Karnavalet në Gjirokastër, paradë me maska dhe muzikë

Gjirokastra u vesh sërish me ngjyrat dhe ritmin e karnavaleve këtë fundjavë,  një festë popullore e rikthyer 3 vite më parë pasi kishte munguar për rreth shtatë dekada.

Tradicionalisht ky ritual pagan zgjonte qytetin nga plogështia e dimrit dhe i dedikohej purifikimit dhe rifillimit të jetës.

Vetëm katër fotografi historike i kanë mbetur qytetit sipas studiuesit Ilir Lluri nga fillim shekulli i kaluar por memoria historike e festës që ka pasur tërësisht identitet lokal është duke u dokumentuar.

Karnavalet e kanë ndryshuar paraqitjen vizuale por jo përmbajtjen. Festa dy ditore ofroi një paradë të maskave, muzikë tradicionale, banda muzikore për orët e mbrëmjes, kulinari të stinës, dhe larmi aktivitetesh në natyrë.

Këtë vit vizitorët po mbërrijnë që prej fillimit të marsit në Gjirokastër çka flet për një sezon të mirë turistik por qytetit ende i mungon planifikimi afatgjatë i eventeve si karnavalet, festave lokale apo panaireve dhe koordinimi me operatorët turistikë për t’i promovuar më mirë eventet./TopChannel/ KultPlus.com

Atmosferë speciale e karnavaleve në rrugicat e kalldrëmta të Gjirokastrës

Karnavalet ishin kryefjala e kësaj fundjave në qytetin e Gjirokastrës shoqëruar  me një program të larmishëm aktivitetesh organizuar nga Bashkia.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga atmosfera festive në qytetin e gurtë.

“MIRËMËNGJES , dhe me atmosferën speciale të karnavaleve në rrugicat e kalldrëmta të Gjirokastrës, ju uroj një fundjavë të bukur”, shprehet Rama krahas fotove.

” Festa e karnavaleve” ka përfshirë organizimin e paradës së fëmijëve me kostumet shumëngjyrëshe në rrugët e kalldrëmta, koncerte artistike, çeljen e ekspozitave fotografike me imazhet e karnavaleve në vite, ekspozita në pikturë, promovimin e vlerave të traditës, folkut, kulinarisë artistike, etj.

Aktivitetet janë zhvilluar në zonën historike duke tërhequr turistët si dhe në pjesën moderne të qytetit. Sipas kryetarit të bashkisë Flamur Golemi,  Bashkia e Gjirokastrës nëpërmjet këtyre aktiviteteve bëri të mundur rikthimin e organizimeve në Festën e Karnavaleve, e cila është një traditë e veçantë për qytetin.

“”E kemi konceptuar këtë festë edhe për ti shërbyer gjallërimit të qytetit, promovimit të vlerave të tij dhe tërheqjes së grupeve turistike”, shprehet kryebashkiaku Golemi. Organizimi i karnavaleve synon të kthehet në traditë të përvitshme në Gjirokastër.

Gjirokastra ka festuar karnavalet që në vitet  ’20 – ’30, e dëshmuar kjo edhe nga fotot historike ku kostumi tipik i kësaj dite ishte ai tradicional i zonës, fustanella labe.

Kjo festë u rikthye 2 vite më parë pas më shumë se 6 dekadash mungesë./atsh/ KultPlus.com

Tradita e karnavaleve rikthehet në Gjirokastër pas 60 vjetësh (FOTO)

Tradita e karnavaleve në Gjirokastër, e ndërprerë në vitet e diktaturës u rikthye për herë të parë pas 60 vjetësh në qytetin e gurtë.

Nxënësit e shkollave, qytetarë gjirokastritë, por edhe nga qytete të tjera të vendit parakaluan në zonën muzeale me madhështi me kostumet e tyre shumëngjyrëshe duke sjellë një atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.

Bashkia e Gjirokastrës thekson se “kjo festë është një ritual i hershëm, që njerëzit e organizonin në këmbim të stinëve. Paraardhësit tanë e kthenin në gëzim, rit, këngë, ngjyra, maska, kostume dhe festë, ikjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës”.

“Meritë, falënderime dhe mirënjohje nxënësve të 10 shkollave të bashkisë. Sot Gjirokastra nuk solli thjesht një festë, por ringjalli një traditë të hershme që në Gjirokastër ka një emër të veçantë Dita e Prosopullave”, – tha bashkia.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha se “rikthyem në Gjirokastër një aktivitet që mungonte prej dekadash. Këtej e tutje do ta zhvillojmë vit pas viti për t’i paraprirë ndërrimit të stinëve dhe rigjallërimit të natyrës. Faleminderit të gjithëve që u bëtë pjesë e festimeve në këtë ditë të parë. Festa vazhdon edhe sot në mbrëmje dhe ditën e nesërme. Mos mungoni”.

Kjo festë do të zgjasë edhe nesër, ku qytetarët do të shijojnë ushqimin, pijet, zbavitjet, muzikën dhe argëtimin që do përmbyllet me djegien simbolike të një dordoleci prej kashte në qendër të qytetit.

Në pikëpamjen fetare karnavalet janë ditët e fundit para fillimit të kreshmës së Pashkëve. Kjo dukuri me kalimin e viteve mori karakter laik dhe u shndërrua në një festë popullore, ku për një ditë të vetme njerëzit veshin një maskë dhe realizojnë një përmbysje të përkohshme e statusit dhe hierarkive sociale./atsh/ KultPlus.com