Këshilli i Prindërve kërkon që organizatat ndërkombëtare të reagojnë që greva të ndërpritet

Këshilli i Prindërve ka kërkuar që mësimi të fillojë sa më shpejt. Kështu ata e kanë falënderuar UNICEF për thirrjen që ky proces të nis.

“Jemi mirënjohës organizatës UNICEF që ka kërkuar fillimin e menjëhershëm të procesit mësimor në Kosovë, duke sqaruar edhe dëmin e madh që po i bëhet të ardhmes së fëmijëve”, thuhet në njoftim.

Ky këshill thotë se do të donin që edhe organizata tjera ndërkombëtare të reagojnë.

“Do të donim që reagime të tilla, në mbrojtje të së drejtës kushtetuese të fëmijëve tanë për edukim e arsimim publik, të kishim edhe nga organizata e përfaqësi të tjera ndërkombëtare që zakonisht reagojnë për çështje shumë më pak të rëndësishme”, vazhdon njoftimi.

“E 22-ta ditë që rreth 320 mijë fëmijë nuk mund të shkojnë në shkolla! Hapini shkollat ose çregjistrohemi”, përmbyllet komunikata e Këshillit të Prindërve. /Express / KultPlus.com

Këshilli i Prindërve kundërshton përfundimin më të shpejtë të gjysmëvjetorit

Këshilli i Prindërve të Kosovës nuk është pajtuar me vendimin e Qeverisë Hoti, që gjysmëvjetori i parë nëpër shkolla fillore dhe të mesme të përfundojë 10 ditë më herët.

Këshilli përmes një komunikate për media, ka konfirmuar se lidhur me këtë vendim nuk është konsultuar fare nga Qeveria e vendit.

“KPK-ja konsideron se gjendja e pandemisë nuk e ka rënduar procesin mësimor sa për ta marrë qeveria një vendim të tillë, i cili fare nuk shkon në interes të nxënësve ngase viti shkollor ka filluar me vonesë, punohet me orar të shkurtuar dhe se interesi i nxënësve është që sa më gjatë të qëndrojnë në proces mësimor dhe jo të pushojnë pa nevojë 1 muaj”, thuhet në një komunikatë për media.

Pushimi, sipas vendimit të qeverisë do të zgjasë deri më 18 janar dhe është marrë për shkak të situatës me koronavirus.

Kujtojmë se që nga marsi kur u shënuan rastet e para me Covid-19 në vend, procesi mësimor është mbajtur në formë të kombinuar, online dhe përmes orëve të shkurtuara në shkolla. / Gazeta Express/ KultPlus.com