‘Kënga e përshpirtshme’, poezia më e hershme shqipe

Në Ditën Botërore të Poezisë, sjellim poezinë më të hershme në gjuhën shqipe, që është ‘Kënga e përshpirtshme”, gjetur në katekizmin e Lekë Matrangës ‘E mbsuame e krështerë’, në vitin 1592, shkruan KultPlus.

Kënga e përshpirtshme

Gjithëve u thërres, kush do ndëlesë

Të mirë e të krështe, bura e gra

Mbë fjalët të tinëzot të shihni meshë

Se s’ishtë njeri nesh çë mkatë s’ka

E lum kush e kujton se ka të vdesë

E mentë bashkë mbë tënëzonë i ka

Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë

E bën për bir të ti e për vëlla.

Lekë Matranga (1569-1619), është shkrimtari më i vjetër i arbëreshëve të Italisë dhe autori i librit të dytë të botuar në gjuhën shqipe (pas atij të Buzukut). Për nevojat kishtare të bashkëkombësve të vet përktheu nga italishtja në gjuhën amtare një katekizëm me titull “E mbsuame e krështerë”, i cili u botua në Romë në vitin 1592. Nga dorëshkrimi i autorit, i zbuluar në Arkivat e Vatikanit, gjendet një vjershë me 8 (tetë) vargje njëmbëdhjetërrokëshe.

Me këto vargje, të natyrës fetare, një lutje dhe përgjërim drejtuar besimtarëve, dokumentohet poezia e kultivuar në letrat shqipe, duke shënuar fillimin e poezisë autoriale./ KultPlus.com

Ditëlindja e veprës “E mbsuame e krështërë” e Lekë Matrangës

Sot, më 20 mars e kujtojmë daljen në dritë të veprës së Lekë Matrangës ‘E mbsuame e krështerë’ ( E Mbsvame e Chræsteræ), të cilën e përfundoi më 20 mars 1592, në Hora e Arbëreshëve (fshat Arbëresh) mbi Palermo të Sicilisë, vepra e dytë e shqipes së shkruar, pas ‘Mesharit’ të Gjon Buzukut (1555). 

Vepra e Matrangës u zbulua pothuajse njëkohësisht me “Mesharin” e Buzukut, dy vepra tejet të rëndësishme për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, të cilat janë me interes të madh për albanologjinë dhe kulturën shkrimore të popullit tonë, për shkak se dëshmojnë fillesën e shkrimit shqip në një kohë të hershme. “Meshari” i Buzukut i shkruar në dialektin gegnisht dhe “E mbsuame e krështërë” e shkruar në dialektin toskërisht, paraqesin historinë e hershme të gjuhës sonë shqipe, e cila ka marrë frymë me ‘dy mushkri’. Janë dy veprat që zënë vend në çdo vepër shkollore e kulturore si burime të drejtpërdrejta gjuhësore për rindërtimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor shqiptar e, njëkohësisht, të vijimësisë (continuum) gjuhësore e kulturore të shqiptarëve në trojet Ballkanike dhe të përtejdetit (M. Mandalà).   

Vepra ‘E mbsuame e krështerë’,  e Lekë Matrangës është Katekizëm mbi doktrinën e krishterë, përkthim në gjuhën shqipe i veprës së jezuitit spanjoll, Atë Doktor Ledesma (1516-1575), shkruar latinisht. Ka gjithsej 28 faqe, me një vjershë në gjuhën shqipe dhe italiane.

Titulli i plotë i botimit është: “Embsuame e chraesterae. Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae. Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Italisht: Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta di lingua Italiana nell’Albanese per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma”. (Doktrina e krishterë. Bërë nga i Urti Atë Doktor Ledesma i Shoqërisë së Jezusit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matranga, student i Kolegjit Grek të Romës.)

Kopja e përkthimit shqip në dorëshkrim, që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme, i pari nga të cilët me sa duket me shkrimin e vetë Lekë Matrangës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Një variant tjetër i botuar, nga i cili ka shpëtuar vetëm një kopje, është ai i shtypur në Romë nga Guglielmo Facciotto  ‘me lejen e të parëve’ më 1592, që u zbulua nga Mario Rok (Mario Roques). Nga një tjetër dorëshkrim është botuar një edicion i t’ Mbsuemes me shënime të Prof. M. La Piana në revistën “Roma e l’Oriente” më 1912.

Edhe pse janë bërë studime të shumta për “E mbsueme e krështerë”, megjithatë mendojmë se botimi kritik dhe studimi me kompetencë dhe i kompletuar është bërë nga arbëreshi Matteo Mandalà, e titulluar Lekë Matranga. Njeriu, koha, nepra. Mbi botimin kritik të varianteve dorëshkrim e të shtypur të veprës E mbsueme e krishterë  – 1592, OMBRA GVG, 2012.

Po e japim vjershën ‘Këngë e përshpirtshme”, në origjinal, që konsiderohet si një nga vargëzimet e para në gjuhën shqipe:

Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë
Të mirë të krështē, bura e grā
Mbë fjalët të Tinëzot të shihi meshë,
Se s’ishtë njerī nesh çë mkatë s’kā
E lum kush e kujton se kā të vdesë
E mentë bashkë mbë tënëzonë i kā
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë
E bën për bīr të tij e për vëllā

Vargjet në gjuhën e sotme shqipe do të tingëllonin kështu:

Të gjithëve ju thërres, kush do ndjesë,
Të krishterë të mirë, burra e gra,
me fjalë të Tënzot të shihni Meshë,
se s’është njeri prej nesh që mëkate s’ka.
E lum kush kujton se do të vdesë.
E mendtë bashkë në Tënzonë i ka,
se Krishti në parajsë atij i bën pjesë,
e bën për bir të tij e për vëlla”.

(vjersha është përshtatur nga radiovaticana.va) /KultPlus.com