Përkujtohet Jusuf Vrioni, intelektuali poliedrik, përfaqësues i fisnikërisë shqiptare

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot një figurë të shquar të kulturës shqiptare, Jusuf Vrionin, juristin, politologun, shkrimtarin dhe përkthyesin brilant të formuar në shkollat më prestigjioze franceze, i njohur si “përkthyesi i Kadaresë”, trashëgimtarin e fisnikërisë shqiptare dhe atdhetarin, që i mbijetoi burgut dhe torturës mizore të regjimit totalitar.

Jusuf Vrioni lindi në datë 16 mars 1916 në Korfuz. Pas emërimit të babait të tij Iljaz Bej Vrionit në pozicionin e ambasadorit, familja e tij u shpërngul në Paris. I diplomuar në Drejtësi dhe Studime të Larta Tregtare në Francë, me Doktoraturë në Jurisprudencë në Itali, ai u kthye në Shqipëri gjatë pushtimit të saj nga Italia fashiste.

Me vendosjen e regjimit komunist, Jusuf Vrioni u akuzua si agjent i Francës. U dënua me 15 vjet heqje lirie dhe me punë të rëndë në burgun famëkeq të Burrelit. Pas lirimit në vitin 1958, u internua në Fier.

Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes.

Ndër përkthimet e tij të para numërohen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Jusuf Vrioni gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë. Falë elegancës së frengjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes i pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.

Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, u angazhua në qarqet e shoqerisë civile dhe për një kohë shërbeu si “Kryetari i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut”. Kriza famëkeqe e vitit 1997 do ta detyronte tashmë burrin e moshuar të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur. Më 1998 emërohet Amabasor i Republikës së Shqipërisë nga UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin “Chevalier de la Légion d’Honneur”, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhrin “Grand Officier de la Légion d’Honneur” nga Republika Franceze.

Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris, në maj të vitit 2001 ndërsa shërbente si Amabasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.

Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes më 18 qershor 2001 me titullin “Qytetar Nderi”.

Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë, më 2006 krijoi çmimin Jusuf Vrioni.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani më 14 prill të vitit 2017, i akordoi Jusuf Vrionit Dekoratën “Nderi i Kombit”. / atsh / KultPlus.com

Jusuf Vrioni u ndoq për 27 vjet me radhë nga Sigurimi i Shtetit

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit fton qytetarët, studiuesit dhe të interesuarit të shohin dosjen e Vrionëve, përsekutuar nga Sigurimi i Shtetit.

Në kuadër të kurimit të së shkuarës AIDSSH hedh dritë mbi një nga familjet më të mëdha të vendi siç janë Vrionët.

“I lindur më 16 mars 1916, në familjen e mirënjohur beratase të Vrionëve, Jusufi u arsimua në Paris, pas emërimit të të atit diplomat. Në vitet 1920, Iliaz bej Vrioni u dekorua me Urdhrin e Lartë të Legjionit të Nderit nga shteti francez. I shkolluar për drejtësi në Francë e Itali, intelektual i nivelit të lartë, Jusuf Vrioni u rikthye në Shqipëri në 1943.Më 13 shtator 1947 u arrestua nga regjimi komunist, me akuzën “për faje penale kundra Popullit dhe Shtetit, si anëtar i organizatës trathëtare Social- Demokrate dhe si agjent i spiunazhit Francez në Tiranë””, shprehet AIDSSH.

AIDSSH shton se “pas hetuesisë tejet të vështirë më shumë se njëvjeçare, Jusuf Vrioni u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 8 korrik 1950, me 15 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme për aktivitet spiunazhi në shërbim të Francës dhe lidhje të ndryshme me të huajt, aktakuzë e ngritur dhe firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu,. Po në aktakuzë shkruhej se: “Përpara hetuesis, ka mbajtë nji qëndrim nga më armiqësorët, duke qëndruar shumë i vendosur në rrugën e trathtisë dhe duke mos pranuar asnjë nga akuzat që i atribuoheshin, por ma e keqja asht se n’asnji mënyrë nuk përgjegjesh rreth pyetjeve që i bëheshin, duke pretenduar se këta janë pyetje pa vend dhe të shkëputura, me nji fjalë kërkonte që hetuesija të ndjeki një formë proceduriale t’atillë që dëshironte ky, dhe këtë e bante gjithmonënjë kohë kohe kur vehesh në pozita të vështira dhe kur nuk kish ndonjë bazë mbrojtjeje”. Dënimin e kreu në burgun e Burrelit”.

“Pas lirimit nga burgu dhe internimit në Fier, në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku përktheu në gjuhën frënge veprat e Ismail Kadaresë, Enver Hoxhës, libra të regjimit e propagandës…Jusuf Vrioni u ndoq për 27 vjet me radhë nga Sigurimi i Shtetit, në përpunim 2/A dhe 2/B, që nga 29.2.1964 deri më 28.04.1991, kohë kur dosja u arkivua. Në dokumentet e dosjes së përpunimit nr. 1452, citohet: “Është shtresë e pasur feudale, babai i tij ka qenë kryeministër si dhe ministër fuqiplotë (ambasador) në Francë në kohën e Zogut. Vetë ka qenë me Legalitetin dhe mbas çlirimit është dënuar me burg, si spiun i francezëve. Është anëtar i “Partisë Popullore”. Ka tendenca zogiste. Miqësi me ministrin (ambasadorin) anglez. Vrioni ka shprehur rezerva për Gjyqin Special ndaj “kriminelëve të luftës” dhe e ka cilësuar si inkompetent, “ku ligji është zbatuar arbitrarisht”, AIDSSH.

Gjithashtu, AIDSSH shton se “Ka pasur kritika për mungesë lirie të shtypit; administratë të pashkolluar, dhe ka kërkuar nga misionet e huaja që të mos e njohin qeverinë e dalë nga zgjedhjet. Po sipas raportimeve, Vrioni dyshonte në drejtësinë e gjyqeve komuniste. Sipas tij, njerëzit janë marrë në qafë për një fjalë goje, se kanë shprehur mendimin e tyre të lirë se nga torturat, të gjithë e kanë dhënë nga një fjalë. Demokracia e vërtetë nuk vendoset me burgje dhe vrasje”. Veç Vrionit, mbi 17 veta të rrethit të tij mbaheshin në vëzhgim. Dosja e përpunimit e Isuf (Jusuf) Iliaz Vrionit është deklasifikuar nga AIDSSH më 21.1.2019. Të interesuarit mund të njihen me përmbajtjen e saj, në përputhje me ligjin 45/2015”, shprehet AIDSSH/ATSH /KultPlus.com