Kombëtarja e Kosovës ngrit trofeun e Kampionit Ballkanik

Kombëtarja e Kosovës në beach volley U22, në konkurrencën e femrave ka fituar titullin e kampionit në Kampionatin Ballkanik U-22 në rërë, organizuar në Shtip të Maqedonisë së Veriut.

Dyshja Melirona Avdullahu dhe Yllka Jashari në finale kanë mposhtur kombëtaren turke, teksa dyshja tjetër në konkurrencën e meshkujve, Ermal Maliqi dhe Erion Bajrami arritën deri në finale, ku u mundën nga Turqia.

“Urime të dyja ekipeve dhe përgëzime Federata e Volejbollit e Kosovës për punën e palodhshme për zhvillim të volejbollit dhe përfaqësim dinjitoz të Kosovës në gara”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

MKRS mbetet e përkushtuar në përkrahjen e sportistëve gjatë rrugëtimeve të tyre sportive. Potencialin që ata po e dëshmojnë, po e shndërrojmë në promovim dhe fuqi zhvilluese për vendin./ KultPlus.com