Komuna e Prishtinës lanson garën e fotografisë ‘Prishtina n’shpi’

Komuna e Prishtinës dhe Kolektivi Andrrat Moderne në bashkëpunim me artistë, dizajnerë dhe fotografë të qytetit, fton qytetarët e vet të marrin pjesë në garën e fotografisë ‘Prishtina n’shpi’

Fotografitë duhet të jenë reflektim i jetës në shtëpi, të pasqyrojë hapsinat e brendshme, jetën në vetminë apo shoqërinë e katër mureve, njerëzit dhe kafshët me të cilat ndani jetën, pamjet nga dritaret e shtëpisë, dhe emocionet që sjellë përditshmëria në izolim.

Pjesëmarrësit ftohen të ndajnë imazhe të cilat ilustrojnë shtëpinë si ambient të mundshëm pune, loje, muzike, vallëzimi, arti, dashurie, rritje, frike apo agonie. 

Të drejtë pjesëmarrje kanë të gjthë qytetarët e Prishtinës dhe fshatrave të Komunës së Prishtinës. Pjesëmarrësit ftohen ti dërgojnë deri në 5 fotografi të shkrepura me mobil apo aparat, në të gjitha formatet e mundshme, nga data 29 Prill deri më 06 Maj, 2020.

Fotot duhet të dërgohen në emailin [email protected]

Secili pjesëmarrës i përzgjedhur do të marr një libër kurse tre fituesit e garës shpërblehen me:

Vendi i parë 500 euro

Vendi i dytë 300 euro

Vendi i tretë 100 euro

Juria e kësaj gare është trup i pavarur nga organet e Komunës së Prishtinës. Kjo juri përbëhet nga qytetarë të Prishtinës, profesionistë në fushën e fotografisë, artistë dhe tregimtarë të dëshmuar të cilët kanë lirinë e plotë përzgjedhëse. Juria do të përzgjedhë deri në 200 foto të cilat më pas do të publikohën në webin www.prishtina.photos, në një libër fotografik dhe do të jenë pjesë ekspozitës N’SHPI që organizohet nën Patronatin e Kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, pas kalimit të pandemisë.

PRISHTINA N’SHPI, si aktivitet kulturor ka për qëllim involvimin mbarë-qytetarë në dokumentimin e jetës së tyre në izolim si masë mbrojtëse nga shpërndarja e COVID 19. Kjo garë më pas përzgjedhë fotot më të mira të këtij dokumentimi për ti publiku ato në web-in www.prishtina.photos, libër dhe ekspozitë, të gjitha të konceptuara dhe organizuara në bashkëpunim me profesionistë të qytetit. / KultPlus.com