Kalaja e Malathresë, një destinacion mes historisë dhe antikitetit

Kalaja e Malathresë, një destinacion mes historisë dhe bukurive natyrore ndodhet në vendin e quajtur Malathre, në një kodër rrëzë malit të Miles, në krahun e majtë të rrugës Vrinë-Konispol, midis qytetit antik të Butrintit dhe fortifikimit të Çukës së Ajtoit.

Monumenti është identifikuar dhe gërmuar nga misioni italian i vendosur në Butrint në vitet 1928-30, nga arkeologu L. M. Ugolini dhe P. Marconi, por rezultatet e tyre nuk janë botuar kurrë, shkruan ata.

Në vitet 1970, ajo përshkruhet nga arkeologu shqiptar Dhimosten Budina dhe gërmimi arkeologjik i saj u krye në fillimet e viteve 1980 nga Dhimitër Çondi. Gërmimet treguan se ndërtimi fillestar i saj daton në gjysmën e dytë të shek. III para Krishtit dhe ka një fazë tjetër ripërdorimi në periudhën romake.

Në fazën fillestare ndërtesa ka formë katërkëndore me përmasa 15 x 15 m, e fortifikuar me katër kulla në kënde dhe një oborr qëndror të ngjashëm me një peristil, të rrethuar me kthina të ndryshme.

Në ambientet e ndërtesës hyhet nëpërmjet një hyrje me hark nga ana jugore. Në periudhën romake sipërfaqja e ndërtesës zmadhohet nga veriu dhe perëndimi, për këtë arsye prishen kullat anës veriore dhe ruhen vetëm kullat e anës jugore si dhe hyrja me hark.

Emri i saj Kalaja e Malathresë është një toponim i vonshëm, siç vërtetojnë studimet e viteve të fundit ajo ka luajtur rolin e një ferme antike të fortifikuar e transfomuar në një Vila Rustika gjatë periudhës romake dhe ka shërbyer si rezidencë rurale e një qytetari të pasur të kohës, ndoshta pronar tokash bujqësore në fushën antike të Kestrinës.

Gërmuesi i saj Çondi, ka parashtruar hipotezën se ajo mund të identifikohet me Amalteun vilën e Pompon Atikut, mikut të Ciceronit. Kjo hipotezë mbështetet tek një argument gjuhësor, që e shikon emrin Malathre si metatezë të emrit Amalte, megjithatë nuk ka dëshmi epigrafike që mund ta mbështesin këtë tezë.

Ferma antike e Malathresë për arkitekturën dhe formën planimetrike është një monument i veçantë, që nuk gjen paralele në territorin Kaonisë, por edhe më gjerë në botën antike.