Kryeveprat e fshehura që i shpëtuan Hitlerit

Gati 80 vjet më parë Snowdonia përgatitej për të mirëpritur në malësi disa prej pikturave më të mira të thesarit botëror. Anekënd Evropës nazistët avancues kishin grabitur apo shkatërruar miliona paundë vlera të artit.

Derisa trupat aleate u arratisën në Dunkirk e bombat binin mbi Londër dhe pushtimi gjerman dukej i pashmangshëm, vëmendja u kthye në atë sesi të mbrohej koleksioni i Galerisë Kombëtare të Londrës. Qysh prej fillimit të Luftës së Dytë Botërore pikturat ruheshin në vende të ndryshme e të përkohshme në Walles, por ato nuk ishin tamam të përshtatshme për përdorim afatgjatë.

Më 1940, Winston Churchilli e bëri deklaratën e famshme për thesaret kombëtare të artit: “Fshihni ato në shpella e qilarë, por asnjë pikturë të mos largohet prej ishullit”.

Ekspertët zhbiruan gjithandej Mbretërisë së Bashkuar për një vend të fshehtë, derisa në fund gjetën gurorën Manod në Blaenau Ffestiniog në Gwynedd të Walesit.

Mali Manod për më tepër se një shekull kishte shërbyer si gurore. Gërmimet kishin krijuar një hapësirë plot shpella në zemër të malit, dhe duke qenë e mbuluar me qindra rrasa e granite ajo ishte praktikisht e papërshkueshme nga bombardimi.

Edhe largësia e tij e madhe e bënte të lehtë mbajtjen e misionit si top-sekret.

Suzanne Bosman, hulumtuese në Galerinë Kombëtare të Londrës dhe autore e librit “The National Gallery in Wartime”, botuar më 2008, ka shpjeguar se bartja e pothuajse 2000 veprave të Leonardo da Vincit, Rembrandtit, Van Dyckit, Turnerit dhe Constablet qëlloi të ishte një goxha ndërmarrje.

“I ftohti, guroret plot lagështi nuk janë vendet më të mira për veprat e paçmueshme të artit, kështu që para se të barteshin ato, gjashtë kasolle me tulla u ndërtuan në brendi të malit”, shpjegon ajo. “Në të vërtetë, kushtet në të cilat ato ruheshin në Manod ishin më të mira sesa ato në të cilat ishin shpërfaqur në Galerinë Kombëtare para luftës, dhe evakuimi e mësoi stafin me shumë gjëra sa i përket ruajtjes, edhe pas luftës”.

Pikturat më të mëdha u paketuan në “çanta elefant”, të sajuara mu për këtë qëllim, dhe u transportuan përmes rrugës.

Pikturat më të vogla u transportuan me furgonët e Zyrës Postare dhe me kamionë shpërndarjeje me qëllim që të shmangej tërheqja e vëmendjes.

Nga aty, ato u ngarkuan në një hekurudhë të ngushtë që i barti në vagonë të mbyllur deri në dyert e kasolleve, ku u shkarkuan sapo hynë brenda hapësirës rreptësisht me ajër të kondicionuar.

Sidoqoftë, zonja Bosman thotë se jo gjithçka shkonte vaj.

“Vepra e Van Dyckut me portretin ekuestrian të Karlit I si përbindësh, dhe çanta e tij, e ngarkuar në shpinën e një kamioni, konsiderohej më e larta”, ka thënë ajo. “Duke iu afruar gurores aty ndodhej një lakesë e ngushtë, mu aty ku rruga kalon poshtë harkut të një ure hekurudhore. Unë e ndërlidh me përpjekjen e tyre për të gjetur një divan afër këndit të shkallëve; kishte mjaftueshëm gjatësi, por vetëm nëse goditej saktësisht cepi i djathtë. Në fund atyre iu desh të gërmonin sipërfaqen e rrugës që të sheshohej për disa inçë, dhe sot e kësaj dite mund të shihet sesi trotuari në këtë pjesë është dukshëm më i lartë sesa në pjesën tjetër të rrugës; është një dëshmi e asaj sesa i rëndësishëm ishte evakuimi”.

Qeveria e mbajti qiranë në Manod deri në fund të viteve ’50, dhe mendohej se do të kryente të njëjtin rol edhe në rast të një lufte të tretë botërore.

Megjithatë, gurorja dhe kasollet brenda janë në një gjendje të ligshtë të riparimit dhe qasja aty është rreptësisht e kontrolluar.

Zonja Bosman u bë një nga pak njerëzit që hynë në brendi, atëbotë kur iu bashkua shkrimtarit dhe eksploruesit Will Millard si pjesë e serisë së BBC-së “Hidden Wales”.

Zoti Millard e përshkroi atë si njërën prej përvojave më drithëruese të jetës së tij profesionale.

“Unë isha fort i lemeritur mbi atë se çfarë u arrit aty për vetëm gjashtë muaj, është me të vërtetë një dëshmi mbi zgjuarsinë dhe vendosmërinë e Britanisë gjatë luftës”, ka thënë ai. “Në brendi ende mund të shohësh shenjat në mure ku vareshin pikturat, kurse dyshemeja është përplot me higrometra dhe termometra që duhej të kontrollonin çdo aspekt të kushteve. Është turp që vetëm pak njerëz do ta shohin atë në të ardhmen. Ne kemi lënë që një pjesë të trashëgimisë sonë kombëtare të na rrëshqasë”/BBC, Koha Ditore / KultPlus.com