“Download” shndërrohet në “festival virtual”

“Download” do të transformohet në një “festival virtual”, pasi ngjarja treditore ishte anuluar më herët për shkak të përhapjes së koronavirusit. Festivali i muzikës rok, i cili mbahet çdo vit në Donington Park të Leicestershires, duhej të mbahej prej 12 deri më 14 qershor.

Por organizatorët tani kanë vendosur që t’i transmetojnë drejtpërsëdrejti muzikën, intervistat dhe performancat e papara të pjesëmarrësve, në po këto data. Synimi është që përvoja e festivalit të “përçohet në dhomat e ditës” të adhuruesve. Organizatorët kanë bërë të ditur hollësitë lidhur me performancën do të bëhen të ditura më vonë, por ende nuk janë caktuar bendet që do të përfshihen në projektin unik të sivjetmë.

Në organizimin fillestar ishte paraparë që të merrnin pjesë grupet e njohura si “Iron Maiden”, “Kiss” dhe “System of A Down”. “Download” do të rikthehet sërish më 2021, por “Download Festival TV” do të transmetohet direkt në vend të ngjarjes së sivjetme, transmeton KOHA.

Një zëdhënës i manifestimit ka bërë të ditur se organizatorët shpresojnë që kjo mënyrë e organizimit do t’ua rikrijojë adhuruesve të rokut “fundjavën më të mirë verore në ambiente të sigurta dhe në rehatinë e shtëpive”.

Si rrjedhojë, adhuruesve u është kërkuar që të ngrenë tenda në oborret e tyre dhe të dërgojnë fotografi të përvojës së tyre virtuale të festivalit, por, megjithëkëtë, janë rikujtuar që t’u përmbahen udhëzimeve për mbajtjen e distancës sociale. “Ju trimërojmë që të na bashkoheni në këtë festival përmes videokonferencave”, kanë shtuar organizatorët.

Pamjet e drejtpërdrejta do të transmetohen përmes Facebookut, Twitterit, Instagramit dhe YouTubes. / KultPlus.com