Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka çelur të hënën sesionin e dytë të saj, që do të vazhdojë deri më 26 tetor e për t’i lënë më pas vendin sesionit të tretë dhe të fundit.
Tomi Frashëri, kryetari i Sekretariatit teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, edhe ky sesion do të ketë një numër të konsiderueshëm studiuesit që do parashtrojnë këndvështrimet e tyre për figurën e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. “Sot do të nisim me Profesor Dhori Qiriazin, që vjen nga Athina. Po ashtu gjatë këtij sesioni do të kemi dhe figura të njohura, këtu po përmend Profesor Aleksandër Meksin, apo Profesor Luan Malltezin. Parashikohet që ky sesion të zgjasë deri më 26 tetor.
Më datat 1-3 nëntor do të kemi seksion maratonë me ligjërata të shkurtra. Do jenë rreth 40 studiues me këto kumtesa. Kjo Konferencë po jep fryte të rëndësishme në jetën akademike dhe duket se do të jetë një rast shumë i mirë për tu mbledhur për trajtesa të reja dhe gjurmët që ka lënë në histori Heroi ynë Kombëtarë Skënderbeu”, tha Frashëri
“Urojmë që mbulimi medatik të jetë i duhuri por dhe interesi publikut gjithashtu, pasi ky aktivitet e vlerëson në optikën shkencore figurën e Skënderbeut e jo atë politik apo tjetër natyre. Qeveria për këtë arsye i jep rëndësi kësaj kumtese. Vitin e ardhshëm këto kumtesa do të mblidhen e do të botohen”, tha Frashëri gjatë intervistës për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Profesor Dhori Qiriazi, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në kuadër të Konferencës Mbarëkombëtare të Skënderbeut rrëfeu zbulumin e tij mbi një shkrim të bërë nga Thimi Mitko.
“Ligjërata ime merr shkas nga një dokument që kam zbuluar në arkivin Shtetëror Shqiptar, këtu në Tiranë, para disa vitesh të Thimi Mitkos. Një dorëshkrim prej 15 faqesh që flet për një polemikë të Mitkos me historianin grek Konstandinos Paparigopulos. Ky i fundit konstaton apo korrigjon, që sipas tij, Skënderbeu nuk është aspak shqiptar, por me origjinë sllave. Mitko Sapo lexon këtë shkrim të Paparigopulosit shkruan një letër të gjatë e ku i ndërvihet me dokumente dhe në mënyrë emocionale dhe thekson se Skënderbeu nuk është vetëm gjak shqiptari, por është frymëzim për popullin shqiptar. Po ashtu me Rilindasit e tjerë, Mitko ka kuptuar se për t’u bërë Shqipëria, që ishte një vreshtë e lënë djerrë duhen bërë njerëzit shqiptarë dhe kjo bëhet përmes Skënderbeut dhe ringritjes së figurës së tij, duke u kthyer në një maja të ngjizjes së popullit shqiptar. Është diçka shumë e rëndësishme, e realizuar mirë dhe e menduar mirë”, tha Qiriazi.
“Për mua, shtoi ai, Skënderbeu është një burim frymëzimi, është një hero, një mbi hero. Populli shqiptar ka një mallkim, “varrë mos-gjendur”, por Skënderbeu është një varr-bekuar, varr kudogjendur. Siç thoshte Kadareja, Skënderbeu e ka varrin në Gjakun e Arbrit, e të Shqiptarit dhe unë do shtoja që Skënderbeu e ka varrin në frymën e lirë në dëshirën për liri, dhe frymëzon liri për ato persona që luftojnë për liri, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën”, tha Qiriazi
Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha./KultPlus.com