‘Kanga e Ajshes’, kënga e një të vërteteje të historisë sonë shqiptare


Shkruan: Gresa Nitaj

Konteksti:

Kënga i përket viteve të ‘50 dhe ’60-ta dhe përkon me kohën kur ndodhi shpërngulja e tretë e shqiptarëve për në Turqi ku kishin ikur qindra mijëra njerëz, duke mos mundur t`i duronin vuajtjet, përsekutimet, burgosjet dhe vrasjet që i bëheshin vazhdimisht popullit të Kosovës. E fati i një familjeje shqiptare që mërgoi në një tokë të huaj, paraqitet përmes kësaj kënge folklorike, e cila përmblidhet me 22 minuta dhe 14 vargje gjithsej.Gjuha që përdoret në këngë është gjuha popullore, dialekti gegë.

Kënga është kënduar me çifteli nga rapsodë të ndryshëm shqiptarë. Kontekstin e këngës e përbëjnë situatat e caktuara shoqërore dhe historike si: shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, besa dhe rezistenca e vajzës shqiptare, si dhe mesazhi i atdhedashurisë.

Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, masat ndaj shqiptarëve të Kosovës filluan të ashpërësohen edhe më shumë, kështu duke ua vështirësuar jetesën e tyre në tokat shqiptare. Andaj, duke u gjendur në këto rrethana, shumë shqiptarë mërgojnë në Turqi, Itali dhe nepër vende të ndryshme të Europës.

O luftat lan mor e pasoja mrapa

O lan germina edhe k’thepa drapa

O lan luaj mor paj ujqe a riee

O lan kulshedra edhe lan gjarprie

O krokodila paj edhe qiklopa

O gjith mejnxi mor poj durojke toka

E miza grajza edhe milingoja

O na helmun mor paj buken te goja

O pra kshu vllazen ka vujt shqiptaria

O nga teradhtari edhe nga tradhtiiaaa

O iken poplli e mor prej mjerimit

E muren rrugen oo te mergimit

E prej gazepi e se jo prej frige

O lan vendlindjen e mor heroike.

Fatin e njëjtë e pati edhe Azem Mala nga Rugova e Pejës, i cili nuk mundi ta duronte më tej mjerimin dhe mori udhën drejt rrugëve të Turqisë. Ai së bashku me familje u zhvendos atje dhe filluan ta ndërtojnë jetën e tyre në kushte jo shumë të mira ekonomike.

‘’O n’Stamboll shkoj e zun ni shpie

Shkoj e zur mor paj ni kolib t’keqe

Omerr rrug tjeter e po leqe leqe’’

Besa e vajzës shqiptare

Azem Mala kishte një bijë, Ajshen, e cila është edhe protagonistja kryesore e kësaj kënge. Në periudhën për të cilën po flitet, Ajshja ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçare, ishte vajza e vetme dhe shumë e dashur për familjen e saj. Ajshja, shtatlartë, e bukur dhe e mençur pavarësisht se po jetonte në Turqi nuk po ambientohej me vendin e huaj, ajo prapë se prapë mbante gjuhën dhe traditat shqiptare. Ajshja i kishte kërkuar prindërve lejen për të shkuar deri tek axhi i saj për ta vizituar, meqënëse ndihej e vetmuar.

‘’O poshkoj pak unë se po du mej pae

E nuk pomrrihet o mor Bab n’vetmie

O rreth e reth pojthot k’tu Turqelie

Edhe gjuhen joo mir spedie

O edhe me dite thot jo nuk ka randsie

Sado mir mor thot me dit Turqishten

Kurr per jet une se harroj kuqishten

As vendlinjen jo mor as Rugoven

Kurr perjet o se harroj Kosoven’’

Përpara se të marrë udhën, vajza e kërkon izën nga babai dhe nëna. Prindërit e këshillojnë që të ketë kujdes rrugës, meqë aty janë në një vend të panjohur e nuk janë në Kosovë dhe se rreziqet nuk mungojnë. ‘’
O bija babit e ja pa quraten

Ec per drit oj bi bre mos ec naten

Ec me mend mor he se ka hendeqe

Mos po ngjan mor kun naj kund e keqe 3 E ruje nderin e po Ajshe bie

O mali madh mor jo nuk asht pa thie’’

E Ajshja i jap besën, që pavarësisht gjithçkaje do t’a ruajë nderin dhe moralin e saj.

‘’E unë po ja tham mor po ni fjal dvertete

O f’tyra ime jo nuk shitet lete

Jam Malsore edhe jam Shqiptare

O nuk e shes unë f’tyren me pare

As me lira jo mor as me are

O mir u pafshim po thot faqe bardhe’’

Rezistenca e vajzës shqiptare

E udhëtimi Ajshjes nuk i shkoi ashtu siç ajo e kishte menduar. Teksa po kalonte rrugët e Turqisë, me plot hare ,që përmes përshkrimit në këngë i ngjason porsi një lule pranvere, asaj i ndalet një veturë nga mbrapa, me katër persona brenda, që fillimisht tentojnë ta bindin Ajshen me fjalë që të shkojë me ta, e kjo e fundit refuzon. Ata me dhunë e futin brenda në veturë dhe tentojnë ta dhunojnë seksualisht. Përsëri Ajshja reziston deri në momentin e fundit, madje edhe duke i sulmuar ata. Kështu ata duke e parë mosbindjen e saj, e sulmojnë me thikë për vdekje Ajshen, përderisa fjalët e fundit të saj ishin:

‘’Kurr malsorja nuk koritet

Gjaku im falet nuk shitet

Oj ra shkelma e grushta ngoj

Zgatarroshin e paloj

Ej kara tjetrit me krye

T’re dhomadh ja kishte thye

Jam malsore sejap nderin

O ne surat o ekapshty shoferin’’

Mesazhi i atdhedashurisë

Vrasja mizore e bijës iu kushtoi rëndë prindërve të Ajshes. Në njërën lokja e vajtonte bijën e vetme që i iku në këtë mënyrë, e në anën tjetër i ati që mallkonte armiqtë dhe fajësonte vetën për këtë gjë, që sipas tij, ‘i ka vra buka e Kosovës’ meqenëse këta e lëshuan vendin e tyre. Kënga përmbyllet me lajmin që ua dërgon Azem Mala vendasëve të tij, dhe në të njëjtën kohë lajmi shoqërohet me mesazhin e mallit për Kosovën, pra me mesazhin e atdhedashurisë.

‘’Shoke vllazer mushni men

Mos lakmoni ntjeter vend

Mos lakmoni n’pun te kota

Me q’ka sod nuk mirret bota

Rune vendin dhe atë dhen

Ju matmir keni folen

Keni forcen dijunin

Ne mes veti o dashunin’’

Analizë kritike e këngës

Kënga e përbërë nga 14 vargje, arrin të reflektojë një të vërtetë te historisë tonë shqiptare. Fillimisht nis me të vërtetën historike, me largimin e shqiptarëve në Turqi pas trysnisë së regjimit jugosllav. Kënga pasqyron edhe mënyren e jetesës së shqiptarave atje, që pavarësisht rrethanave, arrijnë t’i ruajnë vlerat dhe traditat e vendlindjes.

Kënga ngrit lart edhe moralin e vajzës shqiptare, që gjithmonë ndër histori ka qenë shembull i sakrificës, rezistencës dhe bujarisë. Kjo dëshmohet edhe përmes Ajshjes, që edhe pse e re në moshë, më para zgjodhi vdekjen, sesa të ç’njerëzohet nga një i huaj. Ajshja e mbajti edhe besën e dhënë tek prindërit, parim ky shumë i rëndësishëm në kulturën tonë.

E pjesa e tretë, që është edhe pjesa më kulminante e kësaj kënge është mesazhi të cilin e përcjell në fund i ati i Ajshjes. Këtë mesazh ai ua drejton të gjithë popullit të Kosovës, veçanarisht të rinjëve, që mos ta braktisin vendin e tyre sepse sipas tij ‘’Buk e krypa atë dheut tuj, Asht si mjalt n’kët vend te huj’’. Ai nuk iu kërkon të mbajnë zi për vajzën e tij, por që t’i mbledhin mendtë dhe të qëndrojnë në Kosovë të bashkuar, dhe t’i rezistojnë armikut, mos të veprojnë sikur ai, sepse një ditë vendi jonë mund të na hakmerret.

E ky mesazh vlen edhe sot, sepse edhe sot ne jemi dëshmitarë të largimit të shumë të rinjëve nga Kosova, duke kërkuar një jetë më të mirë. / KultPlus.com