Ndërron jetë dirigjenti i njohur shkodran, Kujtim Alija

Ndahet nga jeta në moshën 60-vjeçare muzikanti i shquar Kujtim Alija. Dirigjenti i njohur shkodran, organizator për shume vite i festivalit mbarëkombëtar të fëmijëve si dhe drejtues i qendre kulturore të fëmijëve në Shkodër.

Lajmi është bërë i ditur për ‘BalkanWeb’ nga gazetari Senad Nikshiqi. Kohet e fundit vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila i mori jetën. Kujtim Alija mban titullin ‘Mjeshtër i Madh’, ndërkohë që drejtonte qendrën kulturore të Shkodrës.

Për lajmin e hidhur ka reaguar edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ Ademi thekson se kjo është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare.

“Dita e sotme ka nisur me një lajm shumë të trishtë! Mjeshtri i Madh Kujtim Alija është ndarë nga jeta!

Një humbje e jashtëzakonshme për artin e kulturën shqiptare, për Shkodrën e Shqipërinë. Nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë ikje shumë të parakohëshme të nêsuesit tim, të mësuesit të të gjithë fëmijëve, të mjeshtrit të madh Profesor Kujtim Alija.

Pushofsh në paqe Mjeshtër i Madh, ngushëllime familjes Alija për këtë humbje shumë të madhe!”, shkruan Ademi./KultPlus.com