Le Matin, 1904: Botimi i fjalorit shqip-greqisht është një ngjarje e jashtëzakonshme

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Maj 2020

“Le Matin” ka botuar, të dielën e 18 dhjetorit 1904, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me botimin e fjalorit “shqip – greqisht” të dijetarit dhe atdhetarit të njohur shqiptar, Kostandin Kristoforidhit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Greqia dhe Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një dijetar shqiptar, Kostandin Kristoforidhi, i lindur në Elbasan, vdiq në vitin 1895, i cili kishte studiuar në gjimnazin grek të Janinës, ndërmori gjatë jetës së tij dhe përfundoi një fjalor shqip-greqisht, një vepër absolutisht të plotë, të cilën për fat të keq ai nuk mundi ta botonte, pasi vdekja e befasoi atë në mes të punëve të tij të shumta.

Dhe tani ëndrra e Kristoforidhit, i cili pati punuar me guxim për bashkimin e Shqipërisë dhe Greqisë, u realizua sot, dhe vepra e tij kombëtare, rezultati i njëzet viteve të punës së palodhur, shfaqet në dritë në formën e një vëllimi të bukur prej pesëqind faqesh.

Botimi i këtij fjalori mund të konsiderohet një ngjarje akoma dhe më e jashtëzakonshme për arsye se kundërshtarët e idesë greko-shqiptare, të mërzitur se nuk arritën të blejnë atë që konsiderohet me të drejtë një thesar kombëtar, pavarësisht arit që i kishin ofruar autorit, u nxituan të shpallnin se grekët, duke dëshiruar që gjuha shqipe të zhdukej me kalimin e kohës, kishin djegur dorëshkrimin e Kristoforidhit.

Sot është kënaqësi që Greqia i ofron kombit fisnik shqiptar veprën e çmuar të Kristoforidhit, duke paguar kështu një borxh në kujtim të atij që kishte bindjen e palëkundshme që, nga përhapja e gjerë e letërsisë greke në mesin e popullit shqiptar, ky i fundit do të arrinte të formonte gjuhën e vet, ta ngrejë atë, ta fisnikërojë dhe ta bëjë të denjë për përpjekjet e tij civilizuese dhe mendimet e tij fisnike. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-matin-1904-endrra-e-dijetarit-shqiptar-kostandin-kristoforidhi-sapo-u-realizua-botimi-i-fjalorit-te-tij-shqip-greqisht-eshte-nje-ngjarje-e-jashtezakonshme/?fbclid=IwAR0HHGN_JYcR2swurREHkbbkHyNiJTVe7HofeRCE8F6gdT7LuZmmC4dx0-o

Nis puna për restaurimin e dorëshkrimit të Kristoforidhit “Gjahu i Malësorëve” i vitit 1884

Në laboratorin e arkivit të shtetit, ka nis puna për restaurimin e një dorëshkrimi të rrallë, bëhet fjalë për  tregimin  “Gjahu i Malësorëve”  i Kostandin Kristoforidhit. Tregimi i shkruar në 1884 , nuk e pa dritën e botimit në të gjallë të autorit.

Restauratorja Marinela  Ndria  pranon se dëmtimi është i madh, ky dorëshkrim ka ardhur në arkivin e shtetit nga muzeu etnografik i Elbasanit.

Vështirësitë qëndrojnë kryesisht në ngjitjet  e shumta të fletëve me skoç.

Ky dorëshkrim kërkon  një kohë të gjatë për tu restauruar.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 190-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit dhe përkthyesit Kostandin Kristoforidhi,  prezantoi editimin dixhital të veprës “Gjahu i malësorëvet”, tregimin e parë të prozës artistike shqipe, shkruar nga autori në dy dialektet e shqipes, gegnisht dhe toskërisht.

Tregimi u botua mbas vdekjes së Kristoforidhit te “Albania” e Konicës më 1902 dhe pati disa botime të mëtejshme, duke sprovuar dy trajta gege, atë veriore dhe atë më të ndërmjetme të Elbasanit, si dhe dialektin toskë.

Në laboratorin e restaurimit në arkiv, tashmë mund të restaurohen edhe dokumente që posedojnë koleksionistët privat.

Ndërkohë që specialistët, konservojnë dokumente të rëndësishme që ruhen në arkivin qëndror të shtetit dhe institucione të tjera shtetërorë.  Postera filmi dhe çdo dokument letre. /abcnews.al /KultPlus.com

125 vjet nga vdekja e Konstandin Kristoforidhit, studiuesit të shquar të gjuhës shqipe

Kristoforidhi lindi në Elbasan, ishte përkthyes i Biblës, studiues i gjuhës shqipe dhe njëri ndër personat më me ndikim në periudhën e Rilindjes Kombëtare, shkruan KultPlus.

Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën, është Fjalori i gjuhës shqipe me 11.675 leksema, i përpiluar në toskërishte me alfabet të mbështetur në shkronja greke dhe i botuar më 1904 në Athinë.

Ky fjalor është fryt i një pune njëzetvjeçare. Në të janë përjashtuar shumica e huazimeve, veçanërisht e orientalizmave dhe greqizmave dhe bëhen përpjekje për të shpjeguar etimologjinë e fjalëve.

Kristoforidhi gjithashtu ka lënë tregimin e parë prozaik origjinal në gjuhën shqipe e njëkohësisht tregimin e parë për fëmijë, Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit) në të dy kryedialektet. Shkruar më 1884 dhe botuar për herë të parë më 1902 nga “Albania” e Konicës në Londër.

Paraqiti disa nga idetë e rilindësve për njësinë e Shqipërisë autonome, për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve, si edhe gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes në punimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860). U vendos mësues në Tunis deri më 1865, kur hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll. Botoi më 1866 përkthimin e parë gegërisht “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” dhe vijoi për shumë vjet përkthimet: Psallmet (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), Dhiata e re (gegërisht 1869, toskërisht 1879), Të bërët dhe të dalët (toskërisht 1880), Bleni i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Bibla e Isaisë (toskërisht 1884).

Ka lënë dorëshkrim Krijesa dhe të dalët gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri që nga viti 1870 për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t’u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Shoqëria Biblike i ndërpreu marrëdhëniet me të më 1874 pa paralajmërim, sepse u vërtetua që ai nuk besonte në frymëzimin hyjnor të Biblës.

U detyrua të shiste dru e qymyr e të hapte një pijetore në Tiranë, por jepte fshehurazi mësime të shqipes. Në vitin 1884 u vendos në Elbasan, ku vijoi të jepte shqipen fshehurazi derisa vdiq. / KultPlus.com