Kadire Tahiraj morri çmimin “Guximi Vasfije”: Më motivon të jem një zë i fuqishëm i këtyre grave

Në 21 vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës u nda “Çmimi për Guximi Vasfije” për drejtoreshën e Qendrës për promovimin e të drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj, nën një ceremoni modeste, shkruan KultPlus.

Kadire Tahirajt iu nda ky çmim për kontributin e saj të vazhdueshëm ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale. Kështu ajo, në vitin 2013 themeloj Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave, e cila i ndihmon kësaj kategorie të tejkalojnë traumën.

Në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi vjetor të pranishëm ishin drejtoresha e QKRMT-së Feride Rushiti, kryetarja e bordit të kësaj organizate, Kadire Tahiraj, e mbijetuara dhe fituesja e parë e këtij çmimi Shyhrete Tahiri Sulejmani, përfaqësues i qendrës “Drejtësi për të gjithë” i cili njëherit është edhe vëllai i Vasfijes, Nafi Krasniqi dhe anëtar të tjerë të organizatave.

Në fjalën e saj hyrëse, drejtoresha e QKRMT-së, Rushiti theksoj se kjo ditë është e veçantë për shkak të 21 viteve rrugëtim të organizatës por, në të njëjtën kohë edhe për shkak të ndarjes së këtij çmimi ndaj Tahirajt për guximin.

“Këtë vit kemi menduar që përtej bashkëpunimit të vazhdueshëm që e kemi, përtej suksesit që ka treguar, ta nderojmë edhe me një çmim të veçantë për guximin e Vasfije Krasniqi Goodman, çmim ky i cili për herë të parë iu nda zonjës Shyhrete Tahiraj Sulejmani”, u shpreh Feride Rushiti.

Çmimi i guximit mban emrin e Vasfije Krasniqi Goodman, heroinës e cila për herë të parë rrëfeu publikisht historinë e saj. Sipas Rushitit, ajo u bë zëri i 20.000 grave, burrave, vajzave ku përmes rrëfimit të saj publik arriti ta zgjoj ndërgjegjen qytetare.

Shyhrete Tahiri Sulejami ishte ajo që ia dhuroj Tahirajt çmimin, duke theksuar se është e nderuar ta ketë në dorë një çmim që mban emrin e Vasfijes, e cila është një heroinë e gjallë e popullit shqiptar.

“Sot jam e privilegjuar t’ia dhuroj këtë zonjës Kadire Tahiraj për guximin, për këtë zonjë të madhe që dha shumë për neve, për gratë që kurrë asnjëherë nuk lodhen”, u shpreh Sulejmani teksa ia kaloj çmimin.

Ndërkaq Kadire Tahiraj çmoj lartë kontributin disavjeçar të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për kategoritë e dala nga lufta, teksa shtoj se ky çmim shkon edhe për bashkëpunëtorët e saj dhe për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Këtë çmim do ta mbaj me plotë përgjegjësi, më motivon të vazhdoj misionin tim në vitet në vazhdim, te jem një grua edhe me guximshme dhe të jem zë i fuqishëm i këtyre grave”, tha drejtoresha e Qendrës për promovimin e të drejtave të gruas në Drenas, Kadire Tahiraj.

Ndërkaq për Vasfije Krasniqi Goodman ajo shtoj se nëpërmjet sfidimit të vetes e shoqërisë ajo theu heshtjen. Rrëfimi publik i saj shënoj një kthesë në dokumentimin e krimeve të luftës./KultPlus.com

Kadire Tahiraj nderohet me “Çmimin për Guximi Vasfije”

Në 21 vjetorin e themelimit të saj, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ndan çmimin vjetor “Çmimin për Guximi Vasfije” për drejtoreshën e Qendrës për promovimin e të drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj, shkruan KultPlus.

Lajmin e kanë bërë të ditur faqja zyrtare e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duke theksuar se ky çmim ndahet për të shprehur mirënjohjen ndaj personave të shquar, që me punën dhe angazhimin e tyre, kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të çmuar në mbështetje të kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Këtë vit fituese e çmimit është zonja Kadire Tahiraj, aktiviste e të drejtave të njeriut, e cila me punën dhe veprimtarinë e saj ka shërbyer si model dhe inspirim për shumë gra tjera aktiviste”, thuhet tutje në njoftim.

QKRMT theksoj se Qendra për Promovimin e të drejtave të Grave në Drenas nëpërmjet udhëheqjes së Tahirajt u shndërrua në një derë shprese për shumë të mbijetuara të dhunës seksuale dhe asaj në baza gjinore.

Për të kremtuar 21 vjetorin e themelimit, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka organizuar poashtu ekspozitën virtuale “Më njih përtej fjalëve”, në të cilën do të shfaqen punimet artistike të të mbijeturave të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe gratë/fëmijët azilkërkues./KultPlus.com