Një zjarr i madh përfshin Korfuzin, evakuohen 17 fshatra

Një zjarr i madh shpërtheu pasditen e djeshme në zonën Perithia në veri të Korfuzit, një ishull grek në detin Jon.

Autoritetet kanë evakuuar 17 fshatra, ndërsa rojet bregdetare kanë shpëtuar 59 persona që ndodheshin në plazhin e Nisakut.

Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të parandaluar që flakët të arrinin në shtëpi.

”Rreth 2 500 njerëz u evakuuan nga ishulli grek i Korfuzit gjatë natës për shkak të zjarreve, theksuan zjarrfikësit.

Për arsye sigurie, banorët dhe turistët janë larguar nga zonat pranë frontit të zjarrit dhe janë transferuar në stadiumin “Agios Markos” dhe Teatrin e Korfuzit. /atsh / KultPlus.com

Familja shqiptare në Korfuz (FOTO)

Fotografia e publikuar nga historiani Arben Llalla: Familje shqiptare në Korfuz”, daton në vitin 1880 dhe është poshtëshënuar në gjuhë greke. Shqiptarët e Korfuzit, janë pjesë e popullsisë shqiptare që jeton në Greqi, me mbi 600 katunde që flasin në vatër gjuhën shqipe ose arvanitika.

Ruajtja e gjuhës shqipe nga shqiptarët e Greqisë, ka qenë një ndër sfidat kryesore. Bazuar në dokumente apo dëshmi të shumta, studiuesi Arben Llalla vëren:

“Kur u vendosën në fshatrat e rinj në tokën greke, pas vitit 1922, allvanosët apo arvanitasit, siç i quajnë shpeshherë grekët shqiptarët që u shpërngulën nga Turqia për në Greqi, nuk kishin marrëdhënie të mira me fshatrat fqinje që banoheshin nga grekët. Ata nuk merrnin dhe as jepnin nuse me njëri-tjetrin. Të moshuarit kujtojnë që, kur thirreshin në shkollë nga mësuesit për ecurinë e fëmijëve të tyre, ata këshilloheshin që mos të flisnin përpara fëmijëve në gjuhën shqipe, por të bisedonin vetëm greqisht. Sipas mësuesve grekë, kjo bëhej për të mirën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, që vinin nga familjet shqiptare. Shpeshherë, fëmijët shqiptarë ziheshin me grushta e dru me fëmijët grekë, kur këta të fundit e quanin gjuhën shqipe gjuhë evgjite apo gjuhë turke”./ KultPlus.com