Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore do të shuhet me ligj

Iniciativa për ta shuar Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore është konkretizuar edhe me një Projektligj. Është projektligji për plotësimin e ndryshimin e Ligjit për trashëgimi kulturore, në të cilin parashihet që KKTK-ja do të pushojë së ekzistuari e stafi administrativ të vendoset në kuadër të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.

I hartuar nga Ministria e Administratës Publike, Projektligji ka për bazë koncept-dokumentin për valën e parë të racionalizimit dhe vendosjes së vijave të llogaridhënies për agjencitë të cilat funksionojnë në Kuvendin e Kosovës. Ky dokument përfshin edhe tetë agjenci të tjera që veprojnë nën ombrellën e Kuvendit, e të cilat pritet të kalojnë nën përgjegjësinë e Qeverisë.

Krejt kjo do të jetë në kuadër të procesit të reformës së Administratës Publike, që është edhe detyrim i një kontrate në nënshkruar nga Qeveria e Kuvendi me Komisionin Evropian.

Sipas Projektligjit, me hyrjen e tij në fuqi pushon mandati i anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe ky organ i Kuvendit të Kosovës shpërbëhet. Ndërsa, sa i përket stafit administrativ të KKTK-së, Projektligji përcakton se ata vazhdojnë ta kenë statusin e nëpunësve civilë dhe transferohen në Departamentin për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, sipas Ligjit aktual për trashëgimi, është organ i Kuvendit të Kosovës, i cili rolin kryesor e ka të vlerësojë asetet e trashëgimisë kulturore që janë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme, nëse ato kanë vlera që të jenë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.

Të gjitha kompetencat e KKTK-së do të transferohen në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në MKRS.

Por stafi ekzekutiv i KKTK-së është duke kundërshtuar shuarjen e organit ku punojnë. / ndertimi info / KultPlus.com