Kumbaro: Kurorëzojmë me sukses vitin e Vjosës

Shpallet sot studioja arkitekturore fituese e Konkursit Ndërkombëtar të Dizajnit për krijimin e “Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informacionit” të Parkut Kombëtar të lumit të egër Vjosa.

Mes tre prezantimeve finaliste të përzgjedhura nga 16 studio pjesëmarrëse, juria e konkursit, e përbërë nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, CEO i “Patagonia”, Ryan Gellert dhe ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë, do të përzgjedhë projektin fitues.

Në ceremoninë e hapjes së prezantimit të 3 projekteve finaliste, ministrja Kumbaro kujtoi gjithë rrugën e gjatë të bërë për të mbërritur deri në këtë moment.

“Ishim bashkë me kryeministrin Rama, kur vendosëm të bashkonim forcat me Ryan Gellert, CEO-n e Pantagonias që ka qenë bashkudhëtarja e pandarë në këtë rrugëtim që hera-herës i përngjan një ëndrre që shumë e dëshironin e pak e besonin, me partnerët e IUCN – Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës që sot përfaqësohet shumë denjësisht nga një prej emrave të njohur ndërkombëtarisht në ekspertizën e mbrojtjes së Biodiversitetit, si anëtar i jurisë, James Hardcastle – IUCN që certifikoi gjithë punën tonë voluminoze, me shumë pasionantë të mjedisit që jetën ia kushtuan natyrës e me plot miq të tjerë që i shoh në këtë sallë”, tha ministrja.

Më tej, Kumbaro sqaroi detajet për sa i përket filozofisë së qendrës multifunksionale dhe stacioneve të informimit që do të jetë porta hyrëse në Parkun Kombëtar Vjosa.

“Nga 16 studio pjesëmarrëse në konkurs, sot do të ndjekim tre idetë finaliste, për të zgjedhur 1 projekt e për t’ua dhuruar atë Vjosës, turistëve dhe brezave. Për të ndërtuar një Portë për Parkun Kombëtar, që do të marrë siluetën e një qendre moderne vizitorësh, pikënisje e udhëtimit të shumë turistëve prej nga do të marrin informacion për vlerat e Parkut, shtigjet e ecjes, turet, vendet për të fjetur e kështu me radhë, por edhe ku do të tregohen vlerat e jashtëzakonshme të këtij laboratori natyror me 257 lloje zogjsh, e 70 lloje gjitarësh, 150 lloje insektesh, 60 lloje molusqesh, 31 lloje zvarranikësh, e përfytyroni dot këtë muze natyror të gjallë”, u shpreh ministrja Kumbaro në ceremoninë hapëse të eventit.

Ky konkurs përmbyll “Vitin e Vjosës”, siç ishte shpallur viti 2023 nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

“Vjosa do të jetë edhe një motor ekonomik i zhvillimit të qëndrueshëm, jo me artielieri të rëndë, por me turizëm që respekton natyrën, me ekoturizëm, me sporte natyrore, me bujtina e agroturizme që kanë nisur ta popullojnë krejt luginën nga Leskoviku e Çarshova e Përmetit, deri në Këlcyrë e Tepelenë, Memaliaj e Fier, Selenicë e Vlorë, Gjirokastër, Dropull e Libohovë, duke i mbushur me krenari njerëzit që u rritën me gurgullimën e ujit të saj, për t’i dhënë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë ekonomi aty, në rrënjët e të parëve të tyre, e të begatohen buzë lumit duke vazhduar jetën në paqe me të, për çka po punojmë tashmë për Planin e Menaxhimit”, u shpreh Kumbaro.

Ndër të tjera, gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro tha se Vjosa ishte nxitja, ose kumbara e anëtarësimit të Shqipërisë në Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN). Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë union, pasi është miratuar në mbledhje qeverie dhe është diskutuar në Komisionin për Politikën e Jashtme, do të kalojë në Kuvend./atsh/KultPlus.com