Kryeministri Kurti përkujton Luan Haradinaj: 6 maji i vitit 1997 është shënimi i humbjes së një atdhetari e patrioti të kombit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar heroin Luan Haradinaj në 27-vjetorin e rënies së tij, duke e cilësuar atë si simbol të guximit dhe përkushtimit për liri.

Në postimin e tij, Kurti tha se Luan Haradinaj, ndonëse i ri në moshë, ishte një luftëtar i palodhur për çlirimin e Kosovës. Ai përshkroi jetën e tij si të ndarë mes studimeve dhe aksioneve guerile kundër regjimit serb, të cilat i kryente me përkushtim të plotë ndaj atdheut.

“Guximtar dhe trim, ndonëse në një moshë të re. Student e luftëtar: jeta e tij ishte e ndarë mes zjarrit të dijes dhe zjarrit të luftës. Luani i mbronte shokët, e mbronte atdheun e luftonte për liri”, është shprehur Kurti.

Tutje, ai u shpreh se Haradinaj u vra kur i kishte 23 vjeç teksa kalonte kufirin e ish-Jugosllavisë që ndante shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, të cilin e përshkonte shpesh për shkak të studimeve por edhe rastit për të realizuar aksione kundër forcave serbe e bartur armatim për të furnizuar luftëtarët e UÇK-së.

Presidentja Osmani nderon heroin Luan Haradinaj në përvjetorin e rënies: Ai zgjodhi lirinë mbi jetën

Në përvjetorin e rënies së heroit të kombit, Luan Haradinaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur nderim dhe mirënjohje për jetën dhe sakrificën e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së vendit. Përmes një postimi, Osmani ka theksuar se Haradinaj ishte ndër të parët që zgjodhi lirinë mbi jetën dhe atdheun mbi gjithçka tjetër.

“Në përvjetorin e rënies së Heroit Luan Haradinaj, përkulemi me nderim para jetës dhe sakrificës së tij. Ai ishte ndër të parët që zgjodhi lirinë mbi jetën, atdheun mbi gjithçka,” ka shkruar presidentja Osmani.

Ajo është shprehur se gjaku i tij dhe i të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është gurthemel i lirisë së Kosovës. Sipas saj, sakrifica e Haradinajt dhe e bashkëluftëtarëve të tij ka hapur rrugën për çlirimin dhe pavarësinë e vendit.

“Gjaku i tij dhe i të gjithë heronjve të UÇK-së, është gurthemel i lirisë sonë,” ka shtuar ajo, duke përfunduar me fjalët: “Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit, Luan Haradinaj!”, ka shtuar Osmani./KultPlus.com

Kurti: Vështirë të ketë pasur dikund tjetër ndonjë ushtri çlirimtare si kjo e jona që ka aq shumë dëshmorë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Luan Haradinajn në 24 vjetorin e rënies së tij, përcjell KultPlus.

Kurti ka shkruar se Luan Haradinaj e  kalonte kufirin prej studentit te luftëtari me armën e vet dhe me armë për shokë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:

Në 24 vjetorin e Luanit

Luan Haradinaj e kalonte kufirin prej studentit te luftëtari me armën e vet dhe me armë për shokë. Luan do të thotë të kalosh kufirin mes mënyrës studente dhe asaj luftëtare.

Nuk është e rendit të përditshëm kjo dashuri e dyfishtë për lirinë: për ushtrimin e mendimit të lirë dhe për jetën e lirë. Vështirë të ketë pasur dikund tjetër ndonjë ushtri çlirimtare si kjo e jona që ka aq shumë dëshmorë të cilët ranë duke bartur armatim për të tjerë luftëtarë që do të bëhen dëshmorë më pas./ KultPlus.com

21 vjet nga rënia e Luan Haradinajt

Sot bëhen 21 vjet nga rënia e ushtarit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar.

Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria jugosllave, në kufirin 179 shqiptaro-shqiptar.

Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës përkatësisht të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.