KMDLNJ i bën thirrje SBASHK-ut që të ndërpresë grevën në arsim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar nga SBASHK-u që të ndalet greva bë arsim, pasi mban përgjegjësi për shkeljen e qenieve njerëzore – nxënësve, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një reagimi për media, KMLDNJ, thuhet se SBASHK-u mbanë përgjegjësi faktike dhe konkrete

Kështu thuhet përmes një reagimi për media nga KMLDNJ, ku ndër të tjera potencohet se ata kanë monitoruar protestat e organizuara në disa shkolla dhe se kërkesat e tyre i konsiderojnë të drejta dhe të arsyeshme.

“KMDLNJ gjithnjë ka reaguar kundër linçimit publik të orkestruar ndaj SBASHK-ut dhe kryetarit, Rrahman Jasharaj si reagim nga pozita e të fortit e që është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe praktikat e mira ndërkombëtare. Nëse Qeveria e Kosovës ka qëndrim linçues ndaj SBASHK-ut, e kjo është e pakundërshtueshme, edhe SBASHK-u mbanë përgjegjësi faktike dhe konkrete për shkelje të drejtave të njeriut të nxënësve andaj duhet të ndërpres me shkelje të këtyre të drejtave. KMDLNj ka monitoruar protestat e organizuara në entet parashkollore dhe në disa shkolla dhe kërkesat e tyre i konsideron si të drejta dhe të arsyeshme hiç këtu angazhimet për grevë-thyerje nga pozitat ekskluzivisht partiake”, thuhet në reagim.

Sipas reagimit, KMDLNj tërheq vëmendjen edhe për grevën në Komunën e Prishtinës që u shkakton shumë dëme qytetarëve të Prishtinës, që nga foshnjat që duhet të regjistrohen, deri te shumë biznese dhe qytetarë të cilët janë të privuar nga ofrimi i shërbimeve që aktualisht janë të pjesshme.

“KMDLNj pret dhe shpreson se greva e SBASHK-ut do të përfundojë shpejt dhe do të nisë procesi arsimor duke theksuar se në këtë rast SBASHK-u nuk do të jetë palë e humbur. Nëse këmbëngul të vazhdojë këtë grevë në këtë mënyrë atëherë, pa asnjë dyshim më së shumti do të humb SBASHK-u, përjashtuar nxënësit që, edhe deri më tani janë humbësit më të mëdhenj, pa fajin e tyre”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Greva në arsim ka filluar më shumë se një muaj më parë dhe fundi i saj akoma nuk po shihet në horizont. /KultPlus.com

KMDLNj: Deputetët të kenë kujdes me fjalorin, Kodi Civil do votohet në një të ardhme të afërt pa asnjë dyshim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka dalë me një reagim lidhur gjuhën e përdorur në Kuvendin e Kosovës referuar çështjes së ligjit të Kodit Civil për martesat e së njëjtës gjini.

Mes tjerash KMDLNj po e kundërshton ashpër fjalorin fyes dhe përjashtues në Parlamentin e Kosovës, njofton Klankosova.tv.

”Në seancën e datës 16 mars 2022 të Kuvendit të Kosovës dështoi votimi i Kodit Civil shkaku se nga 61 deputetë sa kishin votuar 28 deputetë kishin votuar për, 29 kishin votuar kundër ndërsa 4 të tjerë kishin abstenuar.

Duket qartazi se Kodi Civil nuk ishte votuar për faktin se shumë deputetë janë frikësuar se me këtë Kod Civil i hapet rruga legalizimit të martesave të gjinisë së njëjtë e që e kanë bërë të ditur edhe në diskutimet e tyre para se të votohej ky Ligj. Disa prej tyre deklaruan se do të votojnë për këtë Kod Civil nëse hiqet neni përkatës që e lë këtë mundësi dhe për të cilin kanë kërkuar që të votohet pa asnjë ndryshim vendet e QUINT-it dhe BE –e.

Për KMDLNj –në është e padiskutueshme e drejta e deputetit që të votojë pa iu nënshtruar asnjë presioni dhe të votojë në bazë të vullnetit të deputetit duke përfaqësuar dhe mbrojtur të drejtat e votuesve që e kanë votuar por edhe votuesve të tjerë, të[ drejtat e qytetarit të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve politike, besimeve fetare, moshës, gjinisë apo statusit në shoqëri e që në shumë raste nuk ka ndodhur për faktin se deputetët i janë nënshtruar presionit brutal të subjektit që i takon dhe bashkësisë ndërkombëtare siç ishte rasti me Demarkacionin apo themelimin e Gjykatës Speciale.

KMDLNj –ë është i shqetësuar për fjalorin e papërmbajtur, degradues, fyes dhe përjashtues që deputetët e Kuvendit të Kosovës e përdorin kryesisht në mungesë të fakteve dhe për qëllime politike.

Me rastin e diskutimeve për Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës pati diskutime të papranueshme nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe nga aspekti i mandatit të deputetit me ç’rast u fyen rëndë pjesëtarët e një komunitetit me orientim seksual ndryshe e që nuk do të duhej të tolerohej sikur që deputetët e tillë do të duhej të sanksionoheshin për këtë fjalor përjashtues, fyes, degradues, diskriminues dhe racist.

E drejta e pakundërshtueshme dhe e pamohueshme e deputetit që të votojë në bazë të bindjeve që i ka, vullnetit dhe pa iu nënshtruar asnjë presioni nuk nënkupton edhe të drejtën që të fyejë dhe diskriminojë të tjerët edhe nëse nuk pajtohen me asgjë me përmbajtjen e ligjit të propozuar.

Mosvotimin e Kodit Civil KMDLNj –ë e konsideron më shumë si lojë politike, të pozitës dhe opozitës sepse, pa asnjë dyshim ky Kod Civil do të votohet në një të ardhme të afërt prandaj deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të tregohen shumë të kujdesshëm dhe të përmbajtur për fjalorin që e përdorin.

KMDLNj e respekton, si të drejtë të njeriut edhe mospajtimin e disa deputetëve më këtë Kod Civil mirëpo nuk përkrah në asnjë mënyrë fjalorin fyes, diskriminues dhe degradues ndaj askujt e në rastin konkret të komunitetit me orientim seksual ndryshe”./ KultPlus.com

KMDLNj i bën thirrje subjekteve politike: Kosova të ndjekë të dyshuarit për krime lufte

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka ftuar të gjitha subjektet politike në Kosovë si dhe institucionet përgjegjëse të mos merren me deklaratat e Aleksandar Vulinit dhe të Aleksandar Vuçiqit por të forcojnë institucionet gjyqësore në mënyrë që të sigurojnë kushte për ngritje të aktakuzave në bazë të përgjegjësisë komanduese politike , ushtarake dhe policore.

Për KMDLNj –në është shqetësues fakti se subjektet politike në Kosovë kanë rënë në kurth të Vuçiqit dhe Vulinit duke e shndërruar deklaratat e dy kriminelëve të Serbisë në një luftë të pandershme midis opozitës dhe pozitës në vend që të bashkëpunojnë dhe t’i japin një përgjigje institucionale sikur edhe të ndërmarrin veprime konkrete .

Reagim i KMDLNj – së:

“Zyrtarët më të lartë të Serbisë , jo nga sot gjithmonë i kanë mohuar krimet që i kanë bërë në Kosovë , ose vet , si urdhërdhënës , zbatues apo në përpjekje për të arsyetuar liderët e tyre , që nga Millosheviqi , Mlladiqi, Arkani , Legija , Shesheli e deri te Aleksandar Vuçiq , president aktual i Serbisë dhe zëdhënës i krimeve nga lufta e fundit në Kosovës. Si pikë mohuese e të gjitha krimeve në Kosovës e që është përdorur si pretekst për intervenim ushtarak të NATO-së në Serbi dhe Kosovë , zyrtarët serbë të kriminalizuar me krime ndaj civilëve të pafajshëm dhe të paarmatosur shqiptarë e kanë dhe e stërpëdorin Masakrën e Reçakut ku , më 15 dhjetor 1999 forcat ushtarake , policore dhe paramilitare të Serbisë , të ndihmuar nga serbët lokalë masakruan në mënyrën më çnjerëzore të mundshme 45 shqiptarë të moshave të ndryshme pa kursyer të moshuarit dhe fëmijët.

Në atë kohë , menjëherë pas Masakrës së Reçakut , përgjegjësi i NKMDLNj –së në Shtime , Ruzhdi Jashari e që ishte në radhët e UÇK-së , si përgjegjës për informim , e informoi KMDLNj –në në Prishtinë përkatësisht Drejtorin Ekzekutiv për këtë krim , pa qenë i informuar për numrin dhe përmasat e të masakruarve. Pastaj , Misioni Verifikues i udhëhequr nga ambasadori Volker , pas disa përpjekjeve arriti në vendin ku ishin masakruar 45 shqiptarë duke regjistruar pamje të llahtarshme që nuk kishin ndodhur as në kohën e inkuizicionit . Të nesërmen , një ekip i KMDLNj –së shkoi në Shtime për të vazhduar për në Reçak por se të gjitha rrugët ishin bllokuar nga forcat serbe që nuk lejonin asnjë lëvizje drejt Reçakut. Në kodrinën ku ishte rruga për Reçak , gjatë ditës kishte të shtëna sporadike midis ushtarëve të UÇK-së dhe Policisë Serbe që kishte pushtuar pjesën më të madhe të kodrinës. Aty , monitorues të KMDLNj –së vërejtën ish – gjykatësen hetuese , Danica Marinkoviq , me një ekip prokurorësh dhe hetuesish që në përcjellje të Policisë serbe shkonin në drejtim të fshatit Reçak. Pas përfundimit të luftës , një numër i dëshmitarëve nga fshati Reçak , bashkë me gjeneralin Shukri Buja ishin në zyrën e KMDLNj –së në Prishtinë për materiale dëshmuese pasi ishin ftuar si dëshmitarë para ish – Gjykatës për Krime Lufte për ish – Jugosllavinë e që e kishte selinë në Hagë të Holandës.

Realisht, në mungesë të identifikimit të dëshmitarëve okularë , deri më tani Masakra e Reçakut nuk ka siguruar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për ata që e bënë krimin. Masakra e Reçakut është një krim që nuk mund të mohohet nga askush sepse janë 45 viktima , me emër dhe mbiemër që janë të masakruar , ka fotografi të mjaftueshme sikur që janë edhe deklaratat e zyrtarëve serbë , ushtarakë dhe policorë që janë përpjekur ta arsyetojnë këtë krim , si luftë ndaj “ terroristëve “ të UÇK-së. Nga zyrtarët serbë , dy janë më të zëshmit në përpjekje për ta mohuar Masakrën e Reçakut ; Aleksandar Vuçiq , president aktual i Serbisë që ka përgjegjësi konkrete dhe faktike për këtë Masakër si dhe Aleksandar Vulin , paramilitar i SPS –it , minister aktual i Punëve të Brendshme që po përpiqet të mbrojë dhe arsyetojë krimin që e ka bërë Ministria që ai e drejton ku ende ka policë që kanë qenë pjesëmarrës në këtë masakër. Nga pozicioni e një krimineli , qëndrimi i Vuçiqit dhe Vulinit nuk mund të jetë ndryshe . Për KMDLNj –në është shqetësues fakti se subjektet politike në Kosovë kanë rënë në kurth të Vuçiqit dhe Vulinit duke e shndërruar deklaratat e dy kriminelëve të Serbisë në një luftë të pandershme midis opozites dhe pozites në vend që të bashkëpunojnë dhe t’i japin një përgjigje institucionale sikur edhe të ndërmarrin veprime konkrete . Serbia mund të gjirojë sa të duan filma dhe pallavra të tjera por emrat e të gjitha viktimave në Kosovë janë të regjistruara dhe nuk mund të mohohen nga askush , pavarësisht përkatësisë kombëtare të viktimave dhe kriminelëve të mundshëm.

KMDLNj –ë ka kontribuar thuaja në të gjitha gjykimet për krime lufte në Kosovë e që janë të pakta nëse kemi parasysh numrin e viktimave sikur që ka kontribuar edhe për Tribunalin e Hagës për ish – Jugosllavi , qoftë përmes materialeve dëshmuese ashtu edhe me dëshmitarë e që ishin më shumë se 10 –të. Policia për Hetimin e Krimeve të Luftës në Kosovë është shumë e angazhuar dhe shumë e përgjegjshme në hetimin e rasteve të krimeve të luftës në Kosovë dhe ka qëndruar në zyrat e KMDLNj –së ditë të tëra duke hulumtuar dosje dhe materiale mirëpo problemi paraqitet te niveli i përgjegjësisë . Policia shpenzon shumë kohë dhe shumë mund për të kapur ekzekutorët e krimeve të niveleve të ulëta e që shumica shpëtojnë për shkak të mungesës së dëshmitarëve okularë , shkaku se shumë dëshmitarë kanë vdekur , e kanë lëshuar vendin apo se shkaku i moshës nuk janë në gjanedje ta përshkruajnë rastin dhe të identifikojnë dëshmitarët ndonëse në deklaratat e dhëna në KMDLNj – ë apo te të tjerët kanë qenë shumë të saktë. Për këtë arsye KMDLNj –ë ka rekomanduar që të dyshuarit për krime lufte në Kosovë të ndiqen në bazë të përgjegjësisë komanduese politike, ushtarake dhe policore  Gjykatat për Krime Lufte e kanë pikërisht këtë parim dhe kështu ishte vepruar edhe në Gjykatën e Nyrembergut, e Tokios, Gjykata në Ruandë, Sierra Leone dhe të ngjashme.

Kështu kishte vepruar edhe Gjykata për Krime Lufte për ish – Jugosllavi dhe kështu po vepron edhe Gjykata Speciale në Hagë. Pse Kosova nuk vepron në këtë mënyrë ?! KMDLNj –ë fton të gjitha subjektet politike në Kosovë si dhe institucionet përgjegjëse të mos merren me deklaratat e Vulinit dhe të Aleksandar Vuçiqit por të forcojnë institucionet gjyqësore në mënyrë që të sigurojnë kushte për ngritje të aktakuzave në bazë të përgjegjësisë komanduese politike, ushtarake dhe policore.

Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për ata që e planifikuan , e udhëheqën, e bënë dhe nuk e penguan ndonëse kishin mundësi ta bënin këtë apo e glorifikojnë krimin.

Në këto aktakuza , pa asnjë dyshim do të ishin edhe Aleksandar Vuçiq si dhe Aleksandar Vulin . Në këtë mënyrë Masakra E reçakut dhe mbi 200 masakrat të tjera në kosovë do të kishin përgjigje e jo në debatet e kota midis pozites dhe opozites”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

KMDLNJ: Vaksinimi është i domosdoshëm në kohë të kulmit të pandemisë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të shtohet numri i Qendrave të Vaksinimit në mënyrë që të shpërndahet fluksi në Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori”, por edhe që të lehtësohet qasja e qytetarëve në qendra të tjera më të afërta për qytetarë.

Në një komunikatë për media, KMDLNJ bën thirrje që në këtë kohë të pranohen edhe qytetarët, të cilët mund të mos kenë bërë terminin online për vaksinim.

“Duhet të kemi parasysh që ka një numër të caktuar të qytetarëve të Kosovës të cilët nuk kanë qasje në përdorimin e internetit apo pajisjeve të ngjashme, por edhe një pjesë të cilët kur mund ta kenë të caktuar terminin mund të mos e kenë mundësinë për të shkuar në qendër të vaksinimit për shkak të angazhimit në punë, e veçanërisht në sektorin privat”, thuhet në komunikatë.

KMDLNJ kërkon që në këtë kohë të mos jetë kriter i domosdoshëm termini për vaksinim, por të vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët paraqiten në qendrat e vaksinimit.

Në këto kohë kur në Kosovë, por edhe gjithë botën është përhapur valë e re e infektimit me virusin Covid 19 po bëhet thirrje për vaksinim masiv të qytetarëve.

Komunikata e plotë:

KMDLNj vlerëson lartë organizimin dhe korrektësinë në Qendrat e Vaksinimit në gjithë vendin, duke përfshirë një rregull të paparë si në orientimin e qytetarëve në këto Qendra për procedurat por edhe shpejtësinë në procedimin e të gjithë procesit të vaksinimit. Është për t’u vlerësuar që qytetarëve nuk u bije që të presin kohë të gjatë në këto qendra dhe por edhe që janë shtuar numri i kabinave ku po bëhet injektimi i vaksinave. Gjithashtu, është angazhuar një numër i madh i stafit shëndetësorë por edhe i aktivistëve të Kryqit të Kuq të Kosovës për procedim të shpejtë të qytetarëve. E gjithë procesi por edhe siguria po garantohet nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

KMDLNj i bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të shtohet numri i Qendrave të Vaksinimit në mënyrë që të shpërndahet fluksi në Qendrën e Vaksinimit në Sallën 1 Tetori, por edhe që të lehtësohet qasja e qytetarëve në qendra të tjera më të afërta për qytetarë.

Gjithashtu, KMDLNj bënë thirrje që në këtë kohë të pranohen edhe qytetarët të cilët mund të mos kenë bërë terminin online për vaksinim. Duhet të kemi parasysh që ka një numër të caktuar të qytetarëve të Kosovës të cilët nuk kanë qasje në përdorimin e internetit apo pajisjeve të ngjashme, por edhe një pjesë të cilët kur mund ta kenë të caktuar terminin mund të mos e kenë mundësinë për të shkuar në Qendër të Vaksinimit për shkak të angzhimit në punë, e veçanërisht në sektorin privat.

Prandaj, KMDLNj kërkon që në këtë kohë të mos jetë kriter i domosdoshëm termini për vaksinim, por të vaksinohen të gjithë qytetarët të cilët paraqiten në Qendrat e Vaksinimit./KultPlus.com

KMDLNJ: E papranueshme mostestimi i familjarëve të prekur me Covid-19

Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut vlerëson se arsyetimi i autoriteteve shëndetësore që një i vdekur me Covid-19 ka pasur sëmundje të tjera shoqëruese, shkakton huti në opinion. Sipas tyre, nuk po përcaktohet shkaku i vërtetë i vdekjes.

Ndër të tjera, në një komunikatë, KMDLNj thekson se masat kufizuese të marra shkelin të drejtat elementare të njeriut që nga liria e lëvizjes e deri të e drejta për punë.

Në anën tjetër përmendet edhe mënyra e testimeve, ku thuhet se është e papranueshme dhe e dënueshme nëse nuk bëhen teste kur në një familje ka të prekur nga Covid-19, ndërsa anëtarët që jetojnë me ta nuk iu bëhen testet.

Për më shumë lexoni komunikatën e plotë:

Në mediat elektronike të Kosovës kishte të intervistuar që pohonin se, përkundër kërkesës për t’ua bërë testin për Covid-19 për faktin se kishin dyshime, se kishin anëtarë të familjes të prekur nga ky virus, kishin sëmundje kronike që i bëjnë lehtë të cenueshëm apo kishin moshë të shtyrë, autoritetet shëndetësore i kanë refuzuar me arsyetimin se, ose nuk ka teste të mjaftueshme, ose nuk janë në listën e prioriteteve. Opinioni në Kosovë për çdo ditë po informohet për rritjen e numrit të të prekurve nga virusi sikur që edhe numri i rasteve që po përfundojnë me fatalitet dukshëm është rritur. Arsyetimi i autoriteteve shëndetësore se i vdekuri nga Covid-19 ka patur sëmundje tjera përcjellëse, të rënda dhe kronike, shkaktojnë huti në opinion aq më parë që nuk po përcaktohet shkaku i vërtetë i vdekjes.

Në përpjekje për ta luftuar pandeminë e shkaktuar nga Covid-19, janë ndërmarrë disa masa kufizuese që, në jo pak raste shkelin të drejtat elementare të njeriut që nga liria e lëvizjes e deri te e drejta për punë.

KMDLNj mirëkupton autoritetet kosovare se, për shkak të mungesës së testeve nuk mund ta bëjnë testimin në shkallë të gjerë e që do të ishte mënyra më e mirë dhe më efikase për luftimin e pandemisë sikur edhe për ndërmarrjen e masave parandaluese. Mirëpo, në anën tjetër për KMDLNj është e papranueshme, e pakuptueshme dhe e dënueshme, si nga aspekti i të drejtave të njeriut ashtu edhe atij ligjor nëse nuk bëhen testet, madje të detyrueshme në rastet si:

  • kur në një familje ka të prekur nga Covid-19 ndërsa anëtarët që jetojnë me ta nuk iu bëhen testet.
  • kur ka raste që në të njëjtën familje ka anëtarë me sëmundje të rënda kronike.
  • kur simptomat janë të qarta se janë të të prekur nga virusi
  • kur mosha është e shtyrë. Nuk ka kuptim që të moshuarve mbi 65 vjeç, në emër të mbrojtjes së shëndetit të tyre në mënyrë drastike iu kufizohet liria e lëvizjes kurse, në anën tjetër iu mohohet e drejta e testimit.

Këto kategori të qytetarëve të Kosovës duhet të kenë prioritet absolut gjatë testimit kurse të tjerët të cilëve testi iu duhet për të lëvizur jashtë vendi, për biznes apo arsye tjera e që nuk bëjnë pjesë në kategoritë e sipërpërmendura, me rrezikshmëri të lartë të infektimit si dhe me kapacitet të madh për të infektuar të tjerët, mund ta bëjnë testimin ne institucionet shëndetësore private dhe jo ta ngarkojnë sistemin shëndetësorë publik.

KMDLNj mendon se pikërisht përzgjedhja diskriminuese, e jo në bazë të nevojës së domosdoshme për testim, ka shkaktuar dhe po shkakton rritjen e numrit të të prekurve sikur edhe rritjen e numrit që po përfundon me fatalitet andaj kërkon transparencë dhe monitorim të këtij procesi si dhe qasje në lista, nëse ka të tilla, pas së cilave ndërmerren veprimet. Qytetarët e Kosovës, shumica e tyre nuk kanë mundësi të paguajnë testet prandaj këto duhet të sigurohen falas përjashtuar ata që e kanë këtë mundësi.

KMDLNj kërkon që të rritet numri i testimeve kurse nga Qeveria e Kosovës kërkon të ndajë mjete shtesë për këtë qëllim sikur edhe për punëtoret shëndetësorë.

KMDLNj përkrah kërkesat e drejta e grupeve të cenueshme e që i janë drejtuar KMDLNj-së për testim në bazë të nevojave e jo në baza diskriminuese. Mbrojtja cilësore shëndetësore, për të gjithë qytetarët është e drejtë e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet.