“Abeceja shqype”, abetarja pak e njohur e Kumanovës nga viti 1911

Në fondin e begatë të abetareve që janë botuar gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare ishte edhe “Abeceja shqype” e cila ishte përdorur si tekst  shkollor në qendrën arsimore të themeluar nga Klubi Shqiptar i Kumanovës.

“Abeceja shqype” nuk ka të dhëna për autorin, vitin e botimit, e as vendin e botimit. Botimet anonime të këtij lloji ishin dukuri e zakonshme gjatë kësaj periudhe.  Sa i përket botuesit, në bazë të disa të dhënave, mendohet se abetarja ka qenë fletushkë e bashkangjitur gazetës “SHKUPI”. Në mbështetje të këtij mendimi është përdorimi i teknikës së njëjtë në shtypjen e abetares, si dhe të gazetës (karakteri i  shkronjave, alfabetit i përdorur, si dhe letra në të cilën janë shtypur). Por, pa marrë parasysh këtë, vendi i përdorimit të saj në mënyrë të organizuar ishte Kumanova, më saktë qendra arsimore e Klubit Shqiptar të Kumanovës.

Abetarja kishte format të një fletushke me dimensione 38×40 cm, e shkruar në njërën faqe, e ndarë në tre pjesë dhe e radhitur në katër kolona. “Abeceja shqype” do ketë arritur në Kumanovë nga fundi i vitit 1911, që do të thotë se në të njëjtën kohë kur botohej edhe gazeta “SHKUPI” (numri i parë i kësaj gazete u botua më 29 gusht 1911 në Shkup).

E botuar si shtesë në gazetën “SHKUPI” dhe e shpërndarë bashkërisht me gazetën, kjo abetare është përdorur edhe në vende të tjera si tekst mësimor ose si tekst “vаde mecum” (broshurë). Burime të ndryshme vërtetojnë se kjo abetare është gjetur në Kaçanik, Ferizaj, Gjilan, Prishtinë, Podujevë etj.

Në një letërkëmbim mes Jashar Erebarës dhe Iljaz Agushit, të datës 10 tetor 1911, Erebara shkruan: “Duke pasur parasysh nevojën për një abece shqype, po ju dërgoj disa copë me shpresë që do t’i dërgoni aty ku do ketë nevojë…”

“Abeceja shqype” e Kumanovës, ka një kompozicion të njëjtë me abetaret e para të  kësaj periudhe. Abetarja ka gjithsej tre njësi tematike. Në fillim paraqiten shkronjat e shtypit dhe ato të shkrimit, më pas vijnë ushtrimet, përmes të cilave lidhen shkronjat me fjalët dhe fjalitë. Në njësinë e dytë tematike janë 12 njësi, kurse në njësinë e tretë janë gjithsej 18 njësi mësimore. Abetaret, në përgjithësi, ashtu si edhe “Abeceja shqype”, janë të botuara pa emër të autorit. Ky ishte fenomen i përhapur në atë kohë edhe me librat e tjerë me karakter arsimor. Nëse krahasohen “Abeceja shqype” me “Abetaren e gjuhës shqipe” të Sami Frashërit, Jani Vretos, Pashko Vasës dhe Koto Hoxhit, e botuar në Stamboll në vitin 1879, do të vijmë në përfundim se abetarja e Kumanovës është një lloj sinteze, sepse këto të dyja janë shumë të ngjashme.

Në një letërkëmbim tjetër me Iljaz Agushin, Erebara shkruan: “Vetëm sa arrita të përfundoj një abetare. Zoti donte të dal nga shtypi. Sa do të jetë e dobishme, do të dëftojnë ata që do të punojnë me të. Ju lutem, shpërndajeni aty ku do të ketë më nevojë dhe mundësisht, vendlindjen time, mos e leni pa të (abetaren A.L.)”

Hartimi i kësaj abetareje kishte për qëllim përhapjen e shkrimit në gjuhën shqipe në trevat e ndryshme shqiptare, me qëllim të luftimit të analfabetizmit dhe mbrojtjes nga ndikimi i shkollave serbe dhe bullgare.

Me botimin e kësaj abetare jo vetëm që u begatua fondi i abetareve, të cilat përdoreshin në këtë kohë, por njëkohësisht u krijuan mundësi më të mëdha që shpërndarja e saj të ishte me e lehtë dhe më e shpejtë.

“Abeceja shqype”, me formatin e saj, lehtë palosej dhe futej në xhep, madje kishte disa specifika të tjera, që e dallonin nga abetaret e tjera të kohës. Ajo nuk ishte e dedikuar vetëm për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët mësonin në shkolla të ndryshme, por ishte shumë praktike, veçanërisht për mësim individual, edhe në rastet kur shqiptarët mësonin nga njëri-tjetri. Me këtë abetare mësohej lehtë leximi dhe shkrimi shqip. Në veçanti ishte e përshtatshme edhe për të rriturit.

Abetarja fillonte me moton: “N’o çdo mosh t’jesh për nji jav shqipen e mson dh’e shkruanë”. Ky optimizëm pedagogjik kishte efekt të madh psikologjik, sepse kjo moto përdorej si pjesë përbërëse e optimizmit të madh për mësimin e shkrim-leximit në gjuhën shqipe. “Abeceja shqype” ishte mjet i fuqishëm në duart e mësuesve, të cilët organizonin grupe të vogla me nxënës për mësimin e gjuhës shqipe.

Është me rëndësi të theksohet se të gjitha abetaret e kësaj periudhe kishin përmbajtje patriotike me qëllim të ngritjes së vetëdijes kombëtare. Ato ishin përpiluar sipas principeve të interesit kombëtar dhe dalloheshin me porositë e qarta edukativo-arsimore. Pas Kongresit të Manastirit dhe të Elbasanit, numri i abetareve u rrit dukshëm. Atëherë filluan të përpilohen abetare me Alfabetin e Manastirit. Shpërndarja e tyre bëhej me kujdes. Ato arrinin jo vetëm në vendet ku hapeshin shkollat, por edhe në ato vende ku nuk kishte shkolla. Kjo mundësonte organizimin e kurseve për fillestarë të mësimit të shkrim-leximit në gjuhën shqipe.

“Abeceja shqype” e Kumanovës ishte një libër shkollor i përpiluar nga publicisti Jashar Erebara. Këtë abetare e kanë përdorur shumë nxënës dhe të rritur jo vetëm në hapësirat e Maqedonisë verilindore, por dhe në shumë vende të Kosovës dhe me gjerë. Si e tillë, ajo llogaritet ndër abetaret e para, që e kanë kryer me sukses misionin e saj dhe ka ndihmuar në arsimimin fillestar në gjuhën shqipe.

Aneks:

N’o çdo mosh t’jesh për nji jav shqipen e mson dh’e shkruanë

Abeceja Shqype

Germa t’ zaashme t’ dorshkrueme t’ vogla:

t? É? â? x? |? ç? §A

t’dorshkrueme t’mdhaja:

T? b? h? X? \? l? ˚A

t’ shtypshkrueme t’vogla:

a, o, u, e, i, y, ë.

t’ shtypshkueme t’mdhaja:

A, O, U, E, I, Y, Ë.

Germa t’perzaashme t’ dorshkrueme t’ vogla:

Ä? x? †? w? w{? y? z? z}? {? }? ~? Ö? Ä? ÄÄ? Å? Ç? Ç}? Ñ? Ü? ÜÜ? á? á{? é? é{? à? à{? â? å? å{A

t’ dorshkueme t’ mdhaja:

e? V? W? W{? g? Z? Z}? [? ]? ^? d? _? _Ä? `? a? a}? c? e? eÜ?

f? f{? m? m{? g? g{? i? k? k{A

t’ zaashme hundake:

â, ô, ê, î, ý.

t’ zaashme t’ gjata:

aa, oo, uu, ee, ii, yy.

Ushtrime

ba bo bu be bi by: ca co cu ce ci cy: ça ço çu çi çy: da do dhu dhe fi fy: ga go gju

gje hi hy: ka ko qi qe li ly: lla llp mu me ni ny: nja njo rro rre sha sho zhu zhi thy

tha xho xhu.

Fjale t’daa,e n’rokje

ba-ba bu-ba cu-bi cu-ca çu-ba da-da da-ci dhee dheu ca-fi cu-fi ga-ca go-ca ge-li

gje-dhi he-be ha-bii go-ja gjo-ja ko-ci ka-fi qa-fa qy-gi lu-gi lu-ga llu-lla la-lla ma[1]li mo-ti na-ta nu-na nja-ni nja-ça pi-pi pu-la ra-ka ru-ba rru-mi rri-ba sy-lo sa-ki-ca

sho-sha she-shi zo-gu za-lli zhu-ri zhe-le to-pi tu-lla thi-ka tha-na ve-shi va-thi va[1]ta xa-ri-sha xa-na xha-mi-ja xha-mi.

bar-ku dar-dha cub-ni-ja çer-dhe dhun-ti-ja far-ke-to-ri gar-gu-lli gjer-gje-fi har-mi[1]ja jar-gu-kan-gra qur-shi-ja luk-thi lamm-pamarti nir-thi par-si-ja 0-rum rrag-ni-ca

sel-vi-ja shap-thep var-gu xhur-di-je.

Nji-di-të shum dit; nji vesh dy vesh; han ha-n; lug lu-g; nji metelik dy metelik; un

kam dy ka-m; nji na-të shum net; shok sho-kë; nji fi-je flok fy fi-je flo-k; plak pla-kë.

aare are, nji ka-tun-daar, dy ka-tun-da-re nji malcuer dy malcorë free pee syy gjaa

drii.

Copa kndimesh

Ko-so-va asht pje-sa maa e bu-ku-ra e maa e hiesh-mja e Shqypnies, por per fat

t’zii ven-da-sit e Ko-so-ves, qi ja-ne t’ thjeshte Shqyptare, kan me-tun shum mas

ko-he di-tu-nnit, e saa-do tri-ma e bu-rra, s’kan muj-te me na-lun ho-vin t’huej-vet,

qi jane fu-re nder vende t-ona e sot ber-ta-sin e shkall-mo-hen si i-shin t’zott e ktij

vendi, tuej e thi-rre kush Sta-ra Ser-bii e kush tuej lak-mue me e daa Shqupni-jet

per me e bashkue me Maqedonii, n’uz-da-je se kshtu me e han-ger saa maa pa-re.

E Shqyptaret t’zott e Ko-so-ves çka bajnë? As-gjaa, por flejne e gjinden aq poshte

sa nuk kan kurr-nji shko-lle n’guhe t’vet, e pak fort jan a-ta qi dijnë me kendeu

guhen Shqy-pe. E kshtu tuaj voi-tun punet çka do t’ndo-lli: Gja-set jan fort t’ kqija

per komm t’Shqaptarit por n’mos u çofshum pre-je gjumit.

II

A asht fot i motshem komi i Shqyptarit?

Komi i shqyptarit asht nder dhena t ’Ballkanit maa i vjetri e perpata atij

s’permendet kurr-nji koom tjeter. Aq i vjeter Shqyptari ass historija nuk mund t’na

diftojne se kuer kemi ardh nder kto vende. Disaa thon se kemi ardhe nder kto ana

n’kohe t’Azreti Ibrahim, don me thane tash nja kater-mii vet.

A kemi pase ndo-nji here ditunii?

Jo, s’kemi pase kurr e per ket arsye jami farue e kemi mete fort pak, pse dikues

Mali i Zi, Her-ce-go-vi-na, Bosnja, Serbija, Bullgaria e maa pertej deri nder dhena

t’Austries, kan pas kene toke Shqyptare, por sot s ’jane maa, pse na i kan ngrane

t’huejt, qi na gjeten liksht paa knim paa shkrim.

Ç’ fare guhet kemi?

Kemi nji guhe fort t’vjeter, por edhe fort t’bukur; guha jon asht moter me guhe

t’Persies (t’ Axhe-mi sta-nit) e me guhe tjera t’Europes, si me guhe t’ Latinvet e

t’Allemanjes. Kush e kaa msue e e ngjef guhen shqype mir e shef se asht fort e

bukur e njani tuej e paa kaq t’hieshme pat thane se Perendija do t’keet fole shqyp

me nierin e pare, me Azreti Adem. Edhe ndoshta ja kaa qillue mire.

Po na Shqyptar a e domi guhen t’one?

Me marre t’madhe na duhet me than se nuk e domi aspak guhen t’one e me zi

ç’presim me u kape per guhe t’hueja e per kadale vime tuej harrue guhen t’one e

mas pak motit djelmt t’one nuk dijen me fole maa shqyp, edhe pse jane Shqyptare.

Oh saa korii e madhe per nee! Saa faqe t’e zeza!

III

Ku gjindet Shqypnija?

Shqypnija gjindet n’Europë, kahe juge t’leemit, nder ata dheena, qi thirren tbashkut

dheenat e siujdhazes ballkane.

Çka don me thane siujdhaze?

Siujdhaze thirret nji dhee, qi asht i rrethuem gati gjith kahe me deed; po n’ kofte e

rrethuem gjithkahe me deed atejere thohee ujdhaze a se ishull.

Ç’fare tjera dhënash gjinden n’ siujdhaz ballkane?

Pose Shqypnijet n’siujdhaze ballkane gjinden edhe kta dhena: Makedhonia,

Thrakija, Mali i Zi, Bosnja me Hercegovine, Serbija, Bullgarija, Rumanija e

Graqija.

Ç’fare komesh gjinden ne siujdhaze ballkane?

Nder kome t’ siujdhazes ballkane zen venden e pare, pse maa i vjetri, komi

shqyptaar, mandje vine Grakt, Rument (Goge a se Vllah), Bullgarat, Serbt, Jahudiie

e pak Gabel e Magjype.

Saa detna e lagin siujdhazen ballkane?

Siujdhazen ballkane e lagin shum detna: deti Adriatik, deti Jon, deti Mejsdhee, deti

Egjee, deti Marmara, deti i Zii.

Shqypnija me ka mahet?

Shqypnija mahet me Turkii.

Çka asht Turkija?

Turkija asht nji pushted. Pushtede don me thane nji a disa dhena qi sundohen

bashkarisht a ndryshe, qi kan nji qeverii bashkarisht. Turkija asht nji pushted e

madhe e shtrihet n’Europe, n’Azii e n’Afrike, por pjesa maa e madhe gjindet

n’Azii.

Q’fare sundimit kaa Turkija?

Turkija sod per sod kaa nji sundim fort t’bukur. Mreti urdhnon e sundon tuej

povete popullin, don me than qi Mreti o populli sundojne bashkarusht, nuk punon

asgjaa paa u marre vesht nder vedi: Mreti kaa njerst t’vett e thirren deputet, qi do

t’shkojne n’Stamolle per m’u permledh e z’bashkut me shikue punet e sindimit.

Vedni ku mlidhen deputetent thirret Parlament.

Sa ministra kaa mreti per me sundue?

Mreti per me sundue kaa 13 ministra, nder t’cillet Sadriazemi asht kryetaar.

Ky fare sundimi turqisht thohet kanunu esasee e shqyp thohet Konstitucion.

Rezyme

Në vitin 1909 “Klubi Shqiptar i Kumanovës” u angazhua të botonte një abetare, e cila do të ishte e rëndësishme për gjuhën dhe të shkruarin shqip, si dhe arsimimin e shqiptarëve në Kumanovë dhe rrethinë. “Abeceja Shqype”, siç titullohej botimi i kësaj abetareje të njohur si Abetarja e Kumanovës, u botua në vitin 1911 nga atdhetari Jashar Erebara, i cili ishte kryetar i Klubit Shqiptar të Kumanovës. Kjo abetare ishte përdorur si tekst shkollor në shkollën që funksiononte pranë Klubit Shqiptar të Kumanovës. Abetarja e Kumanovës llogaritet ndër të parat abetare, e cila e ka me sukses kryer misionin e vet dhe ka ndihmuar në mësimin e leximit dhe shkrimit në gjuhën shqipe. Abetarja e Kumanovës ka kontribuuar jo vetëm në pjesën e historisë së zhvillimit të arsimit, por edhe në punën e klubit si vatër e arsimit në gjuhën amtare. Publikimi i transkriptit të këtij dokumenti autentik është përkujtim i trashëgimisë kulturore të kësaj ane. Abetarja në fjalë nuk ishte një libër, siç janë abetaret e sotme, por një faqe e shtypur në njërën anë. U botua si shtojcë një nga numrat e gazetës  “SHKUPI”, e cila doli në Shkup në vitet 1911-1912.

Bibliografia

Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, fondi 23, dosja 49 dokumenti 3.

Osmani Shefki, Dy abetare shqipe në vitin 1911 (Kumanovë, Manastir), Gjuha dhe letërsia shqipe në shkollë, Tiranë, 1968,

Vokrri Abdullah, Jashar Erebara, Prishtinë, 2000.

Nga Ardian Limani _ Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup / KultPlus.com