Pedagogia shkruan për vdekjen e Leutrimit: Të gjithë kemi vdekur ngapak, në rend të parë, ne mësimdhënësit!

Nga Luljeta Ahmetaj

Të nderuar studentë të Fakultetit të Mjekësisë – Ju që do të bëheni kolegët tanë të ardhshëm:
Jam duke e shkruar këtë postim si njeri, si mjeke, si mësimdhënëse dhe prind:

– Për studentët:

– Regjistrimi në Fakultetin e Mjekësisë –nuk do të thotë robërim, por duhet të jetë përkushtim për një punë të përditshme sistematike, me një plan të saktë ditor!

– Dhënia e një provimi të caktuar – është vetëm realizim i një pune dhe një largim i një pengese të vogël gjatë atij rrugëtimi!

– Rënia nga provimi – nuk është dështim – është një pengesë e vogël të cilën ti do të mësosh se si do ta tejkalosh më së miri në rastin tjetër!

– Mos mësoni që gjithsesi të merret 10 – përgatitu për provim ashtu që ta kuptosh më së miri problemin për të cilin ti je ulur të lexosh – Nëse se kupton kërko ndihmë nga shoku ose pedagogu, 10-ta vjen vetvetiu!

– Të jesh student i Mjekësisë –kohën duhet ta kesh të programuar, por kjo nuk d.m.th. që nuk duhet të merresh me sport ose art (me ato do ta ushqesh shpirtin tënd dhe trupin tënd, mos harro “Mendje e shëndosh në trup të shëndoshë”)
Unë vetë kam qenë studente e 10- tave, studentja më e mirë e gjeneratës, kam harruar shumëçka nga ajo çfarë kam mësuar – vazhdoj të lexoj në mënyrë që të rikujtoj vetëm atë çfarë më duhet për pacientin e caktuar!
Tani e 24 vite merrem me Imunologji-harroj shumëçka, mësoj çdo ditë!
A është fundi i botës?- Jo, është fillimi i ditës së re!

– Si pedagoge: Mund të them që asnjëherë nuk duhet harruar që studentët tanë – janë fëmijët tanë, janë e ardhmja e shtetit tonë – Është pasuria më e çmuar që kemi si shoqëri.

Prandaj, çdo mësimdhënës i cili shkallën e suksesit të tij e barazon në numrin e studentëve të ”rrëzuar” në provim, flet vetëm se për dështimin e tij si mësimdhënës. Nuk është e vërtetë që studentët tanë “NUK JANË DUKE PUNUAR MJAFTUESHËM”, se ne në kohen tonë… Por flet për atë që NUK KE QENË I AFTË TA ZBËRTHESH MATERJEN PËR TË CILIN ËSHTË OBLIGIMI YT!!!!

Nuk ka mjekë të kohës së kaluar dhe mjekë të kohës së ardhme – Të gjithë jemi drejtuar drejt një synimi – Të bëhemi njerëz të vyer të shoqërisë sonë dhe me tërë qenien tonë ti ndihmojmë të sëmurët tanë.

Vdekja e Leutrimit në afat të provimit, morri nga ne të gjithë një pjesë tonën –
Të gjithë kemi vdekur ngapak, në rend të parë, ne Mësimdhënësit!!!! / KultPlus.com

Leutrim Gjini