Gjermanët ia japin lamtumirën Merkelit me ëmbëlsirën e veçantë

Pas 16 vjetëve në krye të Gjermanisë, Kancelarja Angela Merkel edhe pak ditë pritet që të largohet nga pushteti. Një kompani lokale e ëmbëlsirave po shpreson që ta ëmbëlsojë largimin e saj me një specialitet të veçantë për përkrahësit e saj.

“Është dhuratë për përkrahësit ose kundërshtarët e Angela Merkelit, e cila do të tërhiqet dhe e cila e ka përfunduar shërbimin e saj. Ne shpresojmë që ndokush do ta vendos këtë kujtim ndokund në shtëpi”, tha Thomas Zuber, menaxher i kompanisë “Odenwaelder Marzipan” në Bavari.

“I kemi përgatitur që të qëndrojnë dy vjet, prandaj njerëzit mund t’ia zgjasin kohën Merkelit edhe për dy vjet” shtoi Zuber duke qeshur, transmeton KultPlus.

Foto: Reuters

Kompania ka funksionuar që katër dekada dhe përderisa biznesi familjar ka makineri për prodhim masiv të ëmbëlsirave, udhëheqësit e saj e kanë ruajtur traditën edhe për përgatitjen e disa specialiteteve me dorë.

Ideja për prodhimin e ëmbëlsirës në formën e fytyrës së Merkelit erdhi disa muaj më parë dhe tashmë stafi me 8 persona po punon për kompletimin e linjës së ëmbëlsirave, shkruan Reuters. / KultPlus.com

Sot i jepet lamtumira Moikom Zeqos

Zeqo u shua 5 ditë më parë pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë, leucemi akute, ndërsa sot do të përcillet në banesën e fundit.

Sot nga ora 10.00-13.00 sipas rregullave të COVID-it do të zhvillohen homazhet në nderim të poliedrikut Moikom Zeqo në Muzeun Historik Kombëtar. Homazhet po bëhen tek atriumi jashtë Muzeut Historik Kombëtar, ku është vendosur fotografia e tij, ku njerëzit kanë vendosur sjellin kurora me lule dhe dy tablo.

Të pranishëm familjarët, bashkëshortja, Lida dhe tre fëmijët, dy vajzat dhe djali.

Sipas familjarëve, homazhet te Muzeu Historik ka qenë edhe amaneti i eruditit, i cili ka kontribuuar, si drejtor i këtij institucioni për 8 vite radhazi, 1997-2005. Zeqo u shua 5 ditë më parë pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë, leucemi akute, ndërsa sot do të përcillet në banesën e fundit. E megjithatë, kontributi i tij mbetet i paçmuar në letërsi, politikë, publicistikë, filozofi, arkeologji edhe pikturë.

Nga miqtë edhe kolegët Moikom Zeqo cilësohet, si një ndër intelektualët e paktë, që ia kushtoi jetën krijimtarisë, familjes, por mbi të gjitha emancipimit të politikës edhe shoqërisë shqiptare. Gjatë viteve të fundit, ndonëse u shkëput plotësisht institucionet shtetërore, ai nuk hezitoi kurrë së qeni një zë kritik për çështje të rëndësishme për vendin, qoftë politike, të trashëgimisë kulturore edhe shumë fusha të tjera.

Moikom Zeqo u lind në qytetin e Durrësit. Kreu studimet e larta për Gjuhë Letërsi në Tiranë. Në vitin 1973 kritikohet për hermetizëm në krijimtarinë e tij poetike, edhe e dërguan mësues në Rrogozhinë. Pas kësaj, Zeqo angazhohet në fushën e arkeologjisë, ku thellon edhe më shumë dijet, të cilat do t’i shërbenin edhe në krijimtarinë e tij letrare, duke u konsideruar sot si një ndër poetët e paktë elitarë, që vendi ynë ka nxjerrë.

Në fillim të viteve ’90, Zeqo merr pjesë përkrah Dritëro Agollit në rithemelimin e Partisë Socialiste, më tej u emërua ministër Kulture, ndërsa nga viti 1992-’97 ishte pjesë e Kuvendit Shqiptar, si deputet i PS-së. Moikom Zeqo mbante titujt “Mjeshtër i madh” edhe “Gjergj Kastëriot Skënderbeu” /shqiptarja/ KultPlus.com