‘Java e shoqërisë civile’, 70 aktivitete në mbi 20 qytete me fokus të rinjtë

Një sërë eventesh dedikuar punës dhe veprimtarisë së organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile në vend, po zhvillohen përgjatë datave 7-16 maj, në kuadër të “Javës së shoqërisë civile në Shqipëri”.

Në aktivitetin e organizuar nga Partnerët Shqipëri dhe Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile ishte sot e pranishme edhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.

“Java e shoqërisë civile në Shqipëri” synon krijimin e një hapësire për të gjithë aktorët e shoqërisë civile, si katalizatorë të ndryshimeve pozitive në shoqëri, për t’u bërë bashkë, diskutuar dhe krijuar zgjidhje dhe veprime të përbashkëta në të ardhmen.

Tematika e kësaj jave për këtë vit është “Të rinjtë në veprim” dhe në kuadër të kësaj jave po organizohen 70 aktivitete rajonale në mbi 20 qytete me fokus të rinjtë./atsh/ KultPlus.com