Komuna e Ferizajit ka njoftuar se këshilli Drejtues i Teatrit “Adriana” në Ferizaj, nga sot ka përbërje të re, shkruan KultPlus.
Përbërja e re erdhi si rezultat i mandatit 4-vjeçar të këtij mekanizmi, të paraparë me Ligjin për Teatro si dhe Statutin e Teatrit “Adriana” në Ferizaj.
Anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Teatrit “Adriana” të caktuar me vendimin nr. 183/22 të Kryetarit të Komunës, Agim Aliu janë: Nexhat Xhokli, Mevlan Saraçi, Leonora Hasani, Albion Sherifi – Përfaqësues nga Komuna dhe Uratë Shabani.
“Këshilli Drejtues i Teatrit “Adriana” në mandatin që la pas, arriti të krijoj infrastrukturën e nevojshme ligjore për funksionimin e Teatrit “Adriana”, si miratimin e Statutit të Teatrit “Adriana”, rregulloren e brendshme të punës, repertorin e rregullt të shfaqjeve teatrore, miratimin e projekteve artistike e politikave afatgjata teatrore, rezultate këto dhe të tjera që bëjnë Teatrin “Adriana”, një nga institucionet kulturore më aktivet në vend si dhe padyshim lidere në skenën teatrore vendore”, thuhet në postimin e Komunës së Ferizajit. /KultPlus.com