Dhjetë libra që duhen lexuar nga letërsia shqipe

Nga Gazmend Krasniqi

Si mund të gjykohet një letërsi gati rreth 500 vjeçare, ku mbizotëron poezia, sepse proza e tregon nivelin artistik në 100 vitet e fundit? Si mund të lexohet ajo si e “tashme”? Sigurisht, duke shmangur klishetë që ka dashur të ngulitë mendimi jashtëletrar zyrtar, i përcjellë edhe në tekstet shkollore, sidomos gjatë periudhës së Realizmit Socialist.

Meqë mua më duket se pyetja konsiston për libra të shkruar mirë dhe të rëndësishëm, më duhet të them se ne kemi pak shkrimtarë që kanë synuar përsosjen e veprave të tyre. Na vjen ndër mend De Rada, e cili e ka botuar veprën e tij kryesore “Milosao”, në tri variante. Nga tradita, duhet përmendur Asdreni’, i cili shprehet se sa shumë ka përfituar nga shoqëria me Luigj Gurakuqin në atë që është krijimtaria e pjekurisë. Na vijnë ndërmend poetë si Mjeda e Poradeci me variantet e shumta të poezive dhe vetëpërmbajtjen para botimit, megjithëse të dy kishin kulturë të pazakonshme letrare. Martin Camaj mohon dy librat me të cilët i ka ndikuar mjaft letrat moderne të Kosovës, por pasi ka marrë prej tyre gjithçka që i duhet (rreth 37 poezi), sepse i duhet të arrijë kuotën e madrigaleve “Dranja”. Modeli më i afërt në kohë është Frederik Rreshpja: një libër të botuar më 1994, në vitin 1996 e riboton me 16 poezi më pak. Skrupoloziteti i Anton Pashkut tashmë është i njohur. Nuk mund të harrojmë Ernest Koliqin dhe Mitrush Kutelin që ndryshojnë rrjedhën dhe vendosin piketa. Kadareja i bën tregimet romane dhe riprek vepra të botuara një herë.

Nuk duhet harruar rëndësia e arbëreshëve, të cilët i kanë dhënë frymëmarrje letërsisë sonë, edhe në stadin parakombëtar – kujtojmë “Këngët e Plekërisë”, si edhe krijime dhe përshtatje të ndryshme letrare – edhe në stadin kombëtar, që fillon me De Radën, edhe në stadin e letërsisë së shekullit XX, të cilën e freskon me pjesët më të mira të krijimtarisë nga Vorea Ujko, Zef del Gaudio, Enca Skutari, Giuseppe Schiro di Maxhio etj., kohë kur përgjithësisht jemi të hutuar pas asaj që ka ndodhur gjatë realizmit socialist.

Nëse duhet të veçoj një krijimtari të viteve ’90, ajo është prodhim poetik dhe mban emrin e s Frederik Rreshpjes. Asnjë prozator nuk i afrohet asaj që ai ka bërë për letërsinë shqipe.

Si përfundim, i bie që duhet filluar me dy libra:

Një antologji e poezisën që përfaqëson ato gati 500 vjet (një e tillë është botuar në vitin 2013 + një aneks të saj që është në proces botimi)

Një antologji e prozës që përfaqëson ato gati 100 vjet (sot për sot, mund ta imagjinojmë vetëm virtualisht)

E shoh se nuk iu përgjigja pyetjes, por më duhet ta qetësoj ndërgjegjen me faktin se mospërgjigjja ime gjithsesi e ka përgjigjen brenda. /KultPlus.com