Komedia Fest me edicionin e shtatë synon thyerjen e paragjykimeve në shoqëri

Pas gjashtë edicioneve me të cilat tërhoqi vëmendjen e publikut dhe ringjalli teatrin dhe Çarshinë e Vjetër” të Gjakovës, Komedia Fest sivjet synon thyerjen e paragjykimeve në shoqëri përmes komedisë.

Edicioni i shtatë i Komedia Fest që do të mbahet nga 16-22 shtator 2018, vjen me shumë risi. Ka shtrirje të gjerë gjeografike, ndërsa përveç shfaqjeve komedi nga mbarë trojet shqiptare, do të ketë edhe programin për fëmijë, si dhe performanca nga artistë të ndryshëm.

“Komedia Fest në edicionin e shtatë do të përmbajë edhe disa aktivitete tjera shtesë që kanë për synim promovimin e kulturës dhe zgjerimin e njohurive për fushën e artit, gjithmonë duke mbajtur frymën e zhanrit të komedisë. Këto aktivitete shtesë përfshijnë edhe debate dhe ligjërata ditore me aktorë që kanë dhënë kontribut të çmuar në art, si dhe trendet e fundit globale”, thuhet në njoftimin e Komedia Festit.

Trupat teatrore pjesëmarrëse tashmë të konfirmuara vijnë nga: Prishtina, Mitrovica, Presheva, Tetova, Gjilani, Peja, Tirana.

“Shfaqjet për fëmijë do të prezantohen në terminet e mesditës. Në skenën e muzikës do të ngjiten artistë të shumtë dhe do të ketë befasi të tjera”, thuhet në njoftim.