Jani Minga, patrioti iluminist që mbrojti dijen dhe gjuhën shqipe

Jani Minga, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, pedagog, iluminist e luftëtar kundër analfabetizmit, u nda nga jeta 74 vjet më parë, më 7 maj të vitit 1947. Minga lindi në fshatin Shënpjetër të Fierit më 1 gusht 1872. I ati, Kostandini, qe mësues i shqipes në Manastirin e Apollonisë.

Shkollën fillore  e kreu në Berat, ndërsa të mesmen në shkollën “Koto Hoxhi” në Qestorat. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Athinës, fakulteti filologjik. Njihte greqishten e vjetër dhe të renë, latinishten, italishten dhe frëngjishten.

Jani Minga mori pjesë në të gjitha kongreset arsimore. Ishte nismëtar për krijimin e klubit atdhetar “Labëria” më 1889 dhe i hapjes së shkollës së parë shqipe në Kaninë më 1909, ndërkohë hartoi edhe tekstet shkollore: “Abetare kombëtare shqip përgatitore”, “Abetare shqip këndimore”, “Gramatikë e gjuhës shqipe” etj.

Në korrik të vitit 1911 mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës. Ndërsa, në vitin 1912 fitoi të drejtën e të dhënit lëndën e historisë dhe gjeografi së, pas një konkursi në Janinë.

Më 1912 Minga mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që shpalli pavarësinë. Me hapjen e shkollës së Vlorës, u emërua drejtor i saj. Së bashku me një çetë të Semanit, luftoi në luftën e Vlorës së vitit 1920. Pati nderin të mbante fjalën e fitores në sheshin “Pavarësia”. Më 1922 mori pjesë në kongresin e arsimtarëve në Tiranë. Ishte përkrah Nolit gjatë kryengritjes së qershorit 1924 dhe mbajti fjalën e rastit kur trupat kryengritëse hynë në Tiranë. Vite më vonë iu përkushtua arsimit, si mësues e inspektor dhe kohë më kohë organizonte aktivitete me frymë patriotike. / KultPlus.com

71 vite nga vdekja e Jani Mingës

Më 7 maj 1947 vdiq Jani Minga, mësuesi patriot shqiptar dhe një ndjekës i dukshëm i Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë.

Ai ishte gjithashtu një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë./ KultPlus.com
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10156125846040631&set=gm.1692971924111907&type=3&theater&ifg=1