Aderimi i Shqipërisë në rezolutën CM/RES, hap në promovimin e trashëgimisë kulturore

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës mori në shqyrtim sot projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e pjesshme të zgjeruar për rrugët kulturore, miratuar me rezolutën CM/RES (2013) 66”.

Për të bërë një prezantim të detajuar të projektligjit, e ftuar në komision ishte Meri Kumbe, zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës.

Kumbe theksoi midis të tjerave, se kjo marrëveshje synon të krijojë një hapësirë të përbashkët kulturore nëpërmjet zhvillimit të rrugëve kulturore, që synojnë të nxisin ndërgjegjësimin për trashëgiminë, arsimin, rrjetëzimin, turizmin ndërkufitar cilësor e të qëndrueshëm dhe aktivitete të tjera të ngjashme.

Deputeti Besian Ajazi, në cilësinë e relatorit, kërkoi nga anëtarët ta votonin projektin vlerësoi rëndësinë e nismës në promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore ne botë.

Duke u ndalur në rëndësinë e këtij projekti, Ajazi theksoi se, ai shërben për përforcimin e potencialit të rrugëve kulturore për bashkëpunim kulturor, zhvillim të qëndrueshëm territorial e kohezion social, me fokus të veçantë në temat me rëndësi simbolike për unitetin, historinë, kulturën e vlerat evropiane dhe në zbulimin e destinacioneve më pak të njohura.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë./ KultPlus.com