Parku Kombëtar i Butrintit ka regjistruar një numër rekord vizitorësh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Në periudhën janar-qershor 2025, Butrinti mirëpriti 105,615 vizitorë. Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kjo shifër përkthehet në 71% më shumë vizitorë dhe në 76% më shumë të ardhura.
Këto shifra janë një tregues i qartë i rëndësisë dhe potencialit të jashtëzakonshëm që ka trashëgimia jonë kulturore dhe natyrore. Butrinti përveç se është krenari kombëtare është gjithshtu në listën e pasurive botërore të UNESCO-s.
Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet në brigjet e detit Jon.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar.
Ky park është një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik. /atsh/ KultPlus.com
Parku Arkeologjik i Apolonisë, Muzeu i Bankës së Shqipërisë dhe Qendra Muzeore Durrës prezantuan ekspozitën fotografike mbi aspektet më të spikatura të zhvillimeve arkeologjike, tregtare dhe ekonomike të dy qyteteve antike, Apoloni dhe Dyrrah.
Kjo ekspozitë e hapur në mjediset e Parkut Arkeologjik të Apolonisë vjen si një histori e rrëfyer përmes monedhave, që nga antikiteti deri në ditët e sotme.
“Monedha në këtë qytet është e lidhur me financimin e veprimeve ushtarake, me luftën. Stateri pritej për të paguar mercenarët dhe për të financuar veprimet ushtarake. Më pas, drahmja u pre për tregtinë, sepse u zhvilluan edhe qytete të tjera ilire, tregje rajonale, dhe për këtë arsye priten më shumë monedha, u zhvillua më shumë tregtia dhe pati më shumë qarkullim monetar”, u shpreh Alba Selita, eksperte e numizmatikës.
Prerja e monedhave daton që në shekujt VII–VI para erës sonë, në Dyrrah dhe Apoloni, duke dëshmuar për një zhvillim të fortë ekonomik të këtyre vendeve në atë periudhë.
“Ishte një monedhë shumë e fortë dhe mendoj që vazhdon të mbetet e tillë. Edhe në periudhën kur i gjithë territori i Ilirisë kthehet në një domein të Perandorisë Romake, qyteti i Apolonisë mbetet i lirë dhe i pavarur, ndryshe nga qytetet e tjera që kthehen në koloni, dhe vazhdojnë akoma të përdorin monedhën e tyre brenda territorit me shkëmbimet që kishin, pavarësisht se monedha kryesore në atë kohë ishte ajo romake”, tha për mediet Ornela Dyrmishi, drejtore e Parkut Arkeologjik, Apoloni.
Çelja e një ekspozite të tillë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë ka për synim tërheqjen e vizitorëve dhe njohjen e të huajve me zhvillimin në kohën ilire, monedhat e të cilëve janë gjetur edhe në vende të tjera, si në Maqedoninë e Lashtë, Itali, Greqi, Azi të Vogël dhe Egjipt, si rezultat i shkëmbimeve tregtare. /atsh/ KultPlus.com
Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim, në Bylis u zhvillua një takim në terren me përfaqësues të IKTK, AICS, Njësitë e Administrimit dhe të Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni-Bylis dhe konsulentët e kontraktuar.
Takimi kishte si qëllim koordinimin e punës për hartimin e projektit të Qendrës Multifunksionale dhe Planit të Konservimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit.
Ky projekt përbën një hap të rëndësishëm në zbatimin e Planit të Menaxhimit të parkut, të cilin IKTK mbështet dhe ndjek me përkushtim, në funksion të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
Parku arkeologjik i Bylisit shtrihet në zonën e Mallakastrës, rreth 1.5 km larg fshatit të Hekalit dhe rreth 8 km larg qytetit të Ballshit. Parku Arkeologjik i Bylisit dhe rrënojat arkeologjike të Klosit paraqiten sot si përfaqësuesit më tipikë të qytetërimin ilir në shekullin V-I p. Kr., dhe gjithashtu si një pol i ri për zhvillimin e turizmit kulturor me potencialin për të pasuar ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të krahinës së Mallakastrës. / atsh/ KultPlus.com
Një tjetër thesar i trashëgimisë sonë kulturore “u ringjall” në Parkun Arkeologjik të Amantias.
Godina antike në agoranë, tashmë është e restauruar dhe gati për të pritur vizitorët e apasionuar pas antikitetit.
Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë realizuan me sukses restaurimin e godinës antike në zonën publike të qytetit të lashtë të Amantias. Gjatë procesit, u identifikuan dhe u përdorën disa prej blloqeve origjinale për të plotësuar muraturën. Godina rifitoi vertikalitetin dhe u ekspozua dyshemeja me pllaka guri, e ruajtur në gjendje shumë të mirë.
Ky monument i saporestauruar, i shtohet pasurisë së Parkut Arkeologjik të Amantias, duke e bërë atë një pikë të re referimi për të gjithë dashamirësit e historisë dhe kulturës sonë kombëtare.
Prej disa vitesh, në Antigone po zhvillohen gërmime arkeologjike nga ekspedita italo-shqiptare, që synojnë zbulimin e teatrit antik. Studimet tregojnë se ky teatër mund të ketë një kapacitet të ngjashëm me atë të Butrintit, duke e kthyer atë në një tjetër atraksion me rëndësi të madhe historike dhe turistike.
E ndërtuar në shekujt III-II para erës sonë nga Piro i Epirit, qyteti antik ende i pazbuluar, mban emrin e gruas së tij, Antigonës, dhe mbetet një dëshmi e lashtësisë ilire. Në periudhën e mesjetës qyteti vazhdoi të zhvillohej dhe të ndërtohej dhe pas periudhës së rënies së tij, ai u la në harresë për mijëra vjet.
Në Parkun Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër vijojnë ekspeditat për zbulimin e teatrit antik. Drejtori i këtij parku, Shkëlqim Guçe bën me dije se teatri në Antigone mund të ketë një kapacitet të ngjashëm me atë të Butrintit, ndaj zbulimi i tij do të ishte një vlerë e shtuar historike, por edhe turistike./balkanweb/ KultPlus.com
Projekti për rehabilitimin e parkut të liqenit të Ulëzës do të mundësojë një infrastrukturë cilësore duke nxitur turizmin në zonë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale punime nga ky kantier, i cili do të rivitalizojë gjithë zonën, duke përfshirë edhe hidrocentralin e Ulëzës në itinerarin turistik.
Rama vlerësoi rëndësinë e këtij projekti në rilindjen e gjithë zonës së parkut natyror të Ulëzës, një prej destinacioneve ekoturistike më interesante në Qarkun e Dibrës.
“Liqeni i Ulëzës kremton sot shpalljen “Park Natyror” duke qenë një prej destinacioneve ekoturistike më interesante në Qarkun e Dibrës, ku prej disa muajsh po implementohet projekti mbi Rehabilitimin e Parkut dhe zonës përreth tij që do të mundësojë infrastrukturë cilësore, shtigje të reja natyrore, krijim të hapësirave rekreative, Qendër Vizitorësh, restaurim të urave simbol si edhe rivitalizimin dhe përfshirjen e hidrocentralit të Ulëzës në itinerarin turistik duke e rilindur krejt këtë zonë”, u shpreh Rama.
I shtrirë në një zonë ku ndërthuren bukuritë natyrore me trashëgiminë materiale shpirtërore, Parku i Ulëzës krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e ekoturizmit, turizmit eksplorues, e atij gjithëvjetor./atsh/ KultPlus.com
Parku Arkeologjik Butrint mirëpriti 200,570 vizitorë gjatë vitit 2024, 68.4% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Lajmin e dha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili u shpreh se, “ky sukses vjen, jo vetëm si rezultat i promovimit të trashëgimisë sonë kulturore, por edhe i transparencës së plotë në menaxhimin dhe deklarimin e biletave, duke garantuar një administrim të drejtë dhe të besueshëm të të ardhurave”.
Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit.
Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon drejt fushëgropës së Delvinës.
Në brendësi të parkut gjendet qendra kryesore arkeologjike e Butrintit, ndërsa përreth saj ka edhe monumente të tjera që dëshmojnë për qytetërim mbi 3000-vjeçar. Gjithashtu në brendësi të tij dhe afër tij ka disa monumente natyre me vlera shkencore, didaktike dhe turistike.
Një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në sh.IV p.e.s.
Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në Gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik. /atsh/ KultPlus.com
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer në një destinacion të turizmit të vrojtimit të shpendëve dhe jo vetëm, ku dominojnë më shumë flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të flamingove mbi lagunën e Karavastasë, që gjithnjë e më shumë prej kur ky park u shpall zonë e mbrojtur, po tërheqin vizitorë të shumtë.
“Fundjava e parë e 2025 me diellin që shkëlqen pavarësisht të ftohtit, është një moment i mirë për të vizituar një nga veprat më të përkryera të natyrës, Lagunën e Karavastasë”, shkruan Rama.
Flamingot janë shpendë që migrojnë në vendet e ngrohta dhe parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta, ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur, në vendin tonë habitati i këtij lloji është Laguna e Nartës, Karavastasë, por edhe liqeni i Pogradecit.
Flamingot ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit.
Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.
Laguna e Karavastasë radhitet në lagunat me rëndësi të madhe si zonë e rëndësishme për llojet shtegtare dhe si habitat i mbi 20,000 shpendëve dimërues.
Gjatë verës, laguna frekuentohet dhe nga shpendë të tjerë. Ajo është e njohur për koloninë e madhe të pelikanit kaçurrel, e vetmja pikë folenizimi bregdetar të Shqipërisë.
Ndalimi i gjuetisë për një periudhë të caktuar ka sjellë shtimin e dukshëm të kolonisë së pelikanëve, madje edhe të flamingove, të cilat ishin tepër të rralla./atsh/ KultPlus.com
Bashkia e Tiranës ka vendosur të nderojë legjendën e artit shqiptar, Mirush Kabashi, duke i dhënë emrin e tij Teatrit te Parku i Madh i Liqenit Artificial.
Ky vendim vjen si një mënyrë për të përjetësuar kujtimin dhe kontributin e një prej figurave më të shquara të skenës shqiptare.
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se “duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të kryeqytetit”.
“Propozimi për emërtimin e Teatrit në Parkun e Madh të Liqenit Artificial me emrin “Mirush Kabashi” është një iniciativë që nderon një nga figurat më të shquara të artit shqiptar. Përtej vlerës simbolike, ky vendim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Mirush Kabashi, një aktor me një karrierë të jashtëzakonshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka përfaqësuar kombin tonë në skenat më prestigjioze ndërkombëtare, duke transmetuar mesazhe universale përmes artit të tij. Vendimi për të emërtuar teatrin me emrin e tij përfaqëson një njohje të këtij kontributi monumental dhe një frymëzim për brezat e rinj të artistëve dhe qytetarëve. Duke i dhënë emrin “Mirush Kabashi” një hapësire që i dedikohet ekskluzivisht artit, ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por gjithashtu investojmë në një të ardhme ku vlerat artistike dhe kulturore do të lulëzojnë në zemër të qytetit, një nga pikat më të frekuentuara për të parë për të bërë dhe për të konsumuar art”, tha Veliaj.
Mirush Kabashi, u nda nga jeta një vit më parë në moshën 75-vjeçare, është ndër artistët më të vlerësuar të historisë së teatrit dhe kinemasë shqiptare.
Ai interpretoi mbi 100 role në teatër dhe 30 personazhe në kinematografi, ndërsa shfaqja e tij “Apologjia e vërtetë e Sokratit” mbetet një moment historik për kulturën tonë.
Në karrierën e tij është nderuar me mbi 90 çmime dhe është aktori më i vlerësuar jashtë trevave të Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 role në teatër dhe mbi 30 personazhe në kinematografi.
Kabashi është nderuar edhe me titujt “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i madh i skenës”, “Nderi i Kombit”, të akorduara nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe shumë tituj të tjerë të akorduar nga institucione të ndryshme qendrore, lokale apo ndërkombëtare./atsh/ KultPlus.com
Parku Divjakë-Karavasta është një prej aseteve më të çmuara të pasurive natyrore, por edhe destinacion ekoturistik, që vetëm në muajin shtator ka pritur mbi 37 mijë vizitorë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shkroi në rrjetet sociale se, ditëlindja e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, u kremtua me një “tryezë të gjelbër”, mbushur plot me bashkëpunëtorë dhe të rinj, të cilët japin me pasion dhe përkushtim kontributin e tyre të vazhdueshëm për mjedisin dhe zonat e mbrojtura.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, e përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Është shpallur edhe si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022 ky park u zgjerua nga 22 230.2 ha në 22 389.08 ha.
Shtrihet si një hark i gjelbër anës detit Adriatik, gjendet rreth 5 km larg qytetit të Divjakës dhe afro 70 km larg Tiranës. Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.
Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore rreth 51 000 individë, dhe rreth 500 çifte folenizues në Shqipëri. 89 specie të ndryshme që përfaqësojnë grupet e molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të pranishme në zonën e parkut, janë konsideruar si të kërcënuara në Shqipëri. 42 specie i përkasin kategorive shumë të rrezikuara, duke përfshirë rrezik kritik, të rrezikuara dhe vulnerabël. Është, pa dyshim, zona më e rëndësishme e mbrojtur përgjatë hapësirë sonë bregdetare, madje nga më të rëndësishmet në brigjet e Mesdheut. /atsh/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti kanë zhvilluar një vizitë në “Parkun Arkeologjik- Ulpiana” ku nga afër kanë parë rezultatet e ekspeditës së këtij viti nga arkeologët që po vazhdojnë punën për zbulime të reja.
Ministri Çeku me këtë rast ka thënë se janë është duke u zgjeruar hulumtimi dhe gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana, aty ku vitin e kaluar u zbulua mbishkrimi, dedikim nga Perandori Justinian për Dardaninë, vendin e tij të origjinës.
“Bashkë me kryeministrin Albin Kurti i pamë nga afër rezultatet e ekspeditës së këtij viti, takuam arkeologët që po vazhdojnë punën për zbulime të reja në këtë hapësirë.
Kjo është bërë më e lehtë tashmë që është marrë vendimi përfundimtar për shpronësim të pronave përreth dhe ato janë në pronësi të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Ministri Çeku në facebook./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente të veçanta nga Parku Kombëtar i Shebenikut.
Në këtë park mund të shihet me sy të lirë shiu i meteorëve, duke ofruar një përvojë të kompletuar të turizmit natyror.
Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga eventi i përvitshëm organizuar nga “Shebenik Egnatia Explorers”, në Parkun Kombëtar të Shebenikut, nga ku “shiu i meteorëve duket me sy të lirë dhe atraksionet e parkut të ftojnë për një përvojë të kompletuar të turizmit natyror”.
Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.
Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para Krishtit, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës për këdo që dëshiron të vizitojë Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.
Po ashtu në Shebenik janë liqenet karstike, liqeni i Fushë-Studnës, Vlaska, Fusha e Dorëzit, Bredhi i Fushë-Kuqes, Rrapi i Taksimit, Shkalla e Skënderbeut, Gurra e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.
“Shiu i meteorëve”
Një herë e një kohë mendohej se yjet në rënie ishin lotët e Shën Lorencit, i martirizuar në vuajtje. Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë për yje të vërteta, por për mbetjet e perseidi, që e kanë origjinën nga kometa suift-tuttle, e zbuluar në 1862 nga astronomi italian Giovani Vrginio Schiaparelli.
10 gushti është dita e përcaktuar në kalendarin fetar, por sidoqoftë, për të parë më mirë shiun e meteorëve, duhet pritur 12 gushti, kur perseidet janë më të dukshme në qiell.
Kulmi shënohet natën mes 12 dhe 13 gushtit, rreth orës 22 të mbrëmjes, aq sa mund të shihen deri në 50 meteorë në orë. Por duhet patur kujdes nga ndotja nga ndriçimi; për të admiruar yjet që bien më mirë, duhet zgjedhur një vend i errët, larg nga qytetet, e nëse është e mundur në lartësi.
Astronomët sugjerojnë se duhet parë në drejtimin veri lindje, në natë të plotë, kur hëna ka perënduar./atsh/ KultPlus.com
Një tjetër varr monumental është zbuluar në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias.
Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se kjo është një dëshmi e gjallë e ekzistencës së qytetërimeve të lashta ilire dhe një vlerë e shtuar e trashëgimisë e historisë sonë, që shumë shpejt do të jetë pjesë e tureve dhe guidave turistike.
Rama shtoi se, gërmimi arkeologjik u bë nga një ekip arkeologësh dhe restauratorësh të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, të cilët zbuluan dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë, ndërkohë që po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin e gjetur.
Varret monumentale kanë një arkitekturë të veçantë dhe histori mijëravjeçare.
Ekzistenca e këtij varri është pretenduar gjatë gërmimeve arkeologjike të shpëtimit të realizuara në vitin 2020, kur u zbulua varri i parë monumental në atë territor.
Brenda hapsirës së varrit monumental me blloqe guri, është ndërtuar një varr me muraturë tulle. Nga elementet e tjerë të zbuluar, tërheq vëmendjen suvatimi i hapësirës së brendshme të dhomës së varrimit.
Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë.
Përreth varrit monumental, u gjetën dhe dokumentuan edhe varre të tjera me tjegulla, të së njëjtës periudhë. Krahas masave paraprake të konservimit, specialistët e DRTK Vlorë po hartojnë edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin./atsh/ KultPlus.com
I cilësuar si një nga parqet Kombëtare më të vizituara për turizmin natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë, (birdwhatching) Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer në destinacionin e mijëra turistëve vendas e të huaj.
Drejtori i Administratës Rajonale Zonave të Mbrojtura Qarku Fier, Fotjon Prençe tha për ATSH-në se “nga janari deri në dhjetor të 2023 u vizitua nga 787 510 turistë, nga të cilët 603 920 vendas dhe 183 590 të huaj”.
“Vizitorët vendas e të huaj kanë treguar një interes të lartë për vëzhgimin e shpendëve në park, i cili është i mbrojtur më së miri nga moratoriumi i gjuetisë. Një nga vëzhgimet më interesante është edhe fluturimi i flamingove, mbi lagunën e Karavastasë këte vit ka patur një koloni prej 4600 individësh”, theksoi Prence.
Prence tha se “gjatë fundjavës që lamë pas në park u zhvillua edhe Censi i Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues në të gjitha ligatinat ujore të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, ku parku është ligatina më e madhe në vendin tonë dhe me numrin dhe llojet me të shumtë”.
“Gjithashtu gjatë vizitës në park mund të zhvillosh disa lloje aktivitetesh përveçse të njihesh me informacionin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta në Qendrën e Vizitorëve si ecje në natyre (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve, piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta, kajak dhe vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare, vëzhgim bimësh endemike, subendemike”, shtoi ai.
Në park janë evidentuar rreth 25 lloje gjitarësh, rreth 29 lloje zvarranikesh dhe amfibesh (duke përfshirë edhe breshkën e detit ) si dhe rreth 264 lloje shpendësh. Gjithashtu flora përbëhet nga rreth 250 lloje bimësh. Qendra e parkut ndodhet pranë plazhit të Divjakës, afërsisht 1.2 km në jugperëndim të hyrjes së parkut.
Plazhi i Divjakës është një rrip prej rëre të bardhë që kufizohet me një pyll pishash mesdhetare dhe përbën një destinacion të kërkuar plazhi për mijëra turistë./atsh/KultPlus.com
Parku natyror Korab-Koritnik gjithnjë e më shumë po vizitohet nga turistët vendas e të huaj.
I cilësuar si një nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë, ky park shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe në të mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “nga janari deri në dhjetor të 2023 parku u vizitua 56 501 turistë, nga të cilët 24 526 vendas dhe 36 825 të huaj”.
“Viti 2023 ka shënuar një rritje të vizitorëve në këtë park në të gjitha stinët e vitit. Më të preferuarit vijojnë të mbeten Shtegu i Ngjyrave, si dhe shtegu “Brekijë-Tërshenë-Shkalla e keqe”.
Gjana u shpreh se “një punë e mirë është bërë gjatë viteve të fundit edhe për shenjimin e shtigjeve për orientimin e turistëve të shumtë që vizitojnë këtë park”.
Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.
Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh/KultPlus.com
Parku Natyror i Qafështamës paraqet jo vetëm një pikturë të mrekullueshme natyrore, por edhe një zonë që ofron gjithçka; qetësi, shtigje, shumëllojshmëri bimësh, ujë burimi dhe shumë pasuri të tjera.
Për më tepër, parku Natyror i Qafështamës ndodhet fare pranë kryeqytetit, lehtësisht i arritshëm për të gjithë adhuruesit e natyrës por edhe për t’iu larguar qoftë edhe për një fundjavë monotonisë së qytetit.
Ndodhet në verilindje të qytetit të Krujës, në jug të malit të Skënderbeut, në qafën midis këtij mali dhe malit të Xibrit.
Vargjet malore ndërpriten tërthor nga luginat lumore të përrenjve Zezës dhe Drojës, që formojnë në gryka të thella e tepër të ngushta që presin vetëm vargun Krujë-Dajt.
Qafa Shtama e ndan vargun nga Mali i Xibrit. Në pellgun e Qafë Shtamës zënë fill dy përrenj me drejtim të kundërt, përroi i Qafë Shtamës dhe një degë e Lumit të Zezës.
Bimësia në përgjithësi është e pasur dhe e shumëllojshme, me shtrirje vertikale shumë të qartë. Parku shquhet për pyjet e tij të dominuara nga Pisha e Zezë dhe Ahu në lartësitë mbi 800900m ose me dushqe dhe shkozë poshtë këtyre lartësive.
Janë identifikuar disa lloje amfibësh dhe zvarranikësh mes të cilëve dhe salamandra. Nga shpendët takohen bufi, shqiponja e malit, huta grerëzangrënëse, krahëthati, gjeraqina, qukapiku i zi, korbi, thëllëza e malit, pëllumbat e egër, mëllenja, shapka malit etj.
Parku është bërthamë për gjitarët e mëdhenj, si ariu, ujku, dhelpra, kaprolli, kunadhja, derii i egër, lepuri i egër, ketri, nuselala.
Ndër burimet ujore përmendet Çezmja e Nënës Mbretëreshë, me ujë të pastër, të ftohtë dhe kurativ. Ndaj aty u ngrit qendra e kurimit të sëmundjeve të mushkërive. Njëherazi, vlerat e mëdha turistike lidhen edhe me pamjet spektakolare të majave të larta mbresëlënëse, të pishës dhe të ahut./atsh/KultPlus.com
Parku Kombëtar i Prespës, i ndodhur 45 minuta larg qytetit të Korçës, në këto ditë gushti ka tërhequr një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Korçë ndau momente nga vizita e turistëve në këtë park, i cili fron një potencial të madh për natyrën, biodiversitetin dhe kulturën që ka.
“Turistë të shumtë vizitojnë Parkun Kombëtar të Prespës gjatë sezonit të verës. Pajisja me sinjalistikën informuese dhe promovuese të vlerave natyrore dhe kulturore të PK Prespa do të jetë një pikë e rëndësishme për promovimin e duhur të zonës në shërbim të turizmit”, theksoi ADZM Korçë.
ADZM Korçë informon se qendra e vizitorëve në hyrje të parkut prej gushtit është e hapur çdo ditë për t’i njohur ata me bukuritë natyrore dhe kulturore që ofron ky park.
Parku Kombëtar “Prespa” bën pjesë në zonat e mbrojtura të kategorisë 2, vendim i cili është shpallur në vitin 1999. Përfaqësuesit specifikë të florës dhe faunës në park janë venja (Juniperus excelsa), (Centaurea prespana), (Viola eximia), dhia e egër e Ballkanit (Rupicapra r. balcanica), ariu i murrmë (Ursus arctos) pelikani kaçurrel (Pelicanus Crispus).
Monumente natyre në park janë: Venjat e Kallamasitrit, Zgavra e Zaverit, Dushqet e Manastirit Djellas, Ishulli i Maligradit, Gurët e Mumjes, Shpella e Trenit.
Objekte kulturore, fetare, historike brenda zonës janë Kisha e Shën Marenes, Kallamas, Kisha e Shën Gjergjit Gollomboc, Kisha e Shën Pjetrit Zaroshkë, Kisha e Shën Mërisë./atsh/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe këshilltarja e ministrit, Nora Arapi Krasniqi, ka pritur në takim ekipin udhëheqës të gërmimeve në lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”, në përbërje të Christophe Goddard nga Universitetit “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe arkeolog, dhe Milot Berisha, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.
Kryeministri Kurti falënderoi për punën dhe përkushtimin në projektin “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” që po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Universitetit të Prishtinës dhe atij francez, “Ecole Normale Supérieure”, ndërsa u informua për punën e deritanishme dhe zbulimin e fundit me rëndësi historike në këtë lokalitet.
“Në takim u theksua se mbishkrimi monumental paraqet një dëshmi shumë të rrallë, një dedikim perandorak nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s) dhe kishës së tij. Zbulimi dëshmon afërsinë e perandorit me provincën e origjinës, ndërkaq Kisha paraqet një strukturë arkitektonike të klasit botëror sikurse ndërtimet e S. Sophia në Konstandinopojë dhe S.Vitale në Ravenë. Kjo kishë po ashtu paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, citohet në komunikatë Kurti.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, projekti “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional në mes të Ministrisë dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës – Fakultetit Filozofik, Departamenti i Antropologjisë, dhe Universitetit në Paris, “Ecole Normale Supérieure”.
“Në korrik të vitit të kaluar ishte nënshkruar vazhdimi i marrëveshjes fillestare të bashkëpunimit nga viti 2017. Projekti ka një shtrirje kohore tre vjeçare dhe buron nga ligji për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare për IPA 2020 në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, dhe financohet nga fondet IPA II të Bashkimit Evropian në vlerë prej 1 milion euro”, thuhet në njoftim.
Përmes tij është siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare për zhvillim të lokaliteti Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore dhe ekonomike.
Në fund të komunikatës thuhet se përpos mbështetjes teknike dhe shkencore, ky bashkëpunim ndikon në ngritje të kapaciteteve profesionale shkencore, përmes programit të shkëmbimit të studiuesve, profesorëve, arkeologëve dhe studentëve, dhe trajnimeve të përbashkëta.
Presidentja e vendit Vjosa Osmani, pas zbulimit historik ka vizituar Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana, meqë rast ka thënë se çdo gërmim në Ulpianë zbulon thesare të fshehura të kaluarës tonë si dhe zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë, shkruan KultPlus.
Presidentja Osmani thënë po ashtu se këto zbulime janë evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme.
“Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë.
Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te Perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidhë të tashmen tonë me të kaluarën e largët.
Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë Antikitetit të vonë-Mesjetës së hershme”, thuhet në postimin e presidentes në facebook./KultPlus.com
Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti ambicioz, i cili është pjesë e transformimit rrënjësor të Vlorës, siguron një infrastrukturë moderne e të mirësistemuar, që rrit përmasën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe krijon një mundësi urbanistike të re, duke lidhur natyrshëm Bulevardin e Ri dhe Lungomaren.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ajri të Parkut të ri të Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë, një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit, që po bëhet përditë e më tërheqës.
Parku i Shtëpisë së Pavarësisë ka marrë jetë në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti, ku lidh bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren, një oaz fantastik me Shtëpinë e Flamurit mes gjelbërimit dhe plot kënde pushimi e argëtimi për të gjitha moshat.
Projekti për rikualifikimin urban të sheshit dhe ndërtimin e Parkut përfshin edhe integrimin e kësaj hapësire me Lungomaren deri tek tuneli./atsh/KultPlus.com
Parku natyror Korab-Koritnik po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj me bukuritë e tij natyrore dhe peizazhet mbresëlënëse.
Në muajt janar-qershor ka pasur një fluks të shtuar të vizitorëve në këtë park, që shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “nga 1 janari deri më 30 qershor ky park është vizituar nga 8415 vizitorë, nga të cilët 5930 vendas dhe 2485 të huaj”.
Një ndër shtigjet e preferuara për turistët është Shtegu i Ngjyrave, i cili kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit.
Ardian Musaj, guidë turistike në këtë qytet thekson se “vetëm në shtegun e ngjyrave ka pasur një numër të lartë vizitorësh vendas si dhe të huaj kryesisht gjerman, belg, amerikanë, zviceranë dhe anglezë”.
Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal kanë mundësi të vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.
Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.
Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve të mbuluara me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.
Gjurmët e këtij shtegu vijnë që nga lashtësia në kohën e krishtërimit. Mendohet se është një shteg 2400 vjeçar, i quajtur ” Scardus” nga romakët, që në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme. I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohet që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Evropë./atsh/KultPlus.com
Për të pestin vit radhazi u zhvillua sot në Parkun e Liqenit të Farkës trigarëshi në not, vrap dhe çiklizëm Tirana Triathlon me pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga shumë vende të tjera sidomos të rajonit të Ballkanit.
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili mori pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve të fituesve të të 3 disiplinave u shpreh i lumtur që sporti e sidomos këto gara po kthehen në një traditë të përvitshme në qytetin e Tiranës.
Kjo, tha Veliaj, falë investimeve që e bëjnë të mundur, ku veçoi Parkun e ri të Farkës, donatorëve që bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës por mbi të gjitha falë të gjithë atyre që i bashkon shpirti sportiv për të garuar pavarësisht çmimit.
“Farka sot është kthyer në një destinacion të jashtëzakonshëm. E filluam këtu me Kostas Bakoyannis, kryetarin e Bashkisë së Athinës kur hapëm Parkun Helen. Shumë veta mendonin që ishte diçka e vogël, një akupunturë, askush nuk e imagjinonte dot që pas pak kohësh ne do të kishim një park të dytë të Tiranës, pas Liqenit të Tiranës. Kjo nuk do ishte bërë e mundur pa një grup të jashtëzakonshëm donatorësh që zgjodhën të sponsorizonin jo vetëm aktivitetin, por edhe çmimet dhe për të gjithë ata që na kanë ardhur këtu sot. U jam vërtet mirënjohës! Ftesa për të gjithë prindërit është, regjistrojini fëmijët në sport! Më shumë sesa trajnojmë muskujt, ne duam të trajnojmë mendjen tonë, shpirtin tonë me kulturën sportive edhe me lojën në skuadër,” u shpreh ndër të tjera Veliaj.
Kryebashkiaku tha se, eventet e mëdha sportive sidomos në këtë vit ku Tirana është qyteti evropian i sportit nuk do të mbeten me kaq.
Ai tha se, në Tetor sikurse çdo vit do të zhvillohet maratona e Tiranës.
“Do kemi disa surpriza këtë vit. Sapo të mbarojmë këtu, do të fillojmë përgatitjen për Maratonën e Tiranës në tetor. Kështu që do të shihemi të gjithë në aktivitete të tjera, sepse duam shumë që ky vit që Tirana është Qyteti Europian i Sportit ne të dallohemi posaçërisht për kulturën sportive dhe të dalim nga ky vit i sportit, jo vetëm me këto aktivitete kartolina, kujtime dhe medalje e çmime, po të dalim si një qytet që merret me sport, dimë të lozin në skuadër, të humbasim me modesti, por edhe të fitojmë gjithashtu me modesti dhe me këmbë në tokë. Kjo është Tirana jonë, qyteti ynë fitues,” deklaroi ai.
Veliaj tha se, sporti është ai që bashkon popujt.
“Ne jetojmë në Ballkan, unë jam shumë i përgjegjshëm për këtë. Dhe është një vend ku të gjithë kemi pak më shumë zell për debat, apo një fjalë më shumë seç duhet, por sporti na ka mësuar që në një fqinjësi ku ne jetojmë bashkë, ne biem bashkë dhe rrëzohemi bashkë. Nëse ne nuk kuptojmë që fqinjët nuk i zgjedhim dot, por ama jemi të destinuar që të jetojmë bashkë, të destinuar që të bashkëpunojmë, të destinuar që të lulëzojmë së bashku, sporti është diplomacia më e mirë. Ndaj motra dhe vëllezër le të kujtojmë që sporti na bën bashkë. Nuk ka rëndësi nëse jemi nga Kosova, nga Serbia, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, apo nga Bullgaria, jemi pjesë e një mëhalle. Ndaj siç rrëzohemi bashkë, ashtu dhe ngrihemi bashkë edhe bashkëpunojmë të gjithë me njëri-tjetrin,” e mbylli Veliaj fjalën e tij./atsh/KultPlus.com
Në Parkun Arkeologjik të Finiqit kanë filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit, konsolidimit në një tjetër monument kulture kategoria I, banesën me dy peristile.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale ndau momente nga puna në këtë monumet.
“Pas hartimit të projektit nga DRTK Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, nisi puna për restaurimin dhe konsolidimin e strukturës murale; konsolidim i disa seksioneve në këtë linjë; restaurim i elementeve dekorativ në muraturë; sistemimin e terrenit etj”, tha Margariti.
Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Mund të vini në park me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën kombëtare Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit. Në qendër të fshatit, do të gjeni një rrugë të asfaltuar e cila do t’ju çojë në kodrën ku ndodhet parku.
Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës./atsh/KultPlus.com
Çelet “Porta e beharit turistik” në sitin arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër.
Prefekti i Qarkut Gjirokastër, Odise Kote, në ditën e diversitetit kulturor në Parkun Antigone, ka dhënë mesazhin e qartë se, zbulimi dhe rizbulimi i thesareve të trashëgimisë historike e kulturore është pjesë e rëndësishme e ruajtjes, e zhvillimit të identitetit kombëtar, e njohjes së vetvetes.
“Pranimi i dimensionit kulturor të tjetrit është një nga vlerat më emancipuese të qytetërimit shqiptar, vlerë që ka sjellë harmoni, mirëkuptim e bashkëjetesë shembullore në botën shqiptare”, ka shkruar prefekti i Qarkut Gjirokastër, në rrjetet sociale, ku dhe bëri ftesë për zbulimin e hireve e stolive të Parkut të Antigonesë, një nga kërshëritë përvëluese të vizitorëve vendas, të botës shqiptare e të huaj.
Antigonea, me sip.45 ha, territor mbi 90 ha, qytetërim i shekujve të III para krishtit është një nga atraksionet më të rëndësishme të rajonit e krejt Ballkanit.
Në ceremoninë e çeljes së “Portës së beharit turistik”, ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi.
Me këtë rast ishte përgatitur një shfaqje me këngë e kostume tradicionale si dhe një mini panair me prodhime ushqimore të zonës si dhe punime artizanale./atsh/KultPlus.com