Mall për diçka të vdekun

Lazër Jozef Radi

Nji puthje t’braktisun e bana kopësht
e shëtita n’qiellin e dy syve t’humbun.
Asnji fytyrë s’m’u shfaq nga çilja e gonxhes,
asnji emën s’përmendën zogjtë n’fluturim.

Bari i butë kërkonte nji kambë ta shkelte,
kantilena e mbramjes si shi i ambël u derdhte.
Krejt lodrat e hanës n’qiell i qendisa
me penelin e lodhun të trishtimeve të mia.

Akrepat e ndryshkun t’nji ore të ndalun
i mësova me hecë mbrapsht si gaforre,
veç me m’kthye te ajo mbramj’e humbun,
te ajo mbramja, ku gjethet rrzoheshin të dehuna
nën tinguj të largtë kambanash t’plagueme…

Nji puthje t’braktisun e bana pyll
dhe humba shtigjesh me gjetë emnin tand…