore arabe, bizantine dhe mesjetare të kishës të shekujve XII-të dhe XIII-të.[28] Kështu që miti mbi origjinen e themelimit të Universitetit të Salerno-s “Schola Medica Salernitana” (shekulli IX) në Italinë Jugore, i cili njihet si universiteti parë i mjekësisë, thot se ai ishte themeluar nga katër mjekë, një i krishterë latin, një i krishterë grek, një hebre dhe një mysliman. Prandaj, është e pranuar edhe “Teoria e intelektit” e cila thotë se vetëm interesi shkencor ishte vendimtar në krijimin e një forumi të tillë për zhvillimin intelektual.

Pra, siç u përmendë më lartë zhvillimi i universiteteve evropiane filloi në Itali duke u pasuar nga Anglia dhe Franca. Së pari trajnimi akademik ishte detyrë e sipërmarrjes falas. Kush ndjehej i shkathtë për këtë, themelonte një qendër trajnimi pa ndonjë ndonjë leje të veçantë shtetërore dhe madje pa dëshmi të arsimimit të mëparshëm. Suksesi varej nga Performanca e pedagogut. Në vitin 1158, Perandori Barbarossa kishte nxjerrë dekretin “Authentica Habita[29] me ç’rast të gjithë mësimdhënësit dhe studiuesit u vënë nën mbrojtjen e Perandorit. Këshilli i III-të i Lateranit i vitit 1179 konfirmoi më pas nga ana e kishes shprehimisht liria e mësimdhënies, vetëm me kufizimin që mësuesi të mos jetë një person moralisht i padenjë dhe mos të përfaqësojë mendime heretike.

Kah fundi i shekullit të XII-të, fakultetet e filozofisë, teologjisë, jurisprudencës dhe mjekësisë në Bolonjë dhe Paris u rritën së bashku në një institucion, një institucion mësimor në ambiente enkas të huazuara me qira, i cili u quajt “universitas“. Pra, themelimi i parë i universitetit u parapri nga ndarja e njohurive në katër disiplina, të cilat shpejt u shënuan me termin latin facultas. Kjo rezultoi në ndarjen e shpejtë institucionale të universiteteve mesjetare në katër fakultete të Arteve, Mjekësisë, Drejtësisë dhe Teologjisë. Tani në këto universitete punonin profesorë të paguar të cilët tani mësonin sipas planprogrameve fikse, teksteve shkollore dhe tarifave të shkollimit. Ky lloj i ri i universitetit kishte një karakter supra-rajonal që nga fillimi dhe të diplomuarit e tij gëzonin njohje ndërkombëtare dhe të drejtën për të dhënë mësim në çdo universitet tjetër.

Për Evropën në veri të Alpeve, u shfaq modeli i “Universitetit Magister” i Parisit i cili po formonte rrugën: nga shkollat ​​shpirtërore që ishin vendosur prej kohësh në Paris, në të cilin Magjistrët morën studentët në shkollën e tyre me iniciativën e tyre dhe për llogari të tyre, dhe përveç mësimit ata shpesh gjithashtu i strehuan dhe i ushqyen. Që nga fillimi, magjistri kontrollonte organet e reja universitare. Në përputhje me parimet e skolastikës, mësimdhënia në universitetet në zhvillim zhvillohej pothuajse ekskluzivisht në dy forma: leksioni (lectio) diskusioni (disputatio). Magjistarët hartuan universitas sipas modelit të esnafit mesjetar si një institucion i vetëqeverisur, i përhershëm i arsimit të lartë. Universiteti i Parisit u bë një nga universitetet e para të themeluar kur Papa Gregori IX. shpalli Bullen Parens Scientiarium (1231).[30]

Për më tepër, kishte vetëm kurse rishikimi dhe teza private që ofroheshin nga Magjistëri përveç kurseve të tyre zyrtare. Në leksione, magjistri prezentonte  dhe komentonte tekstet nga ‘autorët’ e ndryshëm. Metoda e dytë e mësimdhënies, e cila u krye në mënyrë rigoroze sipas rregullave të dialektikës aristoteliane, ishte ajo e diskutimit: lektori ose pjesëmarrës të ndryshëm (kundërshtarë dhe të anketuar) vendosnin së pari një pozicion mbi temën e diskutimit (quaestio) duke përdorur argumente të huazuara nga autorët e ndryshëm (teza) dhe pastaj pozicioni i kundërt (antiteza) dhe përpiqeshin të zgjidhnin kontradiktën e dukshme duke unifikuar dhe vlerësuar argumentet në një përfundim, të përmirësuar, para së gjithash, pra për të ofruar një përfundim (sinteza, e quajtur determinatio) që nuk bie në kundërshtim me autorët.[31]

Meqenëse mospërputhjet apo edhe kontradiktat u ngritën kur krahasuan tekstet e autorëve, u miratua metoda e zhvilluar nga Petrus Abelard (1079-1142) sic et non (afërsisht: në një mënyrë apo në një tjetër). Prandaj, sipas Wußing duke u bërë interpretimi dhe unifikimi i thënieve të autorëve të njohur padyshim, kështu u arrit të mësuarit dhe mendjemprehtësia.[32]

Gjithsej 75 universitete u shfaqën në Evropë midis fillimit të shekullit të XIII-të dhe fundit të shekullit të XV-të. Në territoret gjermanofolëse vetëm në mes të shekullit të 14-të sundimtarët nga shtëpitë e Luksemburgut dhe Habsburgut u ndien të detyruar të krijonin universitete në territorin e tyre. Praga ishte qyteti ku në vitin 1348 u themelua universiteti i parë në Perandorinë Gjermane dhe më vonë u quajt “Universiteti i Karlit”. Quhej Universiteti i Karlit pasi ishte themeluar nga Perandori Karli IV (Luksemburg) i cili donte të azhurnonte mbretërinë e tij Bohemiane dhe Papa (Avignon) donte që të garonte me Parisin. Ai sot ka 17 fakultete dhe më shumë se 50,000 studentë, rreth një e gjashta e të gjithë studentëve në Republikën Çeke.[33]

Themelimi i Universitetit të Luksemburgut pati një efekt sinjalizues mbi Dukën Rudolf IV të Austrisë, i cili pak më vonë themeloi Universitetin e Vjenës, në vitin 1365. Me rreth 90,000 studentë dhe rreth 9,800 të punësuar, Universiteti i Vjenës është universiteti më i madh në Austri dhe në vendet gjermanofolëse dhe një nga më të mëdhenjtë në Evropë.[34] Universiteti i Vjenës kishte marrë për model Universitetin e Parisit.

Përveç universiteteve të Pragës dhe Vjenës, Heidelberg ishte universiteti i tretë akademik i themeluar në tokën e Perandorisë Gjermane në 1385. Universiteti Heidelberg ishte i njohur gjithashtu si një universitet i emigracionit sepse mësuesit dhe studentët e tij të parë kishin imigruar nga vende të tjera universitare midis 1378 dhe 1418 për shkak të Skizmës së Madhe. Studentët e këtij Universiteti që prishnin qetësinë e natës, për shembull, përfundonin në burgun studentor të vetë universitetit për ditë ose edhe javë.[35] Gjithashtu, hapja e Universitetit të Kelnit (Köln (1388) dhe Erfurt-it (1379/92) lidhën traditat e tyre të gjata të arsimit të lartë me formën e re të organizimit në mënyrë që të qëndrojnë konkurrues

Në territoret shqiptare Universiteti mesjetar i Durrësit (Lat: Universitas Studiorum Dyrrhachiumu) u hap në vitet `80 të shekullit XIV-të kur sundonte Karl Topia. Ai konsiderohet universiteti i parë mesjetar në Ballkan. Universiteti mesjetar i Durrësit ishte universitet teologjik (Studium Generale). Kur u themelua kishte 9 magjistër dhe 100 studentë. “Ligjëratat janë mbajtur në Pallatin e Kuvendit dominikan të Durrësit”. Në Universitetin mesjetar të Durrësit u promovuan shumë doktorë shkencash dhe u përgatitën shumë teologë që punuan meshtarë, jo vetëm në viset shqiptare, por edhe në Dalmaci (Raguzë, Split, Zarë, Trau etj.), në Itali (Romë, Venedik, Padovë, Breshia, Firencë, Ankonë etj.) Veprimtaria e këtij universiteti u ndërpre në vitin 1501, kur ushtritë osmane pushtuan Durrësin duke shkatërruar edhe këtë institucion të arsimit të lartë mesjetar.[36]

Prandaj, themi se në periudhen mesjetare në qytetet e ndryshme botërore, sidomos në ato evropiane perëndimore janë themeluar universitetet e para, të cilat kanë kontribuar në zhvillimin dhe shpërndarjen e njohurive, si dhe krijimin e shumë degëve të reja shkencore. Mësimi i cili zhvillohej zakonisht në gjuhën latine kishte përparësi të pashmangshme, pasi që në këtë periudhë shkruheshin shumë tekste universitare, prandaj librat e publikuar në degët e ndryshme shkencore ishte e mirëseardhur për të gjithë studentët që studionin në këtë gjuhë. Paralel gjuhes latine përdorej edhe gjuha arabe sidomos në shkencat natyrore, Si rezultat i këtyre njohurive universitare në periudheën mesjetare, u bënë shumë zbulime teknike që kontribuan në zhvillimin e shkencës më vonë, e që ne ende përdorim shumë prej këtyre arritjeve.

E meta kryesore e këtyre studimeve ishte ndërhyrja e Kishes në të gjitha sferat e jetës njerëzore. Të gjitha aktivitetet universitare që binin në kundërshtim me dogmat e krishtera dënoheshin. Megjithatë, në ndryshim nga institucionet e tjera arsimore, ato gëzonin një autonomi të madhe dhe ishin të pajisur me privilegje të shumta.

Duhet përkujtuar në fund se universitetet e para mesjetare zakonisht kishte katër fakultete: juridike, filozofike (teologjike), mjekësore dhe artistike. Pas trajtimit themelor të gramatikës dhe retorikës latine, fokusi ishte në logjikën aristoteliane, metafizikën si dhe filozofinë natyrore dhe morale. Lëndët e tjera si aritmetika, gjeometria dhe muzika mësoheshin vetëm në një masë të kufizuar.[37]/ KultPlus.com


[1] Marian Fussel, Transformationen antiker Wissenschaften von Sonderforschungsbereich Transformationen der Antike. Georg Toepfer, Hartmut Böhme, f. 171. De Greuter.

[2] https://de.wikipedia.org/wiki/Mittelalterliche_Universit%C3%A4t

[3] https://geschichte-wissen.de/blog/geschichte-universitaet/

[4] https://www.morgenpost.de/printarchiv/familie/article143157411/Vom-Tafelhaus-zur-Lehranstalt-Wer-die-Schule-erfunden-hat.html

[5] https://kinder.wdr.de/tv/wissen-macht-ah/bibliothek/kuriosah/bibliothek-wer-hat-die-schule-erfunden-100.html

[6] https://geschichte-wissen.de/blog/geschichte-universitaet/#11

[7] http://www.cwrl.utexas.edu/~bump/OriginUniversities.html

[8] http://www.adel-genealogie.de/Antike2.html

[9] Baza për themelimin e saj ishte shkolla e hershme, e cila u themelua në kohën e Theodosius II. Në burimet historike është referuar më së shumti si Shkolla e Mesme Magnavr. https://de.sodiummedia.com/4040454-the-oldest-university-in-the-world-university-of-bologna-al-azhar-university-al-zaitoun-university

[10] https://de.sodiummedia.com/4040454-the-oldest-university-in-the-world-university-of-bologna-al-azhar-university-al-zaitoun-university

[11] https://magazin.jobmensa.de/die-aeltesten-universitaeten-der-welt-hier-wird-seit-fast-1000-jahren-gebueffelt/

[12] http://www.maghreb-magazin.de/wissenschaft/universitaet-al-qarawiyyin.html

[13] https://www.welt.de/wams_print/article883567/Die-aelteste-Universitaet.html

[14] https://victor-mochere.com/de/top-20-oldest-universities-in-the-world

[15] https://link.springer.com/chapter/10.1007/978-3-642-46135-4_6

[16] https://magazin.jobmensa.de/die-aeltesten-universitaeten-der-welt-hier-wird-seit-fast-1000-jahren-gebueffelt/

[17] https://www.kultplus.com/tag/islam-qerimi/

[18] https://de.wikipedia.org/wiki/University_of_Oxford

[19] https://magazin.jobmensa.de/die-aeltesten-universitaeten-der-welt-hier-wird-seit-fast-1000-jahren-gebueffelt/

[20]https://www.google.com/search?q=university+of+cambridge&oq=university+of+cem&aqs=chrome.4.69i57j46i10i19j46i19j0i10i19i22i30l4.29076j0j15&sourceid=chrome&ie=UTF-8

[21] https://magazin.jobmensa.de/die-aeltesten-universitaeten-der-welt-hier-wird-seit-fast-1000-jahren-gebueffelt/

[22] https://www.college-contact.com/grossbritannien/universitaeten

[23] https://www.cam.ac.uk/about-the-university/how-the-university-and-colleges-work?ucam-ref=global-footer

[24] Liste der ältesten Universitäten im Dauerbetrieb –

https://de.qaz.wiki/wiki/List_of_oldest_universities_in_continuous_operation

[25]https://www.google.com/search?gs_ssp=eJzj4tTP1TcwMrQwzTJg9BIszcssSy0qziypVChITMkvSwQAhmUJ0g&q=university+padova&oq=university+pad&aqs=chrome.1.69i57j46l2j0l2j46i175i199l2.10401j0j15&sourceid=chrome&ie=UTF-8

[26] https://www.idealista.pt/de/news/erasmus-portugal/2019/04/01/268-coimbra-universitaets-und-kulturstadt

[27] https://www.uc.pt/en

[28] https://geschichte-wissen.de/blog/geschichte-universitaet/#11

[29] Emërtimi nën të cilin njihet një kushtetutë perandorake, të cilën Perandori Friedrich Barbarossa shpalli midis 1155 dhe 1158.

[30] https://de.wikipedia.org/wiki/Mittelalterliche_Universit%C3%A4t

[31] Die vier Fakultäten einer mittelalterlichen Universität MAG. RER. NAT. MARTIN THOMASCHÜTZ (AUTOR)

[32] (Wußing, Hans, 2009, 284, 6000 Jahre Mathematik. Eine kulturgeschichtliche Zeitreise – 2. Von Euler bis zur

     Gegenwart. Berlin: Springer

[33] https://de.wikipedia.org/wiki/Karls-Universit%C3%A4t

[34] https://www.univie.ac.at/

[35] https://magazin.jobmensa.de/die-aeltesten-universitaeten-der-welt-hier-wird-seit-fast-1000-jahren-gebueffelt/

[36] https://sq.wikipedia.org/wiki/Universiteti_Mesjetar_i_Durr%C3%ABsit

[37] https://www.historisches-lexikon-bayerns.de/Lexikon/Universit%C3%A4ten_(Sp%C3%A4tmittelalter)

Irnerius Bononiensis, studiuesi i pare i glosave

Islam Qerimi

Data e lindjes dhe e vdekjes se Irnerius-it, nuk janë të sigurta, por në dokumente figuron në vetëm mes viteve 1112-1125. Në burimet e ndryshme nga literatura juridike mesjetare supozohet se IRNERIUS Bononiensis ka jetuar në vitet 1150 – 1125.

Gjithashtu, edhe për emrin, origjinën, kushtet, rrethanat dhe mënyrën e jetesës së tij afrohen informacione të mangta. Sipas nënshkrimeve që janë gjetur nëpër dokumente të ndryshme të asaj periudhe, Irnerius-i, e quante veten në italishte Guarnerius, respektivisht Garnerius, nganjëherë gjendet edhe me emrin Warnerius. Emri i Irnerius duket t’ju është vënë tek pas vdekjes. Ndërsa, sa i përket origjinës së tij, ka autor të atillë, që pretendojnë Irneriusin ta shpallin me një prejardhje gjermane, krejt me arsyetimin se ai quhej Wernerius. Sidoqoftë, emra të tillë janë gjetur tek shumë italianë veriorë nga familjet italiane. Por Irnerius-i, gjithnjë veten e ka konsideruar si Bolonjas. Bolonja në këtë kohë kishte rreth 60.000 – 70.000 banorë dhe ishte i radhitur si qyteti i pestë apo i gjashtë evropian nga madhësia pas Kordobës, Parisit, Venedikut, Florences dhe Milanos.

Në vitet 1112 dhe 1113 në një dokument të Gjykatës (Placitum) përmendet si ndihmës-gjykate (Causidicus) për palët në konflikt, respektivisht si këshilltar i gjykatës vendimmarrëse për territorin e Konteshes Mathilde nga Tuszien. Ndërmjet viteve 1116 – 1118 emri i tij paraqitet edhe në 11 dokumente tjera, ndër to në 9 dokumente perandorake, si gjyqtar (iudex) i Heinrihut të V-të. Ky ishte titulli më i lartë që mund të arrihej nga një person me përgatitje profesionale juridike (legis peritus). Për këtë performancë arriti të gëzonte një reputacion të lartë prestigjioz.

Sipas Kronikës së Milanos e Landulphus de Sancto Paulo, Irnerius kishte mbajtur krahun e Perandorit për statusin e tij autokratik, me qëllim të ndikimit të tij për përfitimin e bindjes tek qytetarët e Romës (urbs regia), që zgjedhja e Papës Gelasius II të shpallet e pavlefshme dhe të zëvendësohej me Gregorin e VIII. Për shkak të këtij aktiviteti Irnerius në vitin 1119 ishte ftuar nga Papa Gelaisus II, i cili me atë rast i kishte shpallur atij ekskomunikimin (përjashtimin fetar). Për konsekuencat e tilla të mëtutjeshme si pasojë e këtij përjashtimi fetar të Irneriusi-t, si dhe për vendin se ku i kishte kaluar vitet e fundit të jetës nuk janë ruajtur të dhëna të dokumentuara.  Për here të fundi ai është përmendur në një dokument të datës 10 dhjetor 1125 në afërsi të Mantuas si ndihmës gjyqësor në një procedurë të arbitrazhit.

Në Lectura super Digesto veteri të Odofredusit të ri (1265), Irnerius-i (njëqind vjet pas vdekjes) do të shpallej si themelues i shkollës për studimet juridike të Bolonjës dhe atyre mesjetare në përgjithësi. Nga të dhënat e ruajtura është vërtetuar se ai fillimisht kishte pozitën e magister in artibus, ndërsa më vonë ishte pavarësuar (per se) dhe kishte filluar t’i studioj librat juridike të Justinianit (Kodeksi), të sjellura në Bolonjë nëpërmjet Ravenes nga Roma e shkatërruar. Në bazë të këtyre librave ai kishte filluar edhe të ligjëroj në lëndët juridike (scientia). Në literaturën juridike ai quhet edhe “Shkëndija e së drejtës”.

Në Kroniken Ursperger dokumentohet se në vitet 1229/30, Irnerius-i në kërkesë të Konteshës Matilde e kishte ripërtrirë librin libri legum, i cili ishte lënë në harresë deri atëherë, e kishte përplotësuar me ca fjalë.Kjo në literaturen e mëvonshme do të merret si themelimi i shkollës juridike, ku edhe do të vlerësohet lartë edhe kontributi i Konteshës Matilde.

Në literaturen e re të historisë së të drejtës është konstatuar se Corpus iuris civilis në kohën e Irnerius-it është përpunuar në formë të glosave (summae). Metoda e studimit të Glosave ishte ndjekur sipas metodës së shkollës së vjetër dialektike të Skolastikes (së pari në aspektin teologji) duke u vazhduar me definicione dhe distinkcione (përcaktime dhe ndryshime). Në glosa sqaroheshin konceptet dhe përmabjtjet e normave juridike.

Fakti se ai do të ishte i pari i cili Irnerius-i, i cili merrej me interpretimin e Corpus iuris-in, e sidomos me Pandektet në një pjesë të literatures juridike është mohuar. Gjithashtu, është vërtetuar shkencërisht, se pa të drejtë edhe Quastiones de iuris subtilitatibus, Tractatus de aequitate, Summe Trecentis dhe Formularium tabellionum i janë llogaritur si vepra të Irnerius-it. Gjithashtu, ka edhe paqartësi në lidhje me faktin se “quattuor doctores” Bulgarius, Martinus Gosia, Jacobus dhe Hugo de Porta Ravennate a mund të konsiderohen nxënës të tij.

Ndërsa, krahas Irnerius-it, në një vend të Moralia Regum e Rudolphus Niger (v. 1200) përmendet roli i Pepo-s, si ringjallës i studimeve të së drejtës romake.

Historia e së drejtës e pranon faktin se shkencat juridike janë të lidhura me kohën kur kishte jetuar e Irnerius-it, e cila konsiderohet edhe si koha e glosave, ku edhe kanë filluar të zhvillohen aspektet e metodave të interpretimit dhe ato shkencore. Nga të dhënat e ruajtura vërtetohet se një pjesë e madhe e sqarimit nëpërmjet glosave (komentimeve), allegatione (pohimet) dhe Solution contrarium (zgjidhjet e kundërta) në constitutione dhe leges për rastet bazike (casus legum) referonin zgjidhje meritore.

Që nga kjo periudhë kur jetonte Irnerius-i, populli e kishte mbartur plotësisht tek pushteti perandorak legjitimitetin për nxjerren e ligjeve. Pra, në këtë periudhë populli (desuetudo populi) më nuk luante kurrfarë roli në nxjerrjen e ligjeve.

Në fund të këtij artikulli të shkurtër, i cili i’u kushtua jetës dhe veprës së juristit të famshëm nga Bolonja, Irnerius, do të vlerësoja lartë kontributin e tij prej juristi, i cili themeloi shkollën e parë juridike mesjetare (në Universitetin e Bolonjes), duke e shpjeguar të drejtën klasike romake, por gjithashtu nuk duhet prejudikuar faktin se a ishte glosatori i parë apo jo, meqenëse, ai me bashkëpunëtorët (glosatorët) e vet, juristët e gjeneratës së tij si psh.: Azo dhe Accursius (glossa ordinaria ose glossa ordinaria Accursius 1250), si dhe Johannes Bassianus, u çmuan për ruajtjen dhe rigjallërimin e teksteve juridike klasike romake (littera vulgata/bologniensis) si dhe në gjetjen e zgjidhjeve për krijimin e kutures së komentimit, për situatat e paqarta, kur konstatohej se ekzsitojnë boshllëqe të dispozitave ligjore, e që ishin të nevojshme për zgjidhjen e problemeve, për shkak të progresit të arritur në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror të asaj kohe që nuk ishte i njohur deri atëherë. Kontributi i tij duhet të vlerësohet edhe për faktin, se deri në atë periudhë të vlente dhe studiohej e drejta kanonike (kishtare). Duke ju falenderuar Irnerius-it dhe glosatorëve tjerë të asaj kohe, Bolonja arriti të fitoi monopolin e studimeve juridike dhe e kufizoi mundësin e studimeve të tilla për qytetet jo mbretërore.

Më vonë paraqiten edhe postglosatorët (consiliatores), si psh.: Baldus de Ubaldis dhe Bartolus de Saxoferrato, të cilët e vazhduan rrugën e qartësimit edhe më të drejtë dhe precizë të ligjeve dhe normave juridike të trashëguara nga e drejta romake.

Në përmbyllje të këtij artikulli do të shtoj edhe faktin se në universitetet gjermane për herë të parë në vitin 1388 ka filluar të studiohet e drejta romake në Universitetin e Kölnit (Universität zu Köln).

Literatura: Mbi juristët gjerman dhe europian të periudhës kohore mbi nëntëqind vjeçare.

Gerd Kleinheyer, Jan Schröder (Hrsg.): Deutsche und Europäische Juristen aus neun Jahrhunderten: Eine biographische Einführung in die Geschichte der Rechtswissenschaft. 5. Auflage. C. F. Müller, Heidelberg 2008

Hans Hattenhauer:  Europäische Rechtsgeschichte, 4. Auflage, durchgesehene und erweiterte Auflage, CF Müller Verlag Heidelberg, 2004

Susanne Hähnchen: Rechtsgeschichte: Von der Römischen Antike bis zur Neuzeit, 4., Auflage, völlig neue bearbeitete und erweiterte Auflage, CF Müller Verlag Heidelberg, 2012

Hermann Lange: Römisches Recht im Mittelalter. Bd. 1: Die Glossatoren. Beck, München 1997

*Emrin e tij në shenjë përkujtimi prej juristit të famshëm sot e mban rruga Via Irnerio në Bolonjë dhe një projekt digjitalizimi të dorëshkrimeve ligjore: Progetto Irnerio./KultPlus.com