‘Shko zbathur para derës së Ramushit e lyp kundra, shko zhveshur para presidencës e lyp tesha nga Hashim Thaçi’

29 arsye për të protestuar vajzat e djemtë / Kimete Berisha

1. Migjenin nuk e njihni besoj, dhe s’keni kohë deri nesër m’u njoftu me të, në mënyrë që ai me ju frymëzu me dalë në protesta.
Edhe ashtu kalu koha kur ka qenë në modë me ditë vjersha, budallaki e atij zamani, i përshkllijshim librat me pasul, aq të flaktë kemi qenë me nxan dije, sa as pasuli nuk na ndante nga librat, po hangshim pasul me libër në prehër, dhe veç naj ngelaç se s’ka pas nxanës i mirë që nuk e ka pas librën edhe si një lloj sofrabezi.
Ajo kohë ka kalu.

2. Jeni nguju në instagrama e chata, tuj lyp dashni e shoqni, por kur e hapni frigoriferin me lyp me hongër, gjeni tegllën e turshisë së vitit të kaluar (se sivjet veç Pacolli se s’ka kush mundësi materiale me shti turshi).
Nuk lypni punë e bukë, po lypni online lumturi, e cila nuk ekziston, ju garantoj se nuk ekziston lumturia, e edhe sikur të ekzistonte, nuk do të mund të mbijetonte pa bukë.
S’mundesh me qenë i lumtur dhe i uritur;
i lumtur dhe i shkelur; i lumtur dhe i nënçmuar. Fshije atë ide.
Dashnia dhe lumturia si koncepte letrare nuk janë strehë ku fshihet realiteti që për njerëzit e ndershëm gjithmonë është realitet i poshtër.
(Në protesta mund të lind edhe dashuria. Si vajzë e vogël i mbajë mend tregimet e plakave, dever dynjaja, që thonin se filanja e fistekja kanë dalë në protesta të 81′ e 89′ me lyp burrë, demek kur i kanë pa meshkujt patriote janë nxe n’to. Tybe s’besoj që ka bash këso tregimesh të poshtra te popujt tjerë).

3. Më lehtë është me protestu kundër njerëzve të poshtër sesa m’u bë vetë i poshtër.
Nëse nuk bëhesh ‘si ata’, ti bëhesh viktimë e tyre. As drutë nuk i ke ble.
Shtrejtë. U mërdhive. Pranoje, se edhe ti, si unë, po rrin në shpi i mbulum me çebe, i veshur me mont e me tlina.
Pranoje dhe mos t’vjen marre.

4. Çu, mbroje shtëpinë tënde nga i zoti i saj zullumçar.
Çka është gjithë ky ‘lezet’ i Hashim Thaçit dhe i qeverisë me Vuçiçin e Millosheviçit.
S’ka mëkat më i madh se me qenë zullumçar dhe s’ka fatkeqësi më të madhe se me pas punë me zullumçar.
Mos ia blejë Serbisë qumshtin, bukën, kosin, o aman le të vjen inati, mos ia blej bile pasulin e drutë, bojkotoje se askush nuk ta ndalon.

5. Çu prishjau rehatinë, qysh ta kanë prishë ata ty, të kanë lënë të varfër, garib e të mjerë.
Çu pasoje mjerimin te ta.

6. Menzi i gjen dikund 50 centë për një kafe në ditë. Ose ti çon naj vëlla prej gurbeti. A është kjo jetë!

7. Menzi i bën dy çorapë bashkë, herë ta mbath njërën vëllai e herë motra;

8. Edhe në kohë tonën, e pritshim njëri-tjetrin vëllezërit e motrat derisa te përfundon mësimin njëri, që me na lëshu rendin e jaknes tjetri, kqyrshim nga ballkoni derisa çelet dera e oborrit o Zot e na vjen rendi me vesh jaknën që me nxan mësimin.

9. Sikur të kishte drejtësi, të kishte njerëzi dhe rend në këtë vend, ju nuk do të kishit qenë të varfër dhe të pafuqishëm për t’i bërë duart grusht.
Nuk do të kishit qenë të varfër sikur të mos ju kishte vjedhur qeveria.

10. Ata i kanë punësu varg e vijë farë e fisin e tyre, shoqninë e bandat e tyre, gratë e dashoret e tyre; ata ju japin rroga kurvave e kurvarëve të tyre që kurrë nuk dalin në punë.

11. Është zor ta çosh në këmbë një njeri depresiv. Çfarë poezie çfarë bakraçi bën punë.
Ju (edhe ne më të moçmit) gati të gjithë ne jemi të mërzitur dhe gati-gati të dorëzuar.
Për të dalë në protestë duhet të shërohemi më parë nga trishtimi e pikëllimi. Jemi të dorëzuar.
Zoti s’ka thënë kështu.

12. Nuk ka tmerr më të madh që i ndodh një vendi sesa kur i sëmuret populli shpirtërisht;
Çu protesto pse po turpërohet veterani i shkretë dhe po përlyhet lufta e UÇK-së!

13. Çu në këmbë kundër njëfarë Rashitit (Zoti e marroftë) që sillet si Enver Hoxha dhe ua ndalon policëve Zotin.
Çoje te shpija atë manjak. Po ku guxon halli i tij me ia ndalu dikujt me shku në shpi të Zotit.
Po mundohen m’i hy në prapanicë Amerikës me ateizëm, Amerika e ateizmi nuk shkojnë o bal, Amerika moto të veten zyrtare nacionale e ka thënien ‘In God We Trust’ (që e mban edhe në krye të ndërtesës së senatit).
Prandaj, është e para në botë për gjithçka, sepse beson në Zot, para se ta konsiderojë si ‘Rashiti’ veten ‘Zot’.

14. Çu kundër profesorit që të zhagit e ta humb afatin e provimeve veç për shkak se i pëlqen me t’pa edhe në një afat, e edhe në një tjetër. Çu ndala turrin, tharbja hundën.

15. Çu kundër atij që ta nxin jetën; ti numëron të metat dhe gabimet, të fajëson për dembeli dhe s’të lë kurrë me dhënë mendim.
Sa herë i tregon hallet e tua, ti minimizon, e ti bën si ‘kurrgjë’ hiç.
Kurrgjë hiç qenka mërzia jote.
Çu hiqe nga vetja mërzinë e përplasja hundëve mërzinë tënde Ramushit për shembull.

16. Çu kundër atij që s’të thërret me emër, po të ngjet nofka e të thërret me emra të njerëzve të dështuar;

17. Çu kundër elementeve kriminale në sistemin e drejtësisë.
Pyet se si bën që Maqedonci të bëhet cinik, o Zot more çfarë darvilli, përdorë gjuhë sugjestive, dhe luan me mesele, kur nga ai pritet të flas me gjuhë juridike.
Kush ja ka dhënë atij gjithë atë fuqi sa me ba humor me arrestime, me hakmarrje e me Kanun!
Dhe pyeti hetuesitë se sa raste ‘i heshtin’ ata me urdhërin e prokurorëve dhe bandave kriminale që i kanë rrasë hundtë gjithkah në institucionet e drejtësisë.

18. Çu për fëmiun që nuk ka siguri në vendin e punës; që nuk ka të drejtë m’u pëshurr sa herë i pshton shurra, se dugojtë e kriminelëve formojnë komision për me ja jap punëtorit lejen me shku në WC.
Shumë djem kanë treguar se kur kanë kryer punë fizike te disa komandantë dhe i kanë lyp paret për punën e tyre, kanë hëngër dajak ‘qysh guxon ti komandantit m’i lyp pare’!

19. Mos lejo mos me ta kthy kusurin.
Çu çartu për centat që çdo ditë t’i vjedhin të gjitha dyqanet pa përjashtim.
Pse haptas na vjedhin e qeveria s’i ndal. Pse i lejojmë të pasurohen me varfërinë tonë.
A jemi normal?!

20. Kujtoje Zotin dhe beso e krenohu me veten dhe me rriskun tënd, kujtoje se qysh vjen dita e ua bën Zoti haram hajnave bukën e gojës.
Kur i tubojnë milionat, vjen puna e nuk i gëzojnë, sepse u del sheqeri, kripa, yndyra që ua mtrash gjakun dhe ua ndalon me hëngër e me gëzu ‘hajninë’ e tyre.

21. Protesto pse për me ble një pallto me astar duhet me hy në kredi, dhe pse krejt jetën ke punuar e nuk ke pare një nevojtore me maru.

22. Bëhu vetjak, duaje veten, dashurohu në vetveten, se nuk e ke askend më të ngatë, mos prit që ta bjen dikush te dera drejtësinë, ti je njësh, beso, si ti nuk është kurrkush, je i veçantë, askush mbi këtë tokë nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë si ti.

23. Si shtëpinë tënde nga hajnat, mbroje Kosovën nga qeveria e saj.
Shteti është i joti, jo i Ramush Haradinajt.
Jo i Hashim Thaçit. Fëmijët e tyre hanë me lugë të dukatit.
Pyet pse! Bërtitë. Refuzo. Rrotulloje.

24. Erdh vjeshta.
Shko zbathur para derës së Ramushit e lyp kundra të reja.
Shko zhveshur para presidencës e lyp tesha nga Hashim Thaçi;
Bëhu i gjallë.
Protesto për çfarëdo padrejtësie që të bjen në mend.
Protesto për naj padrejtësi ‘100 vjeçare’. Protesto thjesht veç pse nuk ndjehesh mirë.

25. Protesto pse pleqve t’u krejt pensioni u shkon në ilaçe, kurse pleqtë e qeveritarëve shërohen nëpër spitalet më të shtrejta.
Pse gjithë kjo padrejtësi;
A ka thënë Zoti kështu, i keqi mos me pas kufi!
Vëja kufirin qafirit!
Qitja gurin.

26. Protesto për vajzat e nuset që i kushtëzojnë me seks për një vend pune dhe lyp m’u depolitizu administrata.

27. Shko prekja dorën Pacollit dhe tregoji rrastë çka është prekja e vërtetë, le ta kupton a më e rëndësishme është prekja e popullit tënd a e Donald Trump.
Kur t’ia prek dorën, mundesh edhe me ja picku.

28. Çoji në rr.s. këta kriminela, këta hajna, këta dhunues.
Këta s’janë kurrkushi. Mos ua rras se s’kanë çka me të marrë tjetër, ti kanë marrë të gjitha.

29. Çu, kfillu, mos e rrej veten me fotografi, mos i këqyr nëpër rrjete sociale njërëzit e smutë psikikisht, ‘këngëtare’, manikene e turli idioti kah e jetonë jetën e tyre të pasur (që nuk u dihet donatori), po ndërtoje tënden, së pari shëroje veten nga mërzia, çu në këmbë dil nga shtëpia dhe mbroje shtëpinë tënde, mbroje veten, bukurinë tënde, trupin tënd, shpirtin dhe rininë tënde.
Zoti është me ata që i thonë të keqes Jo.

P.S. Kimeten, nesër kismet e keni mbas vetes.

Gruaja shqiptare më së shumti lodhet gjatë pushimeve verore

Nga Kimete Berisha

Çdo grua, më me qejf do të kishte shkuar në det me shoqe, me motra e me kushërira sesa me burrin e saj. Roli i robëreshës dhe i shërbëtores së pagojë, spikatet dhe vjen në shprehje sidomos gjatë pushimeve verore.

Ende është vetëm ide në ajër, kur fillon drama për datën kur do të shkojnë në det…pastaj kjo temë zgjerohet dhe kërkohet përgjigja në pyetjen ‘ku do të shkojmë sivjet’.

Burri pyet-burri përgjigjet. Përmenden të gjitha vendet e mundshme bregdetare, e në fund vendoset të shkohet në vendin e njëjtë ku kanë qenë vjet, dhe me t’u kthyer kanë bë be e rrëfe se më në atë vend nuk do të shkojnë përjetë.

Pasi merret ky vendim i burrit (në prani të gruas), situata familjare për disa ditë (nga jashtë) duket e qetë, por përbrenda vlon shpirti i çiftit ‘pushues’ të cilët pyesin veten ‘a shkohet more o Zot në pushim me këtë njeri’!

(Sa herë kam bë be rrejshëm;
E sa herë Zoti më ka vra)

Gruaja i përgatit valixhet për të gjithë, i tubon rrobet dhe gjësendet e të gjithë anëtarëve të familjes. Pa e harruar ‘bicin’ e burrit dhe numrin e brekëve të mjaftueshme për të.

Pasi që sigurohet se s’ka harruar gjë, e mbyll valixhen vet, ulet përmbi të në dy gjunjë dhe i jep zor, derisa shlitzi puthet me shlitzin.

Çohen herët në mëngjes, se duhet me shfrytëzu diellin. Gruaja çohet e para, qet kafet, përgatit mëngjesin, i bart bashkë me ‘shokun’ valixhet dhe në rrëmujë e sipër (mo’ Zot e ka harru plloqën e shporetit lshut; mos e ka harru çeshmen lshut, kthehet edhe një herë, e ndez dritën e ballkonit për t’u lënë përshtypje të rreme hajnave sikur është në shtëpi, e s’ka shkuar në det.

– A e mbylle derën- pyet burri!
– Po, e mbylla – përgjigjet ajo!
– A je e sigurt – ia kthen ai!
– O po, po…a të kthehem edhe një herë ta vërtetoj…

Dhe, kështu nisen, duke i thënë ai-asaj: ‘Ishalla s’na pa kush nga kojshitë, duke dalë nga banesa. Se m’u pas nis ti atëherë kur t’thashë unë, krejt n’gjumë i kishim lënë…po ti pa u vakarru ti është e pamundur!’

Kur më në fund nisen i përshkon një ndjenjë lirie, një ndjenjë çlirimi. Dhe, nëse nuk dinë vetë të këndojnë, lshojnë muzikë në radio, dhe për një çast duken të lumtur, jo si njerēz që po shkojnë diku të pushojnë, por si njerëz që po shkojnë diku të argëtohen.

Çdo gjë shkon mirë në këto momente, këngë mbas kënge, nuk ‘shpëtojnë’ pa u kënduar ‘Në bankat shkollore moj m’ike’, ‘Moj zeshkanja ime’, ‘ Niset trimi për gurbet’, ndërsa kur mbërrijnë në autostradë është e pamundur mos m’u gjend në kerr dikush që e këndon këngën ‘O moj Shqipni, e mjera Shqipni’, sikur që është e pamundur të kalosh kah Shkodra e të mos e këndosh ‘Shkodra ka plot dashuri’, apo të kalosh ditëm drekë kah Korçka e të mos këndosh ‘Kur nata Korçën e mbulon’!

Në autostradë fillon nervoza e shoferit e cila nervozë shtrihet deri në fund të rrugës.

Si shofer, s’të hiqet kurrë shqetësimi se mos të lë kerri n’rrugë!

– A ka mjaft vaj?
– A po më duket njëra gomë është shfry?
– Kur po e shkel kfaqillën po më duket sikur s’është diçka në rregull me të?
– Nuk po ngreh në përpjetze!
– Me mbet në rrugë kanë me thirrë!
– Na shkojnë krejt paret e pushimit m’i ndreq kerrin!
– Ani këtu në Shqipëri m’u bë myftjaq, këta janë hajna!
– E kam një vëlla në Morenë,…jo, më mirë m’u kthy e me dështu pushimi sesa m’i bë telashe vëllain.

Fëmijët me veti, i shikon babai në pasqyrë.

– Zoti na ruajt, rrugë është kjo. Me na ndodh diçka, e me na lënë kerri n’rrugë, rebelat e Shqipërisë na bëjnë ‘sallatë’, m’i marrin fëmijët.
– Jo se e thërras policinë!
– O Zot, policia janë bashkëpunëtorë të kriminelëve!

Këtë monolog shoferi e bën në heshtje të plotë, vet me veti.

Dhe, një të dytën i bërtet gruas “mos e gabuam rrugën”, “hapi sytë, këqyri shenjat…se me bë me habit rrugën, s’t’vyn më gja jeta, ju kthej menjëherë n’shpi…”

Gruaja nuk e kupton dramën dhe frikën e burrit, prandaj ai duket në sytë e saj një mashkull i keq.

Burri nuk e kupton qetësinë e gruas, dhe prandaj ajo i duket si një “shpirt i fjetur”, një qurë që s’i bëhet vonë…dhe që është aq naive sa nuk e kupton se ‘në çfarë rreziku munden me qenë’?

Dhe, kështu, nëpër rrugën e shtrirë me frikë, mbërrijnë. Vendosen në banesë. Burri shtrihet me pushu, e gruaja, ende pa i palu teshat, i nxjerr xhezvet dhe e qet nga një kafe.

Kjo kafe pihet me lezet. Sepse konsiderohet si hallve, që zihet pasi që dikush ka shpëtuar nga rreziku.

-Shuj se mirë jemi ardhë!

Gjithë ajo tutë, gjithë ai shqetësim, gjithë ai bagazh nervash në kokat e tyre, sikur kur niset njeriu në luftë.

Ne, që e kemi përjetuar luftën, çdo gjë vazhdojmë ta përjetojmë si luftë. Prandaj, ne nuk dimë të pushojmë. Pushimin e ngatërrojmë me argëtimin. Shkojmë në bregdet për t’u kënaqur në zhurmën e muzikës, jo për të pushuar;

Shkojmë për t’u argëtuar midis njerëzve, jo për të ikur në qetësi prej njerëzve.

Kot kthehemi të pushuar nga pushimi, nëse s’jemi argëtuar.

Pushojnë vetëm pleqtë dhe njerëzit e perënduar. I gjalli nuk pushon pasi që të zgjohet nga gjumi.

Pastaj, hanë drekë, gruaja i merr peshqirët për të gjithë dhe dalin në plazh.

Burri e ka fituar “xhenetin” me djersë, sepse u lodh nga rruga duke vozit, prandaj ai rri në kokërr shpine se nuk çlodhet deri ditën e fundit të pushimit kur të nisen për në shtëpi.

Nga kokrra e shpinës, burri e sheh diellin kur ia skuq shpinën fëmijëve, sheh çdo gjë që nuk është në vendin e vet, prandaj, as aty nuk e lënë “të pushojë” siç e meriton…e monitoron situatën dhe jep urdhra të prerë:

-Çu, lyja shpinën djalit’!
-Çu shko bleje do ujë, se diçka flaka po më del!
-Çu shtini fëmijët pak në ujë, mos u hullav se po të humbin para sysh..
-Çu lyma shpinën edhe mu’ se po më duket m’u bë ushul;
-Çka don me na bë sonte për darkë?
-Mos ti ka qarru Zoti sytë i ke harru xhygymat!

Dhe kështu, kalon dita!

Kur kthehen në banesë, burri hyn i pari të pastrohet, pas tij fëmijët, e në fund, kur ka ngelur vetëm uji i ftohtë, hyn gruaja të pastrohet.

Kur del nga banjo, gruaja fillon e bën bukën, e përvëlon çajin, të gjithë argëtohen me mobila, të shtrirë, pushojnë, ajo ende nuk është ulur.

Bëhet aksham, dhe ajo ende nuk është ulur.

Dalin shëtisin në korzo, hanë akullore, ndonjë shtalb dhe dikur vonë kthehen në banesë, dhe ajo ende nuk është ulur.

Të gjithë shtrihen për të fjetur, përveç gruas e cila në banjo është duke i pastruar peshqirët e plazhit dhe rrobat e tjera që kur i kanë zhveshur, të gjitha i kanë lënë grumbull.

Nuk është lehtë m’i shtrydh peshqirët dhe me ua heq zallin që u ka hyrë penj më penj. Ditën e fundit të pushimit ajo do të kujtohet se peshqirët e plazhit herën tjetër s’do t’i lajë hiç, veç do t’i shkund nga zalli e do t’i var në ballkon derisa t’i thajë era (edhe ashtu meshkujt nuk dinë ta bëjnë dallimin).

Në ato mendime, me kokë në shkumë, duke shtrydh peshqir pas peshqiri, kur e ndal çezmen, e dëgjon zërin e burrit ‘O hajde ma, ku mbete, shkyme atë hamam drite se na le pa fjet’!

Kur kthehet në shtrat, dhe i fikë të gjitha dritat, e thërret zëri i fëmijëve: Hajde hiqma edhe do zall m’u ka ngjit në çarçaf. Gruaja e ndez baterinë e mobilit, dhe shkon ua heq të gjithëve zallin ‘e fundit’ nga çarçafi. Del në ballkon nëpër terr, dhe anipse në mobil e ka kalendarin, i numëron me gishta ditët deri te dita që do të kthehen në shtëpi.

Gruaja më së shumti lodhet gjatë pushimeve verore.

Legjenda thotë: Në fillim meshkujt kanë jetuar në Mars, e gratë në Venerë.

Nga larg e kanë parë njëri-tjetrin dhe (hajt) një ditë prej ditësh për t’u argëtuar kanë vendosur të vijnë për “pushime” në ‘Tokë’!

P.S.
Ka do ditë unë jam kujtu
Për mos me t’folë ma me gojë