Poezia prekëse “Do të më mungosh” nga Lorena Gatta

“Do të më mungosh” nga autorja italiane Lorena Gatta, i kushtohet gjithë atyre që kanë humbur një person të dashur. Autorja e mendon, e kërkon dhe flet me atë që ka dashur, por që nuk është më pjesë e kësaj bote. Në fund, poezia mbyllet me fjalinë: “Dhe do të më mungosh”, që njëkohësisht është edhe titulli i poezisë. Duket sikur autorja, pavarësisht gjithë përpjekjeve dhe mundimeve, “e pranon” humbjen e personit që është larguar nga kjo botë, ndërsa pohon se do i mungojë. Koha dhe kërkesat pa një përgjigje, janë ato që të bindin për çfarë ka ndodhur. Me kohën fillon ta pranosh largimin nga jeta të një personi që ke dashur shumë, edhe pse ai të mungon përherë, në çdo moment që sheh diçka që lidhet me të…

“Do të më mungosh”

Unë do të mendoj
atëherë kur gjumi vështirë se do të vijë.
E kam fjalën për ato netët e gjata
që duken sikur
nuk duan të përfundojnë asnjëherë.
Ato netë plot me pyetje
të mbetura pa përgjigje.

Unë do të kërkoj
nëpër rrugica,
në sheshet e mbushura me njerëz,
përgjatë shëtitjeve të mia.
Do të jem e humbur në kujtime
duke kërkuar për një fytyrë të njohur
mes shumë të huajve.

Unë do të flas,
kur gjithçka të më duket
e papërballueshme dhe më e madhe se unë.
Dhe do të kujtoj përherë,
kur të kem nevojë për fjalë mbështetëse,
për një përqafim të fortë që të më lërë pa frymë,
sikur të donte të hynte brenda meje
sepse gjërat përballohen më mirë mes dy personave,
dhe do të më mungosh! /bota.al/ KultPlus.com