“Letër gruas, zemrës sime”

Përktheu: Ardian Batusha

Mozart i shkruan Constanzës.

“Letër gruas, zemrës sime” (E dashur gruaja e zemrës time!)

Sikur të merrja një letër nga ti do ishte gjithçka në rregull…

E dashur, nuk kam pikë dyshimi që unë do kem sukses, por nuk do të jetë aq e lehtë sikur mendon ti dhe miqtë tanë. Është e vërtetë që jam i famshëm dhe i respektuar këtu, por të ardhmes nuk i idhet. Preferoj të luaj sigurtë, dhe shpresoj të përfundoj marrëveshjen me H… me qëllim që të fitoj ca para më shumë. Pastaj do i shtrohem punës dhe do isha i lumtur nëse do e bëja këtë për gruan time të vogël.

Ndihem i eksituar si fëmija kur më shkon nëpër mendje se do jemi sërish bashkë. Nëse njerëzit do depërtonin në zemrën time, do turpërohesha. Gjithçka është e ftohë për mua-akull e ftohtë. Sikur të ishe tani me mua ndoshta do të shijoja mirësjelljen dhe kortezinë që po ma ofrojnë njerëzit këtu. Sidoqoftë po nidhem bosh. Lamtumirë e dashur.

Mozarti jot që të dashuron me gjithë shpirtin.

P.S Tek po shkruaja, lotët më shkonin rrëke mbi letër. Megjithatë më duhet ta marr veten. Pakufi puthje po fluturojnë drejt teje. Djalli! Po shikoj një turmë djajsh. HA!HA!.. Sapo kapa tre nga ta. Janë të shijshëm… Të puth miliona herë”. /KultPlus.com

Letër gruas së vërtetë të ish-burrit tim

Nga Agron Tufa

E dashur zonja grua e vërtetë e ish-burrit tim,

Unë e di se tash ju jeni bashkë duke kaluar muajin e mjaltit, siç më kanë thënë, diku, në Egjé, në një ishull të bukur ekzotik, me një emër të lashtë grek. Di, gjithashtu, që ju nuk dini gjë për ekzistencën time të mjerë në jetën e burrit tuaj, andaj po nxitoj vetë t’ju vë në dijeni, parasé për mua, me gjasë, t’ju flasë ish-burri im, me po atë shpërfillje të njohur, me të cilën më pati damkosë me vite e vite si “grua të pabesë”, që ndragu “shtratin e panjollë” bashkëshortor (!) Me ato që tha, më ndau nga gjithë gjinia mashkullore e botës. Foli çfarë i desh oreksi, ç’i mundësoi rangu i pushtetshëm familjar dhe fitoi: fjala e tij kundër times. Por s’dua të zgjatem rreth kësaj lufte të humbur. As kur ishte bir gjysmëperëndie, as tani që është pothuaj perëndiçkë.

Nuk kam folur as atëherë kur manteli i atllastë i pushtetit familjar i pat rrëshkitur furishëm në banjot publike; tani, e dashur grua e vërtetë e ish-burrit tim, nuk ia vlen… është vonë, për çfarëdo pretendimi.
Andaj, së pari, ju uroj sinqerisht, që muaji juaj i mjaltit të jetë menjëmend mjaltë. I tillë, që t’ua mbushë për jetë e mot hojet kujtimeve tuaja të përbashkëta. Së dyti, jua them me zemër në dorë (dhe ju s’keni pse të mos më zini besë), se burri juaj, siç kam bindjen tashmë, ka qenë i pafajshëm në një gjë, të cilën unë nuk arrita t’ia jepja në lidhjen tonë të pafat…
Isha unë, pra, ajo, që nuk diti ta mbajë. Po, e dashur: unë, si grua, nuk qeshë aq burrë sa të sajoja një tjetër kënaqësi shtrati me ia falë atij burrnisht, si burri burrit! Së treti, kjo mospërputhje e njëanshme në kënaqësitë e shtratit, ndjeva se po më bëhej pak e fije kanosëse kur hodha vështrimin dhe pashë, se përpara më priste një perspektivë e vetmuar dhe një e ardhme pa pasardhës…

Ky, e dashur, e vetëm ky ka qenë shkaku i vendimit tim për t’u tërhequr vetë, për t’i hapur udhë kënaqësisë së tij monomane, e cila, sugjeronte për mua një tip të huaj lumturie, që zor të na mbante më bashkë. E unë, e dashur gruaja e vërtetë e ish-burrit tim, doja, asokohe, me qenë gjithçkaja për të. Ajme! Tash gjykojeni vetë qysh përfunduan përpjekjet e mia n’atë luftë të vetmuar e të pabarabartë me të pamundshmen: S’mund të isha ndryshe, e dashur, përpos se një femër që luftonte për dashurinë, paçka se si grua nuk qeshë dot aq burrë, në atë kuptim, pikërisht, siç jeni ju tani me ish-burrin tim – zbulues inovatorë kënaqësish hibride me muajin e mjaltit të grerëzave…
Tani, e dashur, kushtet kanë ndryshuar tok me epokën..

S’ka më tabu. Dhe ish-burri im gjeti tjera udhë për t’u ngjitur në fron, më i pushtetshëm se kurrë, më i pushtetshëm se gjithë pema familjare me gjithë degë, degëza e piptha. Sepse tani, e dashur, për lumturinë e harmoninë familjare bëhen kalkulime të sakta. Si duket, këto i ka bërë mirë gruaja e tij e tretë zyrtare, përkrah të cilës del shpesh për të shkërbyer atë çka do populli, jo çka dëshiron ai vetë…
Dikush e do lumturinë si mall për vitrinë. Dikush i trembet vitrinës dhe nxiton ta fshehë sa më thellë, për ta shijuar vetë, larg syve të turmës së verbër. Prandaj, tek i mbyll këto radhë, e dashur e dashura e vërtetë e ish-burrit tim, më lejoni një këshillë: shijojeni, i patrazuar prej kujt, duke përfituar nga maska e pushtetit të ish-burrit tim, e sidomos, nga maska e gruas së tij të tretë zyrtare.

Ju jeni gruaja e vërtetë e tij, e mbrojtur nën banak nga syri i turmës e nga xhelozia, sepse si grua jeni aq burrë, sa ta ndani burrnisht kënaqësinë me të, si burri me burrin, përsa unë si grua, nuk qeshë dot aq burrë…
(Shkëputur nga vëllimi “Kafsha apo fantazma”) /KultPlus.com