Botohet “Litari i mallit” nga autori i njohur shqiptaro-kanadez Kristaq Turtulli

Kristaq Turtulli, rrjedh nga një familje patriote, bamirëse, dhe të shquar korçare. Ai krenohet me të parët e tij që në vitet ’30-të, me humanizëm të pashembullt i ndërtuan dhe i dhuruan qytetit të tyre të dashur Korçës, tre pikat më të rëndësishme të një qyteti, për t’i dhënë fytyrë evropiane: Liceun, Bibliotekën dhe Spitalin, si dhe shtëpinë e fëmijës dhe të katedrales dhe plot bamirësi të tjera.

Kristaq Turtulli është shkrimtar i mirënjohur, ndër më cilësorët e aktivët shqiptarë që jetojnë në Kanada, ndërsa qeveria shqiptare duke vlerësuar rolin e tij intelektual, para dy vitesh ia ka ndarë titullin “Ambasador i Kombit”. Turtulli ka filluar të shkruajë dhe të botojë në moshë fare të re; poezi, tregime, novela, romane, me shumicën e të cilave vlerësohet edhe me çmime kombëtare.

Kristaqi emigroi në Kanada në fillim të vitit 2000, rrugëtim që nuk e pengoi, por me këmbëngulje dhe pasion vazhdoi të shkruante si rrallë tjetër, të botojë dhe të promovojë librat e tij në Shqipëri, Kosovë, Francë, Greqi, Itali si edhe në vendin ku tashmë jeton prej vitesh në Kanada. Krijimtaria e tij është dhe vlerësuar dhe vazhdon të vlerësohet dhe të botohet në gjuhën angleze, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si romanet “The Inn with two doors”, “ Ivory Eye”, Mysteries of Little Paris” dhe “Friends”.

Libri më i ri shkrimtari Kristaq Turtulli, të cilin e botoi para do kohe në Shqipëri, është libri me tregime dhe novela “Litari i Mallit”, dhe pritur me mjaft sukses dhe interesim nga media, kritika dhe dashamirësit e letërsinë shqiptare. Libri në fjalë përbëhet nga njëzetë tregime dhe katër novela, me tema të ndryshme shoqërore e psikologjike të situatave të poashtu të ndryshme. Edhe në këtë libër autori Turtulli ka arritur ta ruajë dhe përsos stilin e vet duke i dhënë tregimit shqiptar edhe zërin autentik, të një shkrimtari që zbulon fshehtësi të të rrëfyerit në letrat shqipe.

Sipas redaktorit të librit Elvi Sidheri “Turtulli është qëndistar i personazheve dhe, optimizmin e gjen brenda kontradiktës. Metafora, fantazia, intrigat, tensioni psikik, lufta shpirtërore dhe përplasjet shoqërore. Në këtë libër me tregime dhe novela përvijohen me art të rrallë, ngjarje, situate, nënkuptime, fragmente, grimca njerëzore, shpirtshitje, vogëlsira, hidhësi dhe madhështi. Autori e njeh jetën dhe e jep atë me të gjitha dimensionet e saj. Në këtë libër si në të gjitha librat e tij të shumta, paraqitet mjeshtër i rrallë tregimit dhe filozof i jetës”. Ai me të drejtë vazhdon se “nga tregimi në tregim nga shumëllojshmëria e temave, ngjarjeve të befason nga forca, frymëzimi i papërmbajtshëm dhe njëherësh endesh, depërton në thellësitë e shpirtit krijues të këtij shkrimtari, që gjithnjë guxon aty ku pakkush ose askush nuk ka shkelur më parë”.

Turtulli i ka vizatuar personazhet me vërtetësinë e një artisti, për dashurinë e sinqertë, mallin e mërgimtarit për atdheun, vendlindjen e munguar, dinjitetin, dashurinë prindërore, kryesisht të nënës, zhgënjimin e njeriut të ndershëm nga të korruptuarit, etj.

Personazhet në këtë libër, janë ndërtuar me mjeshtëri, të befasojnë, sidomos portreti i skalitur me art të rrallë i femrës dhe himni i mrekullueshëm për nënën shqiptare. Shkrimtari Turtulli edhe në këtë vepër ka dëshmuar se si shkrimtar bashkëkohor i letërsisë shqipe ai është në mes dy shteteve dhe dy kulturave të ndryshme, asaj shqiptare dhe kanadeze, mirëpo perzonazhet dhe shqetësimet e tyre janë kryesisht të shqiptarëve modernë. Tregimet dhe novelat më të reja të këtij autori, sjellin edhe njëherë muza e frymëzime që e kanë bëre një autor të vlerësuar, jo vetëm nga kritika letrare shqiptare, por edhe nga kritika kanadeze, pjesë e së cilës jetë është tashmë.

Nga tregimi në tregim, dhe nga novela në novelë Kristaq Turtulli prek tema dhe ngjarje interesante nga jeta e njeriut, e cila trajtohet me një zë të veëantë përmes rrëfimit të shkrimtarit./ ShaniPnishi/diasporashqiptare/KultPlus.com