Kalaja e Novobërdës rrezikon të shembet

Muret e saj kanë pësuar çarje të mëdha edhe pse është në fazën e saj të renovimit.

Fotot e publikuar nga Sali Shoshi, Drejtori Ekzekutiv i Organizatës për Trashëgimi Kulturore pa Kufi.

“Hala kurgjo skemi pa në Kalanë e Novobërdës – këto çarje në krejt strukturën e saj kallxojnë që Kalaja shpejtë ka me ra përtokë. Miliona Euro të #EU të shpërdorume nga #UNESCO “.

Bashkimi Evropian i ka ndarë mjetet për renovimin e kësaj kalaje.

Një kompani nga Serbia është përgjegjëse për kryerjen e punimeve të restaurimit.

Për shkak të neglizhencës nga ana e punëkryesit “Kalaja e Novobërdës” rrezikon të shembet. Klan Kosova/ KultPlus.com


Kompania serbe fillon shembjen e Kalasë së Novobërdës me eskavator (VIDEO)

 

Në vitin 2015, UNESCO i kishte dhënë për restaurim Kalanë e Novobërdës kompanisë KOTO nga Beogradi.

Pas një pune 3 vjeçare e cila ka kosto mbi 1 milion euro, kalaja fillon të shkatërrohet gradualisht.

Pas këtij skandali rifillon restaurimi i cili ka qenë i mbikëqyrur nga IKMM. Ky institucion duke parë këtë skandal të rrënimit të mureve me eskavator nga kompania serbe, me vendim ka ndërprerë të gjitha punimet.

Përkundër kësaj punimet vazhdojnë ende duke mos respektuar vendimin e IKMM. / KultPlus.com



Restaurimi i dështuar i Kalasë së Novobërdës

Gjendja e Kalasë së qytetit të Novobërdës, që ndodhet 35 kilometra në jug-lindje të kryeqytetit të Kosovës, është e mjerueshme.

Kjo trashëgimi kulturore e vendosur në një kodër prej 1 mijë e 124 metra mbi nivelin e detit, dita e ditës po shkatërrohet. E kjo sipas njohësit të turizmit kulturor, Sali Shoshit po ndodhë si pasojë e përdorimit të materialit jo adekuat për restaurimin e Kalasë.

Shoshi ka reaguar në llogarinë e tij “Facebook” duke publikuar disa fotografi ku pasqyrohet gjendja e Kalasë së Novobërdës dhe materiali i cili është përdorur. “SOT 3 vjet pas po shihen pasojat e përdorimit të materialeve të gabuara. Fatkeqësisht në këtë projekt kanë qenë të përfshirë aktere të rëndësishëm: #UNESCO, #EUROPEANUNION dhe Institucionet tona. Marre është me punu”, kishte shkruar Shoshi në llogarinë e tij “Facebook”.

Sali Shoshi, drejtor në trashëgimia Kulturore ” pa kufi” (CHwB), sot në një prononcim për portalin rtv21.tv vlerësoi se restaurimi në rastin e Kalasë se Novobërdës ka dështuar i gjithë zinxhiri që planifikon, realizon dhe mbikëqyrë punët.

“Siç po shihet aty janë përdorur materiale jo adekuate dhe mbase është punuar në mot të papërshtatshëm dhe si rrjedhojë materiali lidhës ka dështuar duke shkaktuar rrëshqitje dhe shembje të gurëve. Kjo tregon që gjatë realizimit ka pasur shkarje në analiza dhe aplikim të materialeve si dhe në mbikëqyrje të punëve”, u shpreh njohësi i turizmit kulturor.

Nga gjetjet arkeologjike dhe dokumentet, ky vendbanim daton të jetë ndërtuar në shekullin XIV./ KultPlus.com