Përvjetori i themelimit të Kinostudio “Shqipëria e Re”, koha kur filloi punën industria e filmit shqiptar

Më 10 korrik të vitit 1952, filloi punën industria e filmit shqiptar me inagurimin e ndërtesës “Shqipëria e Re” dhe me kompleksin e studiove filmike Kinostudio, në periferi të Tiranës. Filmi i parë i prodhuar ishte “Skënderbeu”, bashkëpunim me sovjetikët në vitin 1953, ndërsa filmi “Tana” i vitit 1958 mban vulën e prodhimit shqiptar duke u ndjekur nga 270 filma me metrazh të gjatë, 700 dokumentarë dhe 150 filma të animuar.

Në vitet `80 Kinostudio “Shqipëria e Re” arriti një prodhim prej 14 filmash në vit. Pas ndryshimit të sistemit, ajo u transformua në “Albafilm”, ekzistenca e së cilës zgjati deri në vitin 1996.  Nga viti 1996 kjo qendër mban emrin Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Nga janari i vitit 2015 në këtë godinë të stilit neoklasik, e cila është konsideruar si unikale nga arkitektët, ndodhet Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare Shqiptare e Kinematografisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, etj.

“Shqipëria e Re” lë në trashëgim mbi 200 filma, një pjesë e të cilëve ishin prodhim i propagandës shtetërore, filma të realizuar me mungesa jo të vogla teknike, por me gjithë kornizat ideologjike dhe autocensurën e kineastëve, trashëgimia e Kinostudios “Shqipëria e Re”,  mbetet në kujtesën e shumë brezave. / atsh / KultPlus.com

Kujtohet filmi “Mësonjëtorja”, një nga prodhimet më të mira të Kinostudios

Në vazhdën e ditëve dedikuar “Muajit të Kinematografisë Shqiptare”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka kujtuar sot , filmin “Mësonjëtorja”, një nga prodhimet më të mira të Kinostudios si dhe grupin e aktorëve dinjitozë si Gulielm Radoja, Roza Anagnosti, Ardian Cerga, dhe të madhin Robert Ndrenika.

Filmi ishte një prodhim i vitit 1979, me regji të Muharrem Fejzos, skenar nga Natasha Lako dhe muzikën nga Limos Dizdari.

Dafina, e interpretuar nga Roza Anagnosti, një grua e re e shkolluar kthehet në qytetin e saj, për të hapur shkollën e parë për vajzat. Ajo ndeshet me pengesat dhe intrigat e thurura nga kreu i Sanxhakut. Për të ndaluar përpjekjet e Dafines, për ngritjen e shkollës, klerikët përpiqen të eliminojnë njerëzit që i vinin në ndihmë mësueses së re. Ata ckishërojnë dhe tentojnë të helmojnë xhaxhanë e saj, Stefan Bardhin si dhe i vënë flakën shkollës.

Filmi është një realizim-homazh për Rilindjen Kombëtare dhe përpjekjet e rilindasve  për përhapjen e gjuhës shqipe./ atsh / KultPlus.com

Ish-Kinostudio do të shndërrohet në Parkun e Artit

Projekti “Parku i Artit” u prezantua sot në mjediset e Ministrisë së Kulturës, me pjesëmarrjen e e ministres Elva Margariti, kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj dhe të ftuarve nga bota e artit e kulturës.

Tashmë projekti për shndërrimin e hapësirës së ish-Kinostudios në një Park Arti, i mbështetur me fondet e Bashkimit Europian është gati.

Margariti dhe Veliaj prezantuam vizionin për këtë kënd të kryeqytetit.

“Ka qenë një proces i gjatë dhe falë bashkëpunimit të frutshëm të studios projektuese “iRi”, kemi arritur të gjejmë balancën e duhur mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes hapësirave të gjelbra, parqeve dedikuar fëmijëve, hapësirave ekspozuese dhe krijuese, pasurisë së gjigantit të dikurshëm kinematografik, aparatura, makina, garderoba”, u shpreh mes të tjerash ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Projekti mbulon mbi 16 mijë metra katrorë sipërfaqe të jashtme dhe mbi 2100 metra katrorë sipërfaqe të brendshme.

“Ajo çka kemi tepër për zemër është krijimi i Qendrës Kulturore, që parashikon të ketë që nga laboratorët fotografikë, studio muzikore, dublimi, produksioni, qeramike, sallë kinemaje, hapësirë ekspozimi, madje edhe hapësira akomodimi për artistët rezidentë”, vijoi Margariti.

“Nëse do të kujtohemi, në këtë zonë ka qenë një ngrehinë e bukur që ishte rrënuar dhe e abandonuar qëllimisht”, tha Margariti.

“Këtë projekt ne do t’ia japim në dispozicion artistëve. Ka qenë një sfidë e madhe e bërë nga të gjithë që kanë kontribuar. E gjithë zona dhe asetet janë pjesë e një pazëlli më të madh dhe Muzeu i Filmit është sfida jonë e radhës për të cilën po punojmë fort për t’i dhënë jetë pasi të përfundojë Parku i Artit”, u shpreh ministrja.

Zona, sipas saj, do të shërbejë jo vetëm si zonë për artin por edhe për punësimin e artistëve.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh shumë entuziast për fillimin e këtij projekti.

“Ky është një projekt që do të hasi në vështirësi si përherë ku do t’i duhet të kalojë etapën e cinizmit dhe kur ndryshimi të vijë do t’i harrojmë të gjitha dhe do t’i gëzohemi kësaj gjëje të re që ka lindur. Siç thoshte edhe Çurçilli jemi ne që i japim formë ndërtesave dhe më pas ato na japin formë ne”, tha Veliaj.

Sipas tij, investimet e kryera në Tiranë kanë bërë që të rriten çmimet e banesave dhe ne nuk e kemi luksin që këtë hapsirë të mos e shfrytëzojmë dhe kjo gjë do të ndodhi edhe këtu. “Arti dhe kultura gjenerojnë ekonomi sidomos në kohët të cilat po kalojmë”, tha ai.

“Në këtë periudhë arti është një vaksinë për shpirtin dhe shëndetin mendor. Për këtë infrastukturë shpirtërore ne kemi vërtetë shumë nevojë. Bashkia do të marrë përsipër të gjithë ndërhyrjen fizike në territor. Ne kemi vizionin për të ndërhyrë dhe përmirësuar të gjithë zonën përreth. Dicka të ngjashme do ndërtojmë si në zonën e ish-Kombinatit edhe tek bregu i lumit afër 5 majit”, tha Veliaj. /ata/ KultPlus.com

Nostalgji, kolona zanore e filmit ‘Beni ecën vetë’ (VIDEO)

Kush e mban mend ‘Beni ecën vetë’? Filmin që edhe pas kaq vitesh akoma mbetet ndër filmat më të mirë shqiptar.

‘Beni ecën vetë’ është film shqiptar i prodhuar nga Kinostudio ‘Shqipëria e Re’, në vitin 1975.

Beni, një fëmijë i gjithë të tjerët por me një kujdes të tepruar nga prindërit, nuk lejohet të luajë jashtë mureve të shtëpisë, kështu, Xhaxha Thomai . Xhaxha Thomai që vjen nga fshati e merr me vete dhe për herë të parë Beni gjendet pa kujdesin e prindërve. Beni për herë të parë jeton në familjen e xhaxhait dhe i duhet të mësojë shumë gjëra të reja. Për ta ndihmuar të kalojë frikën dhe të ambientohet e ftojnë të marrë pjesë sëbashku me fëmijët e tjerë në një piknik.

Një natë Beni mbetet i vetëm në mes të pyllit por tashmë ai fillon të zbulojë një jetë shumë pranë natyrës, duke larguar frikën dhe mendimet negative të fëmijërisë.

Filmi është relizuar nën regjinë e Xhanfise Keko, skenari nga Kiço Blushi, ndërsa muzika e filmit nga Limos Dizdar.

‘Beni ecën vetë’ është prej atyre filmave që ngulitet thellë në memorien e secilit, të rrëmben pas vetes qysh në minutat e parë. Një filmë që la gjurmë të mëdha në konematografinë shqiptare.

Më poshtë KultPlus ju sjell në video kolonën zanore të këtij filmi. Një melodi që qysh në sekondat e parë na kthen mbrapa në kohë. / KultPlus.com