80 vjet nga mbajtja e Konferencës së Pezës

Më 16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare me synim që të formohej një front i përbashkët lufte kundër okupatorit.

Konferenca mori disa vendime të rëndësishme:

1- Krijimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, ku do të bënin pjesë antifashistë pa dallim feje, krahine dhe ideje.

2- Mobilizimin e popullit në luftë kundër pushtuesve fashistë.

3- Ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtarë në të gjithë vendin.

4- Rreshtimin e Shqipërisë përkrahë koalicionit antifashist anglo-sovjeto-amerikan.

5- Krijimin e një Shqipërie të lirë, të pavarur e demokratike pas lufte.

Sa për çështjen e rikthimit të Mbretit Zog u vendos që vendimi të merrej pas lufte nga vetë populli shqiptar. Lidhur me çështjen e Kosovës, u arrit në përfundimin që ajo të zgjidhej pas luftës, mbështetur në të drejtën e vetëvendosjes.

Në fund të punimeve Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, me kryetar Kamber Qafëmolla. / KultPlus.com

78-vjetori i Konferencës së Pezës, Meta: Pezë do të thotë Shqipëria mbi të gjitha

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përkujtuar sot 78-vjetorin e Konferencës së Pezës.

“Pezë do të thotë bashkim, kushtrim dhe qëndresë, pa dallim feje, krahine dhe ideje në mbrojtje të interesit kombëtar”, është shprehur Meta.

“Mesazhet që përcjell edhe sot, pas 78 vitesh, Konferenca e Pezës janë më aktuale se kurrë për të lënë mënjanë ndasitë e interesat afatshkurtra, dhe për t’u bashkuar kundër një pushtimi të ri nga një sekt e një bandë oligarkësh që kanë uzurpuar institucionet dhe kanë marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari dhe atë europiane të vendit tonë”, ka nënvizuar Meta.

“Peza është një amanet: Besa-besë për të shpëtuar Shqipërinë! O sot o kurrë”, ka përfunduar Meta.

Më 16 shtator të vitit 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, e cila pati për qëllim organizimin e forcave të ndryshme politike në një luftë të përbashkët kundër Italisë fashiste. Më vonë ky organizim mori emrin Fronti Nacional-Çlirimtar. / atsh / KultPlus.com