Parku natyror “Korab-Koritnik”, shenjim shtegut që lidh liqenin me Majën e Kallabakut

Shtegu malor që lidh Liqenin e Kallabakut me Majën e Kallabakut, një nga zonat më të bukura dhe të paprekura të Parkut Natyror Korab-Koritnik është një ndër të preferuarit e të pasionuarve pas ngjitjeve në mal.

Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës turistike dhe promovimit të ruajtjes së natyrës brenda Parkut Natyror “Korab-Koritnik”, stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës ka realizuar shenjimin e këtij shtegu.

Shënimi i shtegut synon të lehtësojë orientimin e vizitorëve dhe të nxisë një turizëm të qëndrueshëm, në përputhje me vlerat natyrore dhe biodiversitetin që mbrohen në këtë zonë.

Parku Korab-Koritnik përfaqëson një zonë me sipërfaqe shumë të madhe dhe ndodhet në vargun malor të Korabit, midis lumenjve Drini i Zi dhe Drini i Bardhë, në lartësitë nga rreth 800m në 2,754m (maja e Korabit) si dhe në kufi me shtetet fqinje, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Është vargu malor më i lartë, më kompakt dhe me reliev më të larmishëm në vendin tonë, ku ndërthuren forma dhe mbetje të relievit të periudhave apo etapave të ndryshme të këtij evolucioni./atsh/KultPlus.com

Korab-Koritnik, shtegu ‘Bele-Zbinec-Stanet e Pobregut’ më i vizituari në vjeshtë nga turistët

Vjeshta është stina e preferuar e të pasionuarve pas ngjitjeve në parkun natyror Korab-Koritnik.

Një ndër shtigjet më të preferuara për turistët është “Bele – Zbinec – Stanet e Pobregut”, pjesë e këtij parku.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Kukës ndau në rrjetet sociale pamje nga ngjitja në këtë park e një grupi turistësh.

“Shtegu ‘Bele – Zbinec – Stanet e Pobregut’, pjesë e Parkut Natyror “Korab-Koritnik” është një ndër destinacionet turistike më të bukur dhe më të vizituar nga turistët. Shtegu ka një shkallë vështirësie mesatare. Përgjatë këtyre muajve, ai ofron ngjyra vjeshtore të mrekullueshme”, theksoi ADZM Kukës.

Parku natyror Korab-Koritnik nga muaji janar deri në shtator u vizitua nga 39 735 turistë, nga të cilët 18810 vendas dhe 20925 të huaj.

Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës./atsh/KultPlus.com

Mbi 8 400 vizitorë këtë vit shijuan bukuritë e parkut natyror Korab-Koritnik

Parku natyror Korab-Koritnik po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj me bukuritë e tij natyrore  dhe peizazhet mbresëlënëse.

Në muajt janar-qershor ka pasur një fluks të shtuar të vizitorëve në këtë park, që shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “nga 1 janari deri më 30 qershor ky park është vizituar nga 8415 vizitorë, nga të cilët 5930 vendas dhe 2485 të huaj”.

Një ndër shtigjet e preferuara për turistët është Shtegu i Ngjyrave, i cili kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit.

Ardian Musaj, guidë turistike në këtë qytet thekson se “vetëm në shtegun e ngjyrave ka pasur një numër të lartë vizitorësh vendas si dhe të huaj kryesisht gjerman, belg, amerikanë, zviceranë dhe anglezë”.

Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal kanë mundësi të vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve të mbuluara me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.

Gjurmët e këtij shtegu vijnë që nga lashtësia në kohën e krishtërimit. Mendohet se është një shteg 2400 vjeçar, i quajtur ” Scardus” nga romakët, që në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme. I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohet që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Evropë./atsh/KultPlus.com