Palokë Kurti, kompozitori i parë shqiptar

Palokë Kurti është autor këngësh shumë i njohur.

Palokë Kurti ishte kompozitori dhe muzikanti i parë që dha sinjalin е lindjes së artit të ri të kultivuar. Lindi në Shkodër më 1860, dhe kompozoi “Bashkimi i Shqipnís” më 1881.

Më 1863, kur ishte tre vjeç vritet Kola, që punonte në konsullatën angleze më parë. Vendi i ndodhisë ishte Rana e Hedhun pranë Ulqinin. Do të shkollohet në kolegjën Saveriane. Me anë të krijimeve, përpunimeve е aranzhimeve të këngëve popullore, kryesisht qytetare, vuri gurin е parë në themelimin е evolucionit të formave të vjetra dhe të reja të muzikës së kultivuar shqiptare. Madhështia e figurës së Palokë Kurtit konsiston në gjerësinë e interesave të tij artistike, pa i ndarë në asnjë çast ato me patriotizmin, ndjenjë e cila e përshkon si një lajtmotiv gjithë veprimtarinë e tij.

Tre qenë drejtimet ma të rëndësishme të veprimtarisë së tij artistike : dirigjent i orkestrave frymore, përpunues i këngëve popullore dhe kompozitor.

Me cilësinë e rapsodit, poetit dhe këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t’i mishëroje në mënyrë të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme : marshin “Bashkimi i Shqipërisë” më 1881 kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,“Marhallah bukurisë sate”, “Ta dish, ta dish”, “Për mue paska kenë kismet”, “Karajfil të zgiodha”, ”Kur fillon drita me dalë”, “Të due, moj të due”, “Karajfili i kuq si gjaku” etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares Marie Kraja, do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare.

I ndikuar nga format e reja të muzikës evropiane, Palokë Kurti shkroi vepra të tilla si : kuadrilja “Saksi im”, polka për klarinete “Dallëndyshja”, marshin “Turqit në Maqedoni” etj. Përsa i përket muzikës liturgjike, më të njohura që ai shkroi janë : “Mesha për ndër të Shna’Ndout”, “Litani” etj.
Gjithashtu, Palokë Kurti përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga “Trovatore”, nga “Ballo me maska”, “Norma” etj.

Raporti i vazhdueshëm i Palokë Kurtit me historinë e kohës në të cilën jetoi, shpjegon dhe faktin që vepra e tij mundi t’i rezistojë kohës dhe të vijë deri në dita tona. Krijimet më të rëndësishme të këtij kompozitori, pa dyshim dhanë sinjalin e nisjes së një periudhe të artë për historinë e muzikës shqiptare. Gjithashtu, me veprimtarinë e tij, Palok Kurti i hapi rrugën bashkëkohësve dhe pasardhësve te tij.

Pasuria dhe larmia e veprës së tij zë pa dyshim një vend të nderuar në historinë e muzikës shqiptare.[4] U dëbue dy vjet, me shumë mundësi për shkaqe politike. Mbasi u kthye në Shkodër më 1890 angazhimi i tij ma i madh ishte kompozimi. Krijon Bandën e Katedrales me ndihmën e Imzot Jak Serreqit, që e drejtoi Frano Ndoja. U dëbua dhe dy herë tjera, herën e mbrame në Korfuz më 1919. I rraskapitun vdes më 1920, në varrimin e të cilit morën pjesë shumë bashkëqytetarë të tij. / KultPlus.com