Bernard Çobaj: Joyce-Kozmopoliti i mërguar irlandez

Psikologu i famshëm amerikan, William James, i quajti shumëfishin, njëkohshmërinë dhe kaosin e proceseve të mendimit në mendjen e njeriut “rrjedhë e ndërdijes”.

Themelues i vërtetë i romanit psikologjik modern konsiderohet të jetë vëllai i tij, Henry James. Ai i vuri vetes detyrë “të kapte”, të analizonte dhe të zbulonte thelbin e atij procesi.

Kështu, falë vëllezërve James, një nga drejtimet më të rëndësishme në prozë, nga fillimi i shekullit XX, u quajt romani i rrjedhës së ndërdijes, që Kadareja do ta quante “përrua i ndërdijes”.

Përfaqësuesi më i shquar i romanit të përroit të ndërdijes në letërsinë moderne anglofone të shekullit XX është irlandezi James Joyce.

Në aspektin letrar, ai u formua nën ndikimin e shumë shkrimtarëve dhe filozofëve, si: Homeri, Dante Alighieri, Tomas Akuini, William Shakespeare, Henrik Ibsen, Giambattista Vico, Anton Chekhovi dhe William Butler Yeats.

Ky i fundit, poeti më i madh irlandez, ndikoi në rrugëtimin letrar të Joyece. Yeats ishte figura më e shquar letrare irlandeze, atëherë dhe sot, simbol i rilindjes kombëtare dhe i lirimit nga prangat e anglezëve.

Ai u fokusua në kthimin e gjuhës kelte, folklorit, miteve dhe legjendave të keltëve, si mënyrë e dekolonizimit nga prangat angleze, ndërsa Joyce braktisi format e tij dhe mori rrugën evropiane, duke u bërë pjesë e vëllazërisë evropiane, së bashku me shkrimtarë, si: Dante, Shakespeare dhe Ibsen.

Eksziston, madje, një anekdotë se Joyce, 21-vjeçar, kur u takua me legjendën Yeats, 38-vjeçar, i tha: “Sa vonë u takuam, nuk mund më të ushtroj ndikim te ti…”. Pompoziteti dhe vetëbesimi i skajshëm u bënë pjesë e jetës dhe krijimtarisë së Joyce deri në fund.

Joyce në veprat e veta bën shumë aluzione në shkrimet e Yeats, shpesh në formë parodike. Yeats, pavarësisht kritikës së ashpër fillestare ndaj publikimit të Uliksit – veprës së Joyce – ndikoi që libri të publikohet, pas ndalimeve që i janë bërë, duke u konsideruar si i pahijshëm.

Joyce frymëzohej shumë nga Ibseni, autori i Nores apo Shtëpisë së Kukullave. Nora ishte emri i gruas së Joyce dhe ajo luajti rol të rëndësishëm në krijimtarinë e tij. Madje, data e ngjarjes së Uliksit është e lidhur me datën kur ata u takuan (16 qershor, 1904). Uliksi, në vorbullën e interpretimeve të shumta, është një përkushtim i veçantë ndaj dashurisë që Joyce ndiente ndaj Norës.

Lidhur me krijimtarinë letrare të Joyce ka pasur polemika të ashpra. Megjithëkëtë, ai ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e prozës letrare të shekullit XX. Me eksperimentet në teknikën narrative dhe në strukturën e romanit, si dhe me përdorimin e “përroit të ndërdijes” dhe monologut të brendshëm, ai i dha një drejtim të ri letërsisë moderne.

Joyce hapi shtigjet për paraqitjen e post-modernizmit dhe pati ndikim mbi shkrimtarë të tjerë, si: Salman Rushdie, Gabriel Garcia Marquez, William Faulkner, Julio Cortazar, Jorge Luis Borges, Carlos Fuentes, Mario Vargas Llosa, Umberto Eco, Philip Roth, e madje edhe te Virginia Woolf, e cila e kritikoi ashpër Uliksin.

Edhe pop-kultura ka referenca të shumta ndaj Joyce apo Uliksit. Richard Linklater aludon në Uliksin në dy nga filmat e tij, “Slacker” dhe “Before Sunrise”.

Kënga e grupit U2 e vitit 2009 “Breathe” ka të bëjë me ngjarjet që ndodhin në një 16 qershor imagjinar. Në filmin e Mel Brooks të vitit 1968, “The Producers”, personazhi kryesor është emëruar për nder të heroit të Joyce, Leo Bloom.

Në atdheun e tij, në Irlandë, Joyce nuk ishte i dashur deri nga vitet gjashtëdhjetë të shekullit XX, duke u parë si shkrimtar që i ka munguar kombëtarizmi i atij soji që e do nacionalizmi i atyre kombeve që e marrin veten vonë politikisht. Irlanda përfiton sot milionat nga industria e Joyce, përkatësisht nga turistët që e vizitojnë Dublinin në Bloomsday, çdo 16 qershor.

Mërgimi vullnetar si shërbim ndaj popullit

Si gjimnazist në moshën 16-vjeçare, Joyce ka marrë çmimin për punimin më të mirë në gjuhën angleze në tërë Irlandën dhe ka shkruar kritika të shfaqjeve teatrale. Në një rast lidhur me shfaqjen Magda të Sudermanit, ai u shkroi prindërve të tij: Tema e shfaqjes është rebelimi i gjeniut që ndodh në shtëpinë e tij dhe kundër shtëpisë së tij. Nuk keni nevojë ta shihni shfaqjen. Kjo do të ndodhë në shtëpinë tuaj.

Joyce në vitin 1904 takoi të dashurën e jetës së tij, Nora Barnacle, dhe u largua nga Irlanda. Data e takimit me Noren, 16 qershori i vitit 1904, bëhet data e ngjarjes së Uliksit – data më e njohur fiktive në historinë e letërsisë.

Joyce e dinte se nëse dëshironte të arrinte misionin e tij për t’i shërbyer artit, ai do të duhej të largohej nga atdheu. Të qëndronte në Irlandë do të ishte dorëzim ndaj nacionalizmit të shfrenuar, sentimental, i cili ishte ndoshta pengesa më e madhe atëbotë për ëndrrën irlandeze për liri dhe pavarësi.

Për t’iu ndihmuar bashkatdhetarëve të tij të realizonin këtë ëndërr, Joyce fillimisht duhej të fitonte lirinë e tij. Vendimin për t’u larguar nga Irlanda, ai do ta shpjegojë në novelën Portreti i artistit në rini me fjalët: “Nuk do t’i shërbej asaj që nuk besoj më, qoftë shtëpia, atdheu apo kisha ime”.

Joyce nuk tërhiqej nga Irlanda siç ka qenë, por Irlanda siç do të mund të ishte. Autori i ri nuk ishte i pandjeshëm ndaj gjithë diskursit për rilindjen kombëtare, mirëpo në fund të Portretit, përmes Stephen Dedalusit, unit të dytë të autorit, thërriste imagjinatën e tij për një komb të ri irlandez.

Portreti i artistit në rini mbyllet me fjalët e Stephen: “Po shkoj të ndesh për të miliontën herë realitetin e përvojës dhe do të farkëtoj në farkëtuesin e shpirtit tim vetëdijen e pakrijuar të popullit tim”.

Interpretimet e shumta e trajtojnë këtë thënie si distancë ironike të autorit nga protagonizmi i tillë (tek Uliksi, Stephen shprehet: Kam frikë prej fjalëve të mëdha, të cilat të gjithëve na bëjnë kaq të dëshpëruar).

Biografi më autoritativ i Joyce, Richard Ellmann, tregon për letrën e Joyce botuesit të tij Grant Richards, ku shprehet: “Synim e kisha të shkruaja një kapitull të historisë morale të vendit tim”.

Te Ellmann gjejmë të cituar edhe letrën e Joyce për Noren, më 1912, ku thotë: “Unë jam një nga shkrimtarët e këtij brezi që po krijojnë mbase një vetëdije në shpirtin e këtij populli të pafat”.

Si i ikur nga Irlanda, Joyce mund të jetë në krye të një kolone të letërsisë së mërgimit në shekullin XX. Ata që zgjodhën mërgimin si Joyce, ose mërgimi i zgjodhi ata, ishin: Thomas Mann, Vladimir Nabokov, Amin Maluf, Edward Said e shkrimtarë të tjerë.

Viti i dhjetë në mërgim ishte i mbarëfrytshëm për Joyce. Në vitin 1914, botoi përmbledhjen e tregimeve Dublinasit, e mbaroi së shkruari Portretin e artistit në rini, e shkroi dramën Të mërguarit dhe filloi ta shkruante Uliksin, që do ta mbaronte pas 7 vjetësh.

Por, Dublini do të bëhej dhe do të mbetej qendra e botës letrare të Joyce, deri në atë masë sa vetë Joyce me mburrje thoshte: “Nëse Dublini do të shkatërrohej ndonjëherë, do të rindërtohej prej romanit tim”, ose “kur të vdes dhe të më hapin trupin, do të gjejnë Dublinin të gdhendur në zemrën time”.

Ai e donte dhe e urrente Dublinin dhe dublinasit gjatë gjithë jetës së tij. E urrente mendjengushtësinë, injorancën dhe nacionalizmin e egër të bashkëqytetarëve të tij, por respektonte ngrohtësinë dhe thjeshtësinë e tyre, përkushtimin e tyre ndaj qytetit. Në polemikat e qytetarëve të Dublinit, Joyce vërejti një material të pashtershëm për prozën e tij, por edhe një sfidë të madhe artistike: “Nëse mund të arrij në zemrën e Dublinit, do të jem në gjendje të arrij në zemrën e çdo qyteti në botë”, thoshte ai.

Vetëdija hedoniste për rëndësinë e çdo momenti në jetën e njeriut e çoi Joyce drejt një qëndrimi artistik, sipas të cilit, në një botë që e bën të pakuptimtë dhe tallet me gjithçka që dikur ishte dinjitoze dhe e lartësuar, nuk duhej kërkuar më asgjë madhështore. Ajo duhet të krijohet pikërisht mbi bazën e një përditshmërie krejtësisht të zakonshme, banale, ndonjëherë vulgare.

Historia e një dite shumë të zakonshme e një dublinasi të zakonshëm u jetësua në tregimet në përmbledhjen Dublinasit; ishte atëherë kur Joyce kuptoi mundësitë e idesë së zbërthimit të mitit homerik, për të krijuar një mit për jetën e zakonshme e banale të të ashtuquajturve njerëz të vegjël. Në këtë mënyrë lindi romani i titulluar Uliksi.

Uliksi – kryevepra e letërsisë moderniste

Në një nga hartimet shkollore, lidhur me heroin e preferuar, Joyce përzgjodhi Odiseun. Odiseu i Homerit (greqisht: Odysseus) u riemërua nga latinët në Ulixes, shumë kohë më parë. Në fakt, rreth 240 vjet para Krishtit, në Romë, skllavi grek i liruar, Lucius Livius Andronicus, e bëri përkthimin nga greqishtja në latinisht. Ishte shembulli i parë i njohur i përkthimit artistik në histori (nga ky përkthim janë ruajtur vetëm 50 rreshta).

Më pas, duke iu afruar pjesërisht origjinalit grek, Ulixes u shndërrua në Ulysses dhe një formë e tillë e emrit u përvetësua në anglisht.

Në ditëlindjen e tij të 40-të (numri 40 ka magjinë e vet) më 2.2.1922 (datë interesante për numerologjistët), Sylvia Beach, e cila drejtonte librarinë Shakespeare and Company në Paris vendosi në vitrinën e librarisë Uliksin (Ulysses) e James Joyce me kopertinën blu dhe letrën e bardhë. Libri u botua në 1000 kopje. Emri i romanit nuk përmendet në vepër, por ruan lidhje problemore, tematike me Odiseun e Homerit.

Në një intervistë të vitit 1934, Joyce do të shpjegojë se pse e konsideronte Odiseun si një njeri të plotë: “Fausti i përjetshëm nuk është njeri. Ju përmendët Hamletin. Hamleti është një qenie njerëzore, por ai është vetëm një djalë. Odiseu është i biri i Laertit, por është edhe babai i Telemakut, bashkëshorti i Penelopës, dashnori i Kalipsos, bashkëluftëtar me grekët para Trojës dhe mbreti i Ithakës. Ai përjetoi shumë sprova, por me mençurinë dhe guximin e tij i kapërceu të gjitha. Kur e gjeti veten në luftë, ishte ai që shkoi deri në fund, ndërsa të gjithë të tjerët donin t’i jepnin fund rrethimit të Trojës. Ai i vetëm këmbënguli të qëndronte derisa të binte”.

Uliksi ndahet në tri pjesë e tetëmbëdhjetë episode. Ai shkakton edhe sot reagime kontradiktore. Është një roman që disa e quajnë “bestselleri më i palexuar i shekullit XX”, sepse gjoja të gjithë dinë gjithçka për të, por pak e kanë lexuar.

Fakti që edhe sot ka mendime të diskutueshme për të, tregon se është një vepër jetike. Ato kontradikta që ekzistojnë rreth Joyce, vazhdojnë ta bëjnë Uliksin interesant dhe provokues për publikun, edhe 100 vjet pas publikimit të tij. Joyce e ka thënë si me shpoti se do të bëhej i përjetshëm pasi profesorët “me shekuj do të grinden me fjalë rreth asaj se çka ka dashur të thotë ai”. Kjo deklaratë do ta provokonte Jorge Luis Borgesin, i cili në vitin 1985 tha: “Vepra nuk është shkruar për lexim; është shkruar për diçka shumë më tepër, është shkruar për ta bërë autorin të famshëm, për t’u studiuar dhe për të hyrë në historinë e letërsisë”.

Të shumtë ishin ata që u tmerruan nga romani, e mbi të gjitha nga vendosmëria e Joyce për të folur për gjërat që kanë të bëjnë me jetën sensuale njerëzore.

Disa nga shkrimtarët që e kishin dashur dhe përkrahur deri atëherë, befas ia kthyen shpinën. Për shembull, Virginia Woolf, e cila tha se Uliksi është një libër vulgar dhe se askush nuk duhet ta lexojë.

Andre Gide, të cilit Joyce i dërgoi një kopje të nënshkruar të librit, u shpreh se ishte një kryevepër e rreme. Poeti i madh irlandez, William Butler Yeats, tha se Uliksi është një libër i çmendur.

Por, kishte edhe nga ata që e panë forcën dhe rëndësinë e kësaj pune. Thomas Stearns Eliot, një poet i madh dhe autoritet kritik i shekullit XX, arriti në përfundimin se ky është një roman që kurorëzon letërsinë moderniste dhe se Joyce nuk ka asgjë për të shkruar pas Uliksit. Është një libër që përfshin të tashmen, të shkuarën dhe të ardhmen:

“Përdorimi paralel i Odiseut ka rëndësinë e një zbulimi shkencor. Askush tjetër nuk ka ndërtuar një roman mbi një themel të tillë më parë…duke përdorur mitin, duke manipuluar një paralele të vazhdueshme në mes të bashkëkohësisë dhe antikitetit. Joyce ka zbuluar një mënyrë për ta vënë nën kontroll, në rend, për t’i dhënë një formë dhe një domethënie panoramës së paanë të kotësisë dhe anarkisë që është historia bashkëkohore… Në vend të metodës rrëfimtare, tani mund të përdorim metodën mitike” – T.S. Eliot

Studiuesit e Joyce kanë nxjerrë me mijëra punime në këta 100 vjet, madje për çdo kapitull të Uliksit, saqë me to mund të krijohet një librari. Kundrejt thënies së Eliotit se pas Uliksit nuk mund të shkruajë më, Joyce pas 17 vjetësh punë botoi Vegimin e Fineganit, roman që i vë vetes detyrë të kapë “rrjedhën e nëndijes” dhe paraqitet si antitezë e leximit, për shkak të strukturës së errët. Për këtë vepër, që disa e quajnë Olimpi i letërsisë botërore, mund të themi se, përkundër idesë madhështore që ka në themelin e vet, mbetet e mbyllur për lexuesin dhe i shmanget asaj që Roland Barthes e quan “kënaqësi e tekstit” (le plaisire du text).

Në Uliks bëhet fjalë për një ditë të tre personazheve kryesorë: Leopold Bloom, Stephen Dedalus dhe Molly Bloom. Romani ka qëllim kryesor dëshirën e shkrimtarit për të treguar se si duket realisht jeta e brendshme e personazheve të tij. Jo për të na dhënë një riinterpretim të ngjyrosur të asaj që ata bënë, menduan ose përjetuan në momente të caktuara, por për të na treguar drejtpërdrejt se si funksionon vetëdija njerëzore – me të gjitha tiparet e saj të bukura, por edhe me të gjitha anët e saj të errëta.

Madje, ato anët e errëta ishin shkaku i keqkuptimit të tij me lexuesit. Shumë nuk donin të pranonin se vetëdija njerëzore mund të jetë gjithashtu e frikshme, e çoroditur dhe e pistë. Synimi i tij në letërsi nuk ishte e bukura, por e vërteta.

Uliksi përshkuan copëzimin dhe kaosin e së tashmes përmes metodave të reja të shkrimit, të cilat arrijnë kulmin e tyre shprehës në teknikën e përroit të ndërdijes dhe monologut të brendshëm.

Këto dy teknika shpesh nënkuptohen si një, por në rrafshin e strategjive narrative/gjuhësore paraqesin dy forma të ndryshme të të shprehurit letrar.

Me teknikat inovative, Joyce përmbys plotësisht shkrimin natyralist e racionalist, ku koha përfaqësohet në mënyrë objektive e lineare. Fakti se koha është relative, është sot çështje e pranuar, por më 1922 nuk ishte ashtu. Koha ndryshon në varësi të asaj që po përjetojmë se perceptimi ynë mbi kohën ka ndryshuar.

Joyce është pa dyshim një ndër mjeshtrit më të talentuar të përdorimit dhe eksperimentimit me gjuhën në veprën artistike letrare. Tregon për valën e mendimeve, gjysëm-mendimeve, fragmentimeve në qarkun e procesit të formësimit të mendimit, në kontekstin e asaj çfarë ishte dhe çfarë mund të ishte, përplasjen e valëve të shqetësimeve, dëshirave kundrejt brigjeve të mendjes, vetëdijes dhe ndërdijes. Përshkruan shastisjet dhe çuditjet e pazgjidhura, të cilat të gjithë i përjetojmë nga lindja e deri në vdekje, na bën thirrje të tregojmë dhembshuri e mirëkuptim, na paralajmëron që t’u rrimë larg kërkesave joshëse për të shkelur mbi të tjerët, me qëllim të adhurimit të idhujve.

Joyce, i cili pjesën më të madhe të Uliksit e shkroi në Cyrih gjatë masakrës shkatërruese të Luftës së Parë Botërore, ashtu si dhe gjatë Kryengritjes së 1916-ës kundër pushtuesve britanikë në Irlandë, e përçmonte helmin e fortë të nacionalizmit dhe joshjen për dhunë. Ai vështronte se si intelektualët, artistët dhe shkrimtarët evropianë, përfshirë ata në Irlandë, degjeneronin në mjerimin e moralit të hipokrizive shoviniste, për të mbështetur aventurizmin ushtarak.

Ana e errët e nacionalizmit është gjithmonë racizmi, ekzaltimi i vetes, i fisit, i kombit, njëra racë mbi tjetrën, kur dikush poshtërohet dhe çnjerëzohet si i padenjë për të jetuar. Për Joyce, ky ishte sakrilegj. Leopold Bloomi është pacifist, ashtu si Joyce.

Në libër, ai i përqesh të gjithë nacionalistët e flaktë, përfshirë nacionalistët irlandezë, të cilët i ngjasonin me ciklopin idiot e me një sy të Homerit, në kapitullin e titulluar “Qytetari”.

Jeri Johnson, njëra ndër studiuesit më të shquar të Uliksit, e quan roman hiperletrar, sepse del përtej fushës së prozës konvencionale me sisteme të përpunuara simbolike. Johnson mëton se Uliksi është tekst alotropik – domethënë ka aftësinë të ekzistojë, dhe njëmend ekziston, në të paktën dy forma të dallueshme, qartësisht të ndryshme në të njëjtën kohë.

Kur Stephen dhe Bloom takohen (rrugët e tyre do të kryqëzohen tri herë në atë një ditë), ata kanë diskutime politike dhe shkollore, shkojnë në sallonet e hoteleve, në bare dhe përfundojnë në një bordello, ndër të tjera. Në fund, Bloom e sjell në shtëpinë e tij në orët e vona dhe pasi flet për një sërë temash, Stephen largohet. Bloom shkon në shtrat, ku gruaja e tij, Molly, është tashmë në gjumë. Dhe, në orën dy të mëngjesit, është Molly (që është zgjuar) në çarçafët pranë Bloomit të fjetur dhe monologu i saj dyzet faqesh me të cilin përfundon Uliksi. (Jung e konsideroi këtë monolog një zbulim të natyrës së femrës).

Në vitin 1932, Jungu i shkroi Joyce në një letër: Unë supozoj se vetë djalli di kaq shumë për psikologjinë e vërtetë të grave. Joyce ishte krenar për këtë lavdërim të Jungut për psikologjinë femërore, por Nora ishte e një mendimi tjetër: Oh, ai nuk di asgjë për gratë.

Nora, njëherë, kur dikush e pyeti nëse e kishte lexuar Uliksin, u përgjigj: Pse? Më mjafton që ai flet për të gjatë gjithë kohës. Do të doja një jetë të vogël timen.

Më vonë ajo pranoi se kishte lexuar faqet e fundit të Uliksit, monologun e Bloomit: Unë supozoj, tha ajo, se njeriu është një gjeni, por ai ka një tru shumë të pistë!

Studiuesi John Rikard shqyrton teoritë e kujtesës prej Platonit dhe Aristotelit e deri te Frojdi e Bergsoni, të cilat shërbejnë si sfond tematik i Uliksit. Ai thotë se syzheu i Uliksit është pjesë e një plani që përjashton përmbylljen si mundësi.

‘Oh ajo rrëkeja shungulluese Oh dhe deti i kuqërremë ndonjëherë si zjarr dhe perëndimet e diellit aq të lavdishme dhe fiqtë në kopshtet e Alamedas po dhe të gjitha ato rruginat e çuditshme dhe shtëpitë bojë rozë e ato me ngjyrë të kaltër e ato me ngjyrë të verdhë dhe kopshtet e trëndafilave dhe jaseminët…po dhe si më puthi ai nën murin maur dhe unë mendova epo mirë njëlloj si ai ndokush tjetër pastaj e pyeta me sy të më pyeste prapë po e pastaj më pyeti në pranoja po të thoja po ljulja ime e malit dhe së pari i hodha duart rreth tij po dhe e tërhoqa nga vetja që të mund të mi ndjente gjinjtë gjithë aromë po dhe zemra e tij po hidhej si e çmendur dhe po i thashë pranoj po’

Pjesa përmbyllëse e monologut madhështor të Molly Bloom me cilën mbyllet Uliksi është çelësi, sipas Joyce, për ta kuptuar Uliksin. Tregimi jetësorë i saj mbi dashnin, xhelozin, përplasjet jetësore, shëndetin, paratë, lumturinë, është fija që bashkon, ngërthen në vehte fatet e Leopoldit dhe Stefan Dedalusit.

Po-ja Mollit, që përsëritet 108 herë deri në fund, është po jetës, sado që mund të jetë banale, e bezdisshme, e vrazhdë, triviale – por poashtu plotë bukuri dhe ajo bukuri duhet zbuluar sikur e bukura në librin e Joyce. E bukura që nuk shihet në të parën por si e tillë ka vlerë më të madhe. Kërkimi i atyre momenteve epifanike të së bukures në jetë është një prej mesazheve të Joyce. Ne sot jemi Odisetë/Uliksat që lundrojmë në botën e zhytur në banalitet (sipas filozofit gjerman Hajdegerit) dhe kërkojmë ishujt e ndryshme të dashnis, lumturisë dhe të së bukures. Gjetja atyre ishuj përbën odiseadën tonë post-moderne./KultPlus.com

Kur Joyce dhe Proust u takuan në vitin 1922 dhe u mërzitën tmerrësisht nga njëri-tjetri

Kur përmendim emrat e artistëve të mirënjohur të së shkuarës, u referohemi veprave të tyre më të vlerësuara – për shembull, Orson Welles na kujton Qytetarin Kane ose Luftën e botëve, dhe H. G. Wells na kujton Makina e kohës ose… Luftën e botëve. Dhe kur të dy artistë u takuan në vitin 1940, zbuluan se botët e tyre, të cilat tashmë ishin ndërthurur në filmin famëkeq të Welles-it, kishin goxha për të folur së bashku, duke shkëmbyer përzemërsisht histori, idera dhe admirim reciprok.

Një tjetër takim historik ndërmjet dy artistëve të cilin mund ta konsiderojmë të ngjashëm, ai midis James Joyce-it që njihet për Uliksin, dhe Marcel Proust-it që njihet për Në kërkim të kohës së humbur, nuk solli një bisedë kaq të këndshme.

Siç ka vënë në dukje kritiku irlandez, Arthur Power:

“Ja tek takohen dy figurat më të mëdha të letërsisë së kohës sonë, dhe e pyesin njëri-tjetrin nëse i pëlqejnë tartufët.”

Ky të paktën është njëri version i kësaj ngjarjeje në maj të vitit 1922, kur Proust-i po i afrohej fundit të jetës. Takimi u bë në një një festë të organizuar për Igor Stravinsky-n dhe Sergei Diaghilev-in, në hotel Majestic. Të dy ishin lexues të etshëm, me memorie të shkëlqyera (siç e dimë me siguri për Proust-in) dhe i kuptonin me intuitë mekanizmat kulturorë të modernitetit. Ata mund të bënin biseda kaq serioze….

Megjithatë, një pjesëmarrës me emrin William Carlos Williams, e përshkruan në mënyrën më komike…..

Ben Jackson i London Review of Books shkruan: “Joyce-i mbërriti i dehur dhe i veshur keq, ndërsa Proust-i, me një gëzof të hedhur mbi supe, hapi derën”.

Më pas, shkruan Williams, “të dy burrat u ulën në karrige krah njëri-tjetrit, ndërsa “mbështetësit” prisnin “shkëndija prej fjalëve të mençura”.

Ndërsa ata biseduan për sportet e për motin, sikur të ishin dy të moshuar që po takoheshin në sallën e pritjes për t’u vizituar te doktori, apo dy personazhe të Samuel Beckett-it, të munduar nga ankesat e papërfillshme me rëndësi madhore.

“Kam përditë dhimbje koke. Sytë i ndiej shumë keq”, – tha Joyce-i.

Proust-i ia ktheu:

“Stomaku im i gjorë. Si do t’ia bëj? Po më dhemb. Në fakt, duhet të largohem menjëherë”.

“Ndodhem në të njëjtën situatë”,-iu përgjigj Joyce-i. “Sikur të gjej dikë që të më mbajë për krahu. Mirupafshim”!

“Charmé”, -tha Proust-i. “Oh, stomaku im, stomaku im”.

Ford Madox Ford e konfirmon këtë version, por siç tregon Richard Ellmann, që është biografi më i respektuar i Joyce-it, organizatori i festës, romancieri Sydney Schiff, e mohon atë. Nuk duket se Ellmann favorizon ndonjë version të caktuar, megjithatë, ai na tregon versionin e Joyce-it, i cili është dhënë shumë herë.

Autori i Uliksit mbante mend se “biseda e tyre përmbante vetëm fjalën ‘Jo’. Proust-i më pyeti nëse e njihja filan njeri. I thashë, ‘Jo’”. Ndërsa Proust-i u pyet nëse e kishte lexuar Uliksin, dhe ai u përgjigj gjithashtu negativisht. “Ishte një situatë”, kujton Joyce-i, “e pamundur”. Të ftuar të tjerë e mbanin mend në mënyrë të ngjashme takimin.

Në një version tjetër ne shohim se çfarë ndodh pas diskutimit të tyre – një rrëfim që i përngjan një skenari të një mbrëmjeje që mbyllet me zhgënjim. Bashkëshortja e Sydney Schiff-it, Violeta, kujton se Joyce-i i dehur u fut në një taksi bashkë me këta të dy dhe Proust-in, e hapi direkt dritaren. “Duke ditur frikën paralizuese që Proust-i kishte ndaj rrymës së erës”, shkruan një faqe për Proust-in, Violeta “e mbylli menjëherë dritaren”. Kur taksia mbërriti tek apartamenti i Proust-it, romancieri francez e “nxiti irlandezin që ta lejonte taksistin ta çonte deri në shtëpi”, e më pas “shpejtoi për tek apartamenti i tij”.

Interpretimet e shumta kundërshtuese, duket se bashkohen në një pikë: takimi ishte i pavlerë. Megjithatë, një shkrimtar botoi së fundmi atë që pretendohet se është një libër i tërë mbi këtë temë. Edhe ai mbërrin në konkluzionin se “askush nuk mund ta thotë me siguri se çfarë folën me njëri-tjetrin”. Është tunduese të mendosh se mund të kishte shkuar ndryshe, nëse do të ishin takuar më herët ose në rrethana të tjera, duke marrë parasysh prirjen e Joyce-it për të pirë me tepri dhe shëndetin e dobët të Proust-it e antipatinë e tij ndaj shoqërisë. Revista The New Inquiry citon një koment që Joyce-i i bëri Samuel Beckett-it për Proust-in:

“Nëse do të na kishin lejuar të takoheshim e të bisedonim diku….”

Megjithëse thuhet që të dy shkrimtarët rrëfyen se nuk ia kishin lexuar librat njëri-tjetrit, Jackson vëren se kur Joyce-i “pranoi që u kishte hedhur një sy disa faqeve, deklaroi se nuk kishte dalluar ‘ndonjë talent të veçantë’”. Ai gjithashtu shfaqi njëfarë zilie për rrethanat e rehatshme të Proust-it. Proust-i, i cili vdiq gjashtë muaj më vonë, nuk përmendi ndonjë gjë për takimin që pati.

Përktheu David Hudhri /KultPlus.com