Gazetarja e BBC-së një javë para se të vritej bëri apel për të ndihmuar refugjatët nga Kosova (VIDEO)

Nga Arben Rugova

Ajo meriton ta nderojmë!

Sot, derisa po luaja me fëmijët në Gërmi, mu kujtua Jill Dando, ish gazetarja e BBC-së, e cila u vra me një plumb në kokë përpara derës së shtëpisë së saj në Londër, më 26 prill të vitit 1999. Meqë janë të vegjël, nuk u fola për atë që po mendoja, dhe iu ktheva lojës duke i thënë vetvetes se duhet t’ia kushtoj një status.

Më kishte bërë shumë përshtypje apeli i saj, me shpirt, për të ndihmuar refugjatët që po deportoheshin dhunshëm nga Kosova prej forcave ushtarake policore serbe.

U vra një javë pas këtij apeli.

Për vrasjen u dënua ish i dashuri i saj, por pas tetë vjetësh, Barry George u lirua si i pafajshëm.

Prej fillimit të hetimeve, Scotland Yard si pistë dyshimi për vrasjen e gazetares Dando kishte edhe shërbimin sekret serb (jugosllav).

Disa media britanike, duke u thirrur në burime të policisë, asokohe shkruanin se për këtë vrasje i dyshuar është edhe krimineli serb, Zhelko Razhnjatoviq – Arkan.

Tre ditë para vrasjes, aeroplanët britanikë bombarduan Radio Televizionin e Serbisë.

Një ditë pas vrasjes, një person anonim i telefonoi BBC-së dhe me theks sllav kishte pohuar se është vrasësi i gazetares Dando në shenjë hakmarrje për bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë.

Policisë britanike i munguan provat…
Dhe ndoshta kurrë nuk do ta marrim vesh se kush ishte dorasi që la të vdekur prezantuesen që bëri britanikët të mbledhin disa milionë funta për të ndihmuar shqiptarët që po iknin nga Kosova.

Për mua, ish-gazetarja Dando është heroina e luftës për lirinë e Kosovës.

Uroj që ose presidenti i Republikës t’i ndajë medalje post-mortum; ose Komuna e Prishtinës ta emërojë një rrugë me emrin e saj.

Ajo meriton ta nderojmë!