Grupi i Artistëve, Hulumtuesve dhe Kuratorëve të Pavarur në Kosovë kritikojnë menaxhimin e fondit emergjent për kulturën

Grupi i Artistëve, Hulumtuesve dhe Kuratorëve të Pavarur në Kosovë ka mbajtur sot një konferencë për media rreth sabotimit të fondit emergjent për kulturën, shkruan KultPlus.

Hulumtuesja Donjetë Murati, artisti Dardan Zhegrova, sociologia Blerta Ismaili, artisti Nol Sahatçiu si dhe artisti Genc Kadriu, morrë pjesë në këtë konferencë përballë Teatrit Kombëtar ku shprehën pakënaqësinë e tyre rreth sabotimit të fondit emergjent për kulturën.

Artisti Nol Sahatçiu foli në emër të këtij grupi, ku fillimisht tregoi se përse është ftuar kjo konferencë

“Ju kemi ftuar këtu për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet dhe drejtuesit e tyre, në lidhje me dështimin e implementimit të fondit emergjent për kulturë në shumë prej 5 milion eurove”

Tutje, Sahatçiu, ka thënë se kultura ka mbetur e bllokuar teksa ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për papërgjegjshmërinë e treguar.

“Që nga fillimi i pandemisë deri më sot skena e artit dhe kulturës është bllokuar plotësisht. Institucionet e shteti kanë deklaruar se kanë alokuar 5 milion euro të cilat më pas nuk janë miratuar dhe shpërndarë. Kuvendi i Kosovës ka treguar papërgjegjshmëri duke refuzuar me paramendim ratifikimin e Pakos Emergjente. Pushteti është i drejtuesve të institucioneve, por institucionet nuk janë pronë e drejtuesve të tyre”.

Në fund, Sahatçiu, i ka kërkuar llogari Ministres së Kulturës, Vlora Dumoshit dhe ish- Ministrit Besnik Bislimit.

“Zonja Dumoshi dhe zotri Bislimi duhet secili për vete duhet të japin përgjigjje se pse është sabotuar dhe bllokuar fondi emergjent për kulturën. Politizimi i parasë publike është keqpërdorim i parasë publike” / KultPlus.com