Regjisori Fisnik Maxhuni me film në Festivalin e Kanës

Irani verior. Një djalë i ri i pajisur me motoçikletë është në kërkim të një guri mitik që do ta sjellë lumturinë në jetën e tij. Ai udhëton rreth Detit Kaspik, maleve e qyteteve.

Në këtë rrugë ai takon edhe të tjerë njerëz, që kërkimin e kanë nisur para tyre.

Kjo është historia e filmit “LA VALLÉE HEUREUSE” me regji nga Fisnik Maxhuni.

Filmi do të jetë këtë vit pjesë e Festivalit të Kanës, sukses ky i madh për regjisorin Maxhuni, shkruan KultPlus.

Filmi do të jetë pjesë e “Coup de Coeur” në Short Film Corner në Festivalin e Kanës. Nga data 12-17 maj, Visceral Films – kompania filmike e këtij filmi do të prezantohet me projektet filmike në Festivalin Prestigjioz të Kanës.

“Me këtë rast po tregoj që filmi im në proces pune është përzgjedhur si pitch për këtë festival” ka shkruar Maxhuni, duke treguar edhe një sukses tjetër.

Në filmin 17 minutësh luajnë Ali ARYANI dhe Amir RAIESZADEH.

Maxhuni ka marrë pjesë edhe në Dokufest dhe në festivale tjera të filmit nëpër Evropë ndërsa është një prej regjisorëve më të mirë të gjeneratës së tij, i cili edhe premton shumë me kreativitetin e tij të shprehur në kinematografi. / KultPlus.com