Malësorja Aurora Lumaj shpallet “Miss Bjeshka 2025”, kurorëzohet nga Presidenti, Bajram Begaj

Shkruan Albert Vataj

Malësorja Aurora Lumaj nga Vukli i Kelmendit shpallet “Miss Bjeshka 2025”, kurorëzohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj

Më 10 Gusht 2025, në vendin e quajtur Qafa e Predelecit, u zhvillua një nga shpërfaqjet më fantastike dhe më origjinale të etnofolkut, një nga traditat më të shkëlqyera të Malësisë së Madhe, Miss Bjeshka 2025. Pas një beteje konkurruese me vajzat e tjera malësore, juria ka zgjedhur më të bukurën e vajzave, më të bukurën e dheut të Malësisë, vajzën nga Vukli i Kelmendit, që vjen nga Kanadaja për të marrë pjesë dhe për të fituar në Logun e Bjeshkëve, në triumfin e festës së traditës.

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit, e bukura e Malësisë, vajza e Logut të Bjeshkëve, Zana e këtyre maleve kreshnike, mbushur me histori e legjenda, u kurorëzua nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

“Logun e Bjeshkëve”, është një manifestim më të jashtëzakonshme kulturore, tradicionale dhe historike, me veçori unike dhe karakteristikat e spikatura që e kanë trashëguar dhe e mbajnë atë si një hajmali në gjerdanin e mrekullive të Malësisë.

I rikthyer nga kohë e largët, ky event që zhvillohet çdo vit, që nga vitin 1998, të shtunën e dytë të muajit Gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit në vendin e quajtur Qafa e Predelecit, sinjifikon shpirtin e pasur që ka begatuar këtë tokë, këtë natyrë, këtë vend me tradita dhe vlera përfaqësuese.

Malsia e Madhe përmes “Logut të Bjeshkëve”, u rrëfen të gjithëve atë që ka qenë dhe do të mbetet në shekuj e shtrenjtë dhe e çmuar, amanetin e ruajtur thellë në gjirin e këtyre maleve dhe në shpirtin e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të thesarit të traditës, të hirit hyjnor të malësores.

Historia e “Logut të Bjeshkëve”, si lindi dhe u kultivua kjo traditë e malësorëve

Është një manifestim kulturor që zhvillohet çdo vit që nga vitin 1998 në të shtunën e dytë të muajit Gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit në vendin e quajtur Qafa e Predelecit.

Në këtë manifestim vajzat e Kelmendit konkurojnë për të qenë më e bukura e Bjeshkëve, për të fituar kurorën “Miss Bjeshka”. Ky është një rast shumë i mirë që ju të njiheni dhe me veshjet tradicionale, këngët dhe vallet e Kelmendit.

Historia e Logut të Bjeshkëve është e hershme. Dikur njerëzit në mënyrë formale e të paorganizuar e shprehnin simpatinë e tyre për një nga vajzat apo nuset e fshatit, duke e vlerësuar atë nga hiret e saj. Ajo personifikohej si e veshur mirë, e pastër dhe shëndetplotë. Ky vlerësim bëhej në momentin që ajo shihej në rrugë për tek kroi i fshatit apo ceremoni e festa si të dielave në Kishë. Ajo kthehej në simbol të bukurisë dhe të gjithë mundoheshin ta imitonin në mënyrën se si ajo , vishej, sillej, ecte, këndonte. Dikur kjo ditë logu kishte karakter fetar ajo zhvillohej diten e Shna Prendes, në Malësi njihej si festa e bjeshkatarëve, ndaj kjo festë ka marr emrin “Logu i Bjeshkeve”.

Ndër vite në zonën e Kelmendit ka ekzistuar një “log” që në ato kohëra quhej ‘Logu i Nuseve’ ,ky “log” filloi në kishat kryesore të fshatrave të Komunës Kelmend: Selcë, Vukel, Vermosh. Nuset merrnin pjesë në këto fshatrave në mungesë të kishave të tjera dhe udhëtonin disa orë për të arritur në meshë. Pas meshës të gjithë banorët e fshatrave organizonin një spektakël që në këtë zonë quhet: ”log” (një fushë ku mblidheshin të gjithë banorët e fshatrave për të parë nuset e atij viti që ishin martuar në këto fshatra dhe për të përzgjedhur më të bukurën). Në vitin 1998 nga “logu i nuseve” ky spektakël u quajt “Logu I Bjeshkëve” ku tashmë nuk janë nuset por vajzat e fshatrave që marrin pjesë në këtë konkurs jo vetëm bukurie dhe përzgjidhet më e bukura. “Logu” ka mbi të gjitha një vlerë të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore pasi shfaqet përveç bukurisë edhe trashëgimia kulturore e trevës, veshjet karakteristike, vallet, këngët, instrumentet, lojërat popullore etj./KultPlus.com

“Logu i Bjeshkëve”, si manifestim i traditave e rikthim tek rrënjët

Ditën e diel, në Qafë të Predelecit u mbajt manifestimi tradicional “Logu i Bjeshkëve”. Ky është festivali më unik, ku këngët e bukura të traditës, vallet e trashëguara ndër breza, folklori i pasur, etnografia madhështore dhe ritualet e lashta lidhin pjesëmarrësit thellësisht me rrënjët.

Është traditë tashmë që prej “Logut të Bjeshkëve” të zgjidhet vajza më e bukur. Për bukuroshën e Bjeshkëve garuan 12 vajza nga Kelmendi, andej e këndej kufirit. Juria zgjodhi “Miss Bjeshka 2024”, Liljana Lashaj nga Selca. Në këtë konkurim morën pjesë edhe 3 vajza nga Vuthajt e Kelmendit.

Çmimet e tjera shkuan për vajzat: Anxhelika Sterkaj – Zana e Maleve, Mary Camaj – Xhubleta më e bukur, Monika Ulaj – Shtojzovallja e Bjeshkëve, Mikejla Nonaj – Kërcimtarja e Logut, ndërsa vajza Nexhmije Dedushaj është zgjedhur për të konkuruar në “Miss Universe Albania”.

“Logu i Bjeshkëve” konsiderohet prej malësorëve si një rikthim tek rrënjët.

Në këtë manifestim, protagonist ishte xhubleta, veshja karakteristike e grave shqiptare, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ajo u shpalos në të gjitha dimensionet e saj në festivalin tradicional “Logu i Bjeshkëve”.

Ky kostum dhe dijebërja e tij ka udhëtuar gjatë në kohë, duke dëshmuar gjurmët e qytetërimit ilir, në kulturën shqiptare, të cilët e dizenjonin atë në mënyra të ndryshme në dukje të bukura, por që në vetvete krijojnë simbolika që na sjellin mesazhe të cilat ende dhe sot, një pjese të tyre nuk u është dhënë shpjegim./KultPlus.com

Logu i Bjeshkëve, një nga festat më të bukura të Malësisë së Madhe

Në amfiteatrin natyror në Qafën e Predelecit u organizua sot Logu i Bjeshkëve, një nga festat më të bukura të Malësisë së Madhe.

Agjencia Kombëtare e Turizmit bëri të ditur se, gjatë kësaj feste, bashkë me natyrën e mrekullueshme të Bjeshkëve të Kelmendit, mijëra vizitorët e mbërritur shijuan vallet e shtojzavalleve të Malësisë së Madhe të stolisura me xhubletën e hijshme, si dhe këngë baritore e patriotike të luajtura me lahutë e çifteli.

Ky manifestim kulturor promovon traditat më të bukura të Malësisë së Madhe, të trashëguara brez pas brezi.

Agjencia Kombëtare e Turizmit fton qytetarët që të përdorin aplikacionin TEA, për t’u njoftuar për të gjitha eventet turistike dhe kulturore në vendin tonë.

“Me TEA-n që prin udhëtimet tuaja nëpër të gjitha destinacionet turistike përjetoni festat më të bukura shqiptare”, thekson AKT./atsh/KultPlus.com

‘Logu i Bjeshkëve’, promovim i turizmit dhe trashëgimisë kulturore

 Në Malësinë e Madhe organizohet eventi i kthyer tashmë në traditë, “Logu i Bjeshkëve 2023”, që bën bashkë artistët, këngëtarët dhe valltarët me fokus promovimiin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore.

Ky aktivitet artistik është një shfaqje unike e folklorit dhe xhubletës. Ndërsa, kush do të jetë më e bukura e Bjeshkëve, është konkursi që do të përvijojë eventin.

“Logu i Bjeshkëve 2023”, çel siparin të dielën, në natyrën e mrekullueshme të Qafes së Predelecit, në Kelmend me praninë e shumë spektatorëve shumica prej të cilëve vizitorë të huaj që vijnë nga vende të ndryshme të botës, për tu mbledhur bashkë nën tingujt e instrumenteve shekullore dhe me prezencen e vajzave të bukura të Malësisë së Madhe veshur me veshjen e hijshme dhe unike, xhubletën.

Bashkia Malësisë së Madhe, njoftoi se në këtë aktivitet të rëndëshëm për zonën, vjen të këndojë dhe artistja e dashur kelmendase Lisa Bujaj, e cila jeton prej vitesh në Amerikë.

Spektakli, ku marrin pjesë nga të gjitha artistë nga trevat shqiptare dhe diaspora, promovon turizmin dhe trashëgiminë kulturore të Kelmendit, por edhe të gjithë Malësisë së Madhe.

Pas aktivitetit artistik, i gërshetuar me performancën e vajzave pjesëmarrëse në “Miss Bjeshka 2023”, juria do të shpall edhe më të bukurën e malësisë./KultPlus.com