Lindita Arapi: E kam kuptuar vonë se femrës shqiptare i është dashur të jetojë në dy diktatura

Jeni poete, prozatore si edhe gazetare në Deutsche Welle. Çfarë do të thotë të mbetesh “në vendin tënd” edhe kur jeton në Perëndim?

Shqipërinë e kam me vete, kudo ku jam në Europë, e unë nuk shpëtoj dot, edhe sikur të dua, sepse ai vend, ajo familje, ajo shoqëri e përjetime të atjeshme kanë formësuar në një masë të madhe atë që jam sot. Në këtë kuptim, jam gjithmonë “në e me vendin tim”.

Ju keni filluar të shkruani në vitet ’90, si e kujtoni atë kohë, duhet të ketë qenë e vështirë për t’u orientuar për shkrimtarët, ishin momente të mëdha ndryshimi…

Tani duket si një kohë e largët, por ka qenë një kohë mjaft intensive. Të gjithë kishim dalë të trullosur nga izolimi, të merrje frymë si njeri i lirë pas diktaturës komuniste nuk ishte e lehtë. Disa zgjodhën politikën, se e kuptuan shpejt, në këtë rrumpallë shqiptare bëhet shpejt pasuria, pavarësisht retorikës që përdornin, disa i qëndruan vetes besnik e vazhduan rrugën e tyre në Shqipëri, të tjerë u larguan. Shqipëria vinte nga një kohë kur shkrimtari ishte edukuesi i popullit, dora përkëdhelëse e diktaturës me fjalë, edhe nëse në këtë rol ai shtyhej pa dëshirë. Papritur, në një epokë kryekëput tjetër ai duhej të mbijetonte. Pikërisht në këtë kohë kam shkruar, ndoshta mënyra ime e të kuptuarit dhe përballimit të realitetit shqiptar. Një realitet që po ndryshonte shpejt, më shpejt se aftësitë tona absorbuese.

Pra, ishin vite të kapërcimeve të mëdha, çfarë do të thoshte kjo për femrën?

Vonë e kam kuptuar se femrës shqiptare i është dashur të jetojë në dy diktatura: atë të sistemit komunist që nuk e lejonte fjalën e mendimin e lirë, por edhe diktaturën e patriarkalizmit shqiptar, diktaturën familjare që krijoi me shekuj një model si duhej të ishte femra, cilit model duhej t’i përgjigjej, ndëshkimet që e prisnin nëse nuk i përgjigjej këtij modeli, nëse rebelohej; të mos harrojmë, pjesë të kësaj diktature i gjen edhe sot. Por në vitet kur unë isha një vajzë e re, atmosfera ishte shumë shtypëse, të merrte frymën. Një atmosferë totale e frikës, ku nuk guxohej rebelimi. Asnjëra nga shoqet e mia nuk rebelohej, as unë. As në familje, as në shoqëri. Një rast rebelimi në qytetin tim të lindjes unë ende e kujtoj e më shoqëron fytyra e asaj vajze që u desh të humbte jetën për shkak të dashurisë. Kishte një dhunë kërcënuese në ajër për femrën, që kalonte shpejt në dorën e ngritur të patriarkut që kishte pushtet në atë moment në jetën tënde, që mund të ishte babai, vëllai, bashkëshorti. Gjithmonë pyes veten se çfarë do të thotë kjo atmosferë totale frike për personalitetin e femrës? Çfarë gjurmësh ka lënë ajo te femra shqiptare. Shumë vajza shqiptare të thonë që janë të duruara, të sakrificës, empatike, vetëmohuese më shumë se vajzat perëndimore, por çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se uni i tyre u deformua. Filozofja e njohur Julia Kristeva thotë se personaliteti krijohet nga rebelimi në adoleshencë. Të gjitha këto janë lënda ime që kam me vete nga Shqipëria, ajo është substanca ime, e nuk mjafton një jetë për ta përpunuar këtë lëndë në fjalë.

Në këto kushte, si keni reflektuar ju vetë mbi lirinë?

Kjo është një nga ato nocionet bazike, por për shkak të dimensionit që ka në jetën tonë, sa e shumëtrajtuar aq edhe e pakapshme është. Prejardhja, e kam fjalën për pjesën shqiptare të jetës sime, më bën të mendoj se unë do të jem gjithmonë në një marrëdhënie problematike me lirinë. Duke qenë se i kemi rrënjët në një vend ku liria ishte e lidhur me frikën, pasoja ishte edhe frika nga liria. Liria është e mrekullueshme, por mund të jetë edhe një barrë, kur e ekzagjeron ose kur nuk di si ta mbash këtë dhuratë. Ajo kërkon të jesh e përgjegjshme me të, të kërkon të njohësh kufijtë e tu, të kërkon të respektosh edhe atë që nuk e duron dot tek tjetri, sepse kjo është liria e tij. Sot e kuptoj si një mundësi për të qenë vetja, ose më mirë, lirinë sot e barazoj me mundësinë për t’i siguruar kohë vetes.

Këtu desha të ndalem… a është një femër që shkruan gjithmonë në kërkim të kohës?

Një femër që është nënë, fuqi punëtore, bashkëshorte, shoqe, sigurisht që është gjithmonë në kërkim të kohës. Madje vetëm kur e artikulon qartë kërkesën për kohën e saj, ka shansin ta sigurojë atë, ndryshe për t’ia dhuruar nuk ia dhuron kush. Gjërat janë komplekse, varësitë e ndryshme emocionale, ekzistenciale, janë armiqtë e kohës, që për dikë që shkruan është kushti i parë për të nxjerrë në dritë një punim.

Letërsia ka shoqëruar jetën tuaj, edhe me largimin nga Shqipëria. Si ka rezistuar raporti me gjuhën, është jetë në ekzil kjo juaja?

Shiko, unë jam ndier në ekzil edhe kur kam jetuar në Shqipëri. Edhe po të jetoja tani aty, ashtu do të ndihesha. Kur thua ekzil, aktivizohen asociacione të tjera. Të kujtohen emra nga Ovidi deri te Brecht e të tjerë. Ekzili sikur e përjashton mundësinë e kthimit. Për fat, unë kam këtë mundësi dhe jam shpesh në Shqipëri. Kur jeton në dy kultura, në dy gjuhë, je në një gjendje shkëmbimi të vazhdueshëm, edhe nëse nuk e vetëdijëson këtë përditë. Gjuha e nënës merr nga gjuha tjetër, në gjuhën tjetër reflektohen emocione genuine të gjuhës së parë. E rëndësishme është në fund që përmbajtja të zërë vend e të ketë brumë.

Vuajtja është asimetria në fytyrat simetrike të shqiptarëve të heshtur, që edhe pa i njohur më bien në sy që larg në qytetet simetrikeEuropës… – pjesë nga poezia juaj, e mendoni Shqipërinë të lënduar edhe sot?

Shqipëria është jo një vend i lënduar, por në lëngim sot. Po e kuptoj gjithnjë e më pak skizofreninë politike që sundon sot në Shqipëri dhe që i bën njerëzit në këtë vend të humbasin shpresën. Të gjitha palët duan Europën, të gjitha palët duan integrimin, duan zgjedhje të lira, duan më të mirën për popullin… po t’i dëgjosh në bazë të kësaj retorike, habitesh se si ato nuk kërcejnë një valle dorë për dorë madje… Në Shqipëri mbajtja e pushtetit shihet si luftë për jetë a vdekje… Mund të pyesësh veten, pse krijohet kjo marrëdhënie me pushtetin, kush nuk do ta lëshojë kurrë pushtetin? A mos është ai që ka frikë se çfarë ndodh me të kur nuk e ka këtë pushtet? Po të kujtojmë skandalet në Shqipëri, kjo nuk më duket se është një luftë për kauzën e drejtë apo të gabuar, duket e vetëkuptueshme pse bëhet.

Më kujtohet, kur erdhi ndryshimi 30 vjet më parë, njerëzit kishin shpresë e thoshin se diçka do të ndryshonte. Edhe politikës i jepnin një shans, se vendi nuk bëhet brenda një dite, por sot ata e kanë humbur shpresën. Më trishton kur bisedoj aty me njerëz dhe thonë duam të ikim që sot, jo nesër. Duket sikur do të vijë një ditë e aty do të mbeten vetëm pleqtë që nuk mund të lëvizin dhe politikanët. Kjo tregon se sa katastrofal ka qenë rezultati i punës së politikanëve shqiptarë. Pesë kulla e pesë rrugë nuk barazohen me humbjen e shpresës së një shoqërie, me humbjen e shpresës te rinia. Është absurde dhe ka kaluar kufijtë e normales armiqësia e grupeve politike në vend. Sigurisht që pas kësaj fshihen problematika të tjera, lufta për sigurimin e burimeve të ndryshme. Por një përgjegjësi, nuk duhet harruar, ka edhe votuesi. Ka të bëjë me zhvillimin e vetëdijes për demokracinë. Njeriu i vogël të vetmin mjet pushteti që ka kundër të fuqishmëve me pushtet është vota dhe këtë pranon ta shesë? Kaq jo seriozisht e merr veten ky votues? I vetmi shpëtim për vendin qëndron te votuesi i ndërgjegjshëm, vetëm ai mund të dallojë politikanin e përgjegjshëm e të largojë kastën e të korruptuarve.

Të kalojmë te romani juaj “Çaste”, një kolazh eksperimental, pse ndërruat temë nga përballja me diktaturën, portretizimi i femrës, ju i kushtoheni mitit të kalimtares në metropol, anonimitetit – ku ka një numër të madh njerëzish qëaspirojnë të bëhen shkrimtarë, të suksesshëm…

Ishte një ide që lindi po ashtu në një metropol. Duke ecur një ditë në një rrugë, rrëmujë, njerëz që ecnin pa e pasur mendjen te njëri-tjetri, si ata që dalin lumë nga metroja, pashë në rrugë një letër të bardhë me një numër telefoni, ku ishte shkruar: “Më telefono, të lutem.” Më bëri shumë përshtypje, se e pashë edhe disa herë gjatë asaj rruge. E mora një herë në dorë, por pastaj e lashë në rrugë, sërish. M’u duk një simbol i fortë i anonimitetit e vetmisë në qytete të mëdha europiane. Momentet fluide, të pakapshme në qytetet e mëdha, dyndja e njerëzve anonimë secili i kyçur në individualitetin dhe egoizmin e vet më kanë bërë përshtypje. Kush ishte ai ose ajo që hodhi një letër, një njeri në nevojë apo dikush që bënte edhe shaka, këtë nuk do ta di, por të paktën pas kësaj lindi ideja e një libri.

Një libër me një shkrimtar, figura kryesore e romanit “Çaste”, tejet ironik ndaj vetes, ai nuk bën gjë tjetër vetëm se vëzhgon, ecën me autobus nëpër qytet, dëgjon historitë e të tjerëve, ndien dhimbje për të panjohurit kur në autobus kap copa bisede të dhimbshme. A është shkrimtari “hallembledhësi” i botës, që pastaj këtë lëndë e kthen në letërsi për t’i bërë njerëzitjenëempatikë?

Unë nuk besoj se letërsia ndryshon botën apo njeriun, por ajo ka mundësinë të të bëjë ty si lexues të ndjeshëm ndaj botës ku jeton, të rrisë sensibilitetin për jetën tënde, por edhe atë të të tjerëve, për marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në këtë kuptim, ai që shkruan është “hallembledhësi” i botës, sepse ai të jep mundësinë të lexosh për jetë të tjera që nuk janë jeta jote, por që mund të ishin, për ngjarje apo probleme që nuk janë të tuat, por që mund të ishin të tuat. Shkrimtari të jep dimensionin universal përmes lokales, copëzës së një bote të vogël. Në këtë kuptim, të hap dritare të reja, të zgjon vëmendjen, sigurisht për atë që do të shikojë shumë botë, do të depërtojë në nivele më të thella të kuptimit të vetes e universit ku jeton.

Domethënë letërsia është një lloj udhërrëfyeseje e njeriut…

Ka miliona e miliona libra, aq sa sikur nga ky moment të mos hidhej më një rresht në letër, botës do t’i mjaftonin librat për një shekull. Të vërtetat dhe emocionet janë trajtuar e ritrajtuar, sa të duket se nuk ka më asgjë të re për të thënë nën këtë diell. Por, megjithatë, letërsia ekziston, letërsia e mirë të ngre peshë. Sepse gjatë atyre minutave të heshtura, i tërhequr për vete në lexim, fjala të tregon udhën drejt viseve të panjohura të vetes, të jep mundësinë të kuptosh substancën e thellë brenda njeriut.

Nga vëllimi i parë e deri tek i fundit në mendjen e çdo krijuesi që veçohet nga të tjerët rri pezull pyetja: përse shkruaj?Përse shkruan Lindita Arapi?

Po ta thosha thjesht e në mënyrë prozaike, sepse nuk di të bëj gjë tjetër më mirë. Po të flisja me termat e artit, do të thosha se çdo artist, qoftë i fjalës, qoftë i penelit apo videoinstalacionit, ka një veti, ai mban veshin te vetja, kjo besoj duhet të jetë e lindur, ndryshe nuk ka si të shpjegohet përhumbja në botën e brendshme, që është një lloj kërkimi në fakt, se kur them mban veshin te vetja, nuk e mendoj këtë si një qorrsokak, por si proces krijues që tenton në fund t’i flasë botës jashtë, t’i thotë diçka duke i dhënë një produkt. E për shkak se shumë artistë e shkrimtarë janë egomanë të pandreqshëm, shpesh ata mendojnë se produkti i tyre është më i miri.

Keni hartuar edhe një antologji me autorë shqiptarë, me poezi shqiptare botuar në Austri, quajtur “Kapërcimi i kufijve”. Pse nuk po ndodh, sipas jush, njohja e letërsisë shqiptare, ashtu si do të dëshironim?

Nuk ka për të pasur njohje ashtu siç e dëshirojmë ne, por raste të veçanta; rrezatimi kulturor i një qarku të vogël mbetet i vogël, ne mund të zemërohemi ose t’i ngremë lavdi vetes brenda provincës sonë të vogël, por nuk duhet të harrojmë se bota është e madhe, ka dimensione të tjera… unë nuk e shoh me pesimizëm, sepse mjaft autorë shqiptarë janë njohur e botuar. Ndoshta dikur do të shkëlqejë edhe ylli i Nobelit për të na dhënë neve si letërsi më shumë rrezatim.

Ju jeni edhe gazetare, punoni në Deutsche Welle, trajtoni edhe temat shqiptare apo të Ballkanit, ofroni për publikun shqiptar shumë tema europiane – a ju pengon apo ju ndihmon gazetaria – njihet kjo, shumë shkrimtarë në botë kanë punuar paralelisht si gazetarë për të siguruar jetesën…

Në fakt, janë dy mënyra të ndryshme të punuari. Gazetaria më mban lidhur me realitetin e përditshëm, më krijon mundësi kontakti me njerëzit, më lidh me jetën. Kurse të shkruarit është një proces tërësisht ndryshe, që kërkon shkëputjen, izolimin, tendencën të krijosh me fjalë realitete që të jenë autentike, si realiteti ku sapo ishe pjesë. Nëse balanca mes të dyja këtyre fushave ruhet, është mirë. Nga ana tjetër, gazetaria ka rëndësinë e saj, edhe raportimi që bëjmë ne si Deutsche Welle në shqip nga Europa, është pjesë e programit tonë që të ofrojmë apo të shpjegojmë sa më shumë të mundemi Europën sot, nga këndvështrimet politike deri te historitë e njerëzve të thjeshtë në Europë, pra të japim një panoramë të plotë të asaj që ndodh sot në Gjermani dhe Europë. / Exlibris / KultPlus.com