Sot shënohet 75-vjetori i kryengritjes së Kelmendit

Qëndresa e luftëtarëve antikomunistë të udhëhequr nga Prenk Cali në  Kelmend dhe Malësinë e Madhe, zgjati prej 3 janarit 1945 deri në 15 shkurt 1945. 

Sot shënohet 75 vjetori i një prej ngjarjeve më të rëndësishme të periudhës së komunizmit. Pikërisht me 16 shkurt mori fund kryengritja e parë antikomuniste në Kelmend dhe Malësinë e Madhe, e cila zgjati pothuajse një muaj e gjysëm.

Qëndresa e armatosur e Kelmendit dhe Malësisë së Madhe ndryshe nga revoltat e tjera zgjati për  një kohë mjaft të gjatë për t`u shpërfillur. Prijësit e malësorëve ishin heronjtë Prenk Cali e Llesh Marashi, dy burra të vjetër patriotë që kanë luftuar kundër pushtimeve malazeze.

Qëndresa në Malësinë e Madhe zgjati një muaj e gjysëm, prej 3 janarit 1945 dhe deri në 15 shkurt 1945, kur prijësi i kryengritjes, Preng Cali u rrethua dhe u kap me bashkëluftëtarët e vet të Kelmendit në shpellën e Vuklit. Luftime të përgjakshme u zhvilluan në betejën e Tamarës, janar 1945, në Brojë, Bajzë, Shkrel, Koplik e gjetkë.

Fundi logjik i rezistencës së Kryengritjes është rrethi vicioz ku u futën luftëtarët vendas: ata më në fund nuk u thyen ballëpërballë, por pas shpinë, pasi Armata e pushtetit komunist, në akord me qeverinë jugosllave shfrytëzoi terrenin malazez për të shtypur bashkëqytetarët e vet. / KultPlus.com