Në projektin për rikonstruksionin e kalasë së Ali Pashës identifikohen gjurmë muresh dhe kalldrëme të vjetra

Identifikohen gjurmë  muresh si dhe kalldrëme të vjetra në projektin për rikonstruksionin e rrugëve të brendshme të kalasë së Ali Pashës dhe vazhdimit të shëtitores përgjatë hyrjes së kalasë, në Tepelenë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh sot se këto gjurmë muresh po i nënshtrohet studimit më të thelluar.

“Projekti për rikonstruksionin e rrugëve të brendshme të kalasë së Ali Pashës dhe vazhdimi i shëtitores përgjatë hyrjes së Kalasë, në Tepelenë, po nxjerr në dritë të tjerë elementë, që dëshmojnë përmasat dhe rëndësinë e këtij monumenti. Janë identifikuar gjurmë muresh si dhe kalldrëme të vjetra, të cilat po i nënshtrohen studimit më të thelluar”, shprehet ministrja Margariti.

Së shpejti, thekson ajo, “kalaja e Tepelenës do të shndërrohet në një atraksion të vërtetë turistik e kulturor”.

Kalaja e Tepelenës vazhdon të përbëjë një prej objekteve, e cila mbart dëshmi dhe vlera të rralla historike. E ndërtuar nga Ali pashë Tepelena, në periudhën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës, kalaja e Tepelenës është një objekt me vlera të rralla ndërtimore, por edhe një kala, e cila mbart dëshmi të rëndësishme historike.

Ajo njihet prej të gjithëve si një nga simbolet e lidhjes historike të Tepelenës me sundimtarin e njohur Ali Pashë Tepelena. Vazhdimisht, përgjatë mureve të gurta të kalasë, kullave dhe ndërtimeve të tjera prej guri, të zë syri grupe turistësh të cilët kërkojnë të prekin nga afër vlerat e kështjellës të ndërtuar nga Veziri i Janinës. /atsh/ KultPlus.com

Kalaja e Ali Pashës dhe Vasiliqisë, atraksion për turistët në Porto Palermo

Kalaja e Ali Pashës dhe Vasiliqisë në Porto Palermo është një atraksion i veçantë për turistët e huaj që në Shqipëri nuk vijnë vetëm për plazhet. Ata bëhen kuriozë në mënyrë të veçantë për historinë, por nuk kanë një cicëron që t’u japë përgjigje.

Në Porto Palermo, turistët nuk shkojnë vetëm për të shijuar natyrën dhe detin e pastër por për tu njohur edhe me historinë.

Kalaja në formë trekëndore ndodhet 30 larg bregut të detit, çka i jep asaj një pamje magjepsëse. Turistët interesohen për historinë, arkitekturën e veçantë dhe në veçanti për jetën intime të Ali Pashës.

Por për ta ndjehet mungesa e një cicëroni që mund tu jepte përgjigje për pyetjet që kanë.

“Unë kisha lexuar diçka në guidë rreth historisë së kalasë, por nuk ishte aq e saktë sa mësova prej jush. Une mendoj se është magjepsëse të jesh këtu, dhe gjithashtu pamja nga veranda ku Aliu dhe gruaja e tij kane jetuar është shume e bukur, por disa pjesë të kalasë me trazuan sepse shumë njerëz kanë vdekur atje, janë vrarë.”

Kalaja e Porto Palermos ose e Vasiliqis siç quhet ndryshe është e vizitueshme gjithë vitin.

Turistët vijnë nga e gjithë bota. Por këtë verë kanë mbizotëruar italianët.

Shumica thonë se do të rikthehen dhe do ta rekomandojnë Shqipërinë si destinacion edhe pas skandalit të dhunimit të turistëve spanjollë nga biznesmeni i arrestuar Mihal Kokëdhima.

“Po do të rikthehem dhe madje dua tu tregoj disa miqve të mi italianë që të vijnë të shohin kalanë”.

“Shqiptarët janë njerëz të këndshëm, por rrugët janë shumë të këqija. Kur ti i jep makinës në Shqipëri do përplasesh si një top futbolli”.

“Po është hera jonë e parë, ndoshta kthehemi sërish. Kemi ardhur këtu dy ditë më parë dhe nuk kemi parë shumë”.

Kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo, por dhe shumë destinacione të tjera historike, janë një potencial i rëndësishëm për vendin në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm./oranews

Inspektim në kalanë e Ali Pashës

Në kuadër të programit të mirëmbajtjes së monumenteve, Parku Kombëtar i Butrintit realizoi gjatë këtyre ditëve inspektimin dhe mirëmbajtjen e kalasë së Ali Pashës në grykëderdhje të kanalit të Vivarit.

Puna e specialistëve të mirëmbajtjes u përqendrua në pastrimin e vegjetacionit në strukturat e monumentit dhe pastrimin e rrugëkalimeve për të krijuar lehtësi në vizitueshmërinë e saj.

Kjo kala është ndërtuar rreth viteve 1807-1808, për të ndaluar zbarkimin e ushtrive franceze të Korfuzit. Kështjella ka përmasa 20 me 30 metra, me katër kulla të vendosura në qoshet. Dy kullat e drejtuara nga deti kanë planimetri rrethore, ndërsa dy të tjerat, në anë të kundërt, janë katërkëndëshe. Midis këtyre të fundit ndodhet edhe porta kryesore e kështjellës.

Një portë tjetër më e ngushtë është hapur në mesin e murit verior, në drejtim të bregut të kanalit. Mënyra e mbrojtjes së kësaj porte të tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë. Përveç dy kullave, që e mbronin nga ana e jashtme, ajo ka dhe një sistem të brendshëm fortifikimi. /ata/