Ish-CEO i Astronomer mund të padisë Coldplay pas skandalit të “kiss cam”

Skandali që shpërtheu pas koncertit të Coldplay në Boston, ku ish-drejtori ekzekutiv i Astronomer, Andy Byron, u kap duke flirtuar me kolegen e tij Kristin Cabot në ekranin gjigant të stadiumit, mund të shkojë deri në gjykatë. Të paktën kështu thuhet nga burime ligjore, megjithëse shanset për sukses janë minimale.

Byron, i cili dha dorëheqje nga pozita e tij si CEO disa ditë pas incidentit viral, mund të përpiqet të padisë grupin Coldplay për shpifje, pasi këngëtari Chris Martin u shpreh gjatë koncertit:
“Ose janë në një lidhje, ose janë shumë të turpshëm.”

Sipas avokatit Camron Dowlatshahi nga MSD Lawyers, komenti i Martin mund të shihet si akuzë për lidhje jashtëmartesore, e cila mund të përbëjë shpifje nëse provohet e pavërtetë dhe e dëmshme për reputacionin.

Por këtu qëndron problemi:
“Që Byron ta fitojë këtë çështje, ai duhet të provojë se nuk kishte lidhje jashtëmartesore dhe se Martin e dinte këtë, por e tha me qëllim keqdashës. Asnjë nga këto nuk janë të provueshme,” tha Dowlatshahi për Page Six.

Sipas ekspertëve, as ligji i privatësisë në Massachusetts nuk e ndihmon Byron-in, pasi një koncert publik nuk ofron pritshmëri për privatësi, dhe blerja e biletës zakonisht përfshin miratimin për regjistrime apo transmetime.
Avokati Ray Seilie thekson se çdo padi ndaj Coldplay do të shërbente vetëm për të mbajtur gjallë lajmin:
“Padia nuk ka bazë ligjore dhe vetëm sa do të zgjaste ekspozimin mediatik të Byron.”
Ekspertët pajtohen se Coldplay nuk ka shkelur asnjë ligj, dhe komentet e Martin ishin më shumë shaka sesa deklarata faktike. Për më tepër, as Byron dhe as Cabot nuk i kanë mohuar akuzat për lidhje.

Në përfundim, ndonëse teorikisht një padi ndaj Coldplay është e mundur, ajo nuk ka gjasa të pranohet në gjykatë dhe mund të rezultojë në më shumë dëm publik sesa dobi për Byron-in./KultPlus.com

Komenti epik i Chris Martinit në koncertin e parë të Coldplay-t pas videos virale

Chris Martin, vokalisti i Coldplay, ka vendosur të bëjë humor me momentin viral të “Kiss Cam” që u bë hit në rrjetet sociale.

Të shtunën, gjatë koncertit të parë që pas videos së famshme të CEO-s dhe HR-it të Astronomers, Martin iu drejtua publikut me një paralajmërim: kamera po afrohet.

“Do të përshëndesim disa prej jush në publik,” tha ai në një video të shpërndarë në platformën X.

“Dhe si do ta bëjmë këtë? Do të përdorim kamerat tona për t’ju vendosur në ekranin gjigant. Kështu që, nëse nuk keni bërë grimin ende, bëjeni tani,” u shpreh ai, duke shkaktuar të qeshura në turmë.

Gjithçka nisi gjatë koncertit të Coldplay të mërkurën në mbrëmje në Foxborough, Massachusetts, kur kamera në publik kapi CEO-n e kompanisë Astronomer, Andy Byron, duke përqafuar me shuuumë dashuri shefen e Burimeve Njerëzore në të njëjtën kompani, Kristin Cabot.

Sapo kuptuan se po filmoheshin, të dy u larguan me shpejtësi nga njëri-tjetri dhe u përpoqën të mbulonin fytyrat, por ishte tepër vonë. Videoja u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u bë virale, duke grumbulluar dhjetëra miliona shikime që prej të mërkurës.

Pas bujës së krijuar, Andy Byron dha dorëheqjen nga pozicioni i tij si CEO i Astronomer. Në një deklaratë të publikuar të shtunën, kompania bëri të ditur vendimin e tij:

“Siç është deklaruar më parë, Astronomer mbetet e përkushtuar ndaj vlerave dhe kulturës që na kanë udhëhequr që nga themelimi. Udhëheqësit tanë pritet të jenë shembull në sjellje dhe përgjegjësi dhe kohët e fundit, ky standard nuk është përmbushur.

Andy Byron ka dorëzuar dorëheqjen e tij dhe Bordi Drejtues e ka pranuar atë. Bordi do të nisë menjëherë kërkimin për CEO-n e ardhshëm, ndërkohë që bashkëthemeluesi, Pete DeJoy, do të vazhdojë të veprojë si CEO i përkohshëm,” thuhej në deklaratë.