10 libra që duhet t’i lexoni, sipas Lucija Straley

Maya Angelou do të shprehej kështu më vitin 1969-të ku shkroi librin autobiografik “Unë e di përse këndon zogu në kafaz”. Atëherë sapo i kishte kaluar të 40-tat, gruaja që diti ta shndërronte trishtimin në vargje dashurie, do të frymëzonte miliona lexues me rrëfimin e saj. Një nga figurat më të rëndësishme në historinë e letërsisë femërore, Angelou vijon të shihet dhe sot si një nga autoret më të rëndësishme jo vetëm të letërsisë amerikane. Lucija Straley, Ndihmës Shefe e Zyrës për Marrëdhëniet me Publikun në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë e veçon librin e Angelou si një ndër librat që nuk duhen humbur në jetë. Straley ka vetëm pak kohë që ka mbërritur në Shqipëri nga Uashingtoni dhe më parë ka punuar në ambasadat amerikane në Laos dhe Republikën Dominikane.

Lucija është përgjegjëse për programet kulturore dhe arsimore të ambasadës. Me një pasion të hershëm për leximin, ajo vjen më poshtë me një përzgjedhje prej 10 librash nga autorë amerikanë, që i vijnë në kujtesë si libra që mbeten gjithmonë tek ty. Nga romanet që kanë bërë epokë si “Gra të vogla” të Louisa May Alcott, klasikë apo nobelistë si John Steinbeck deri tek librat për fëmijë, Lucija na rekomandon 10 librat që duhen lexuar nga letërsia amerikane.

“Të vrasësh zogun përqeshës”, Harper Lee

Dukuri e rrallë e letërsisë… Zbavitës, gëzimndjellës dhe i shkruar në një stil befasues…Kështu do të quante romanin “të vrasësh zogun përqeshës”, revista Vogue. Tryman Capote do ta quante jashtëzakonisht prekës. Një nga rrëfimet më të dashura të të gjitha kohërave. Libri ka fituar çmimin Pulitzer dhe është përkthyer në më shumë se dyzet vende të botës duke u shitur në më shumë se 30 milionë kopje; edhe filmi i bazuar në këtë roman është ndjekur nga një numër shumë i madhe shikuesish. Sipas një ankete të zhvilluar në bibliotekat e Amerikës është cilësuar romani më i mirë i shekullit të njëzetë.

Fuqia e mitit, Joseph Cambell

Libri është bazuar në dokumentarin me të njëjtin emër nga Joseph Cambell realizuar në vitin 1988. Cambel është profesor letërsie, një figurë e njohur e studimeve amerikane mbi mitologjinë dhe religjionin krahasues.Dokumentari u trasmetua fillimisht si gjashtë biseda një orëshe midis Campbell dhe gazetarit Bill Moyers dhe mbetet si një nga trasmetimet më të ndjekura në historinë e televizionit amerikan.

Fahrenheit 451, Ray Bradbury

Është një novel në të cilën përshkruhet në mënyrë të përkryer shoqëria moderne dhe qëllimi I saj kryesor që është konsumimi. Autori na kujton se gjëja më e keqe në botë është kur njerëzit e humbin lidhjen me njëri tjetrin dhe kur distancohen nga natyra dhe nga trashëgimia intelektuale. Ray Bradbury është një nga shkrimtarët amerikanë më të njohur në botë. Krijimtaria e tij përfshin romane, tregime, publicistikë, skenare filmash. Vepra e tij është shpërblyer me çmimet më të mëdha letrare, si, Çmimi O’Henry, Çmimi Linkoln etj. Kritikët dhe lexuesit bashkohen në mendimin se 451 Farenheit (Farenheit 451 °) – përkthyer edhe në shqip në vitet ’80 – është kryevepra e këtij shkrimtari tepër aktiv deri në ditët e sotme. Megjithatë, tregimet e shkurtra, mbeten pjesa më përfaqësuese në krijimtarinë e këtij autori. Tematika e këtyre tregimeve sillet që nga realizmi kritik e deri tek futurizmi i subjekteve të së ardhmes.

Fëmijët e gjakut dhe kockave, Tomi Adeyemi

“Fëmijët e gjakut dhe kockave” është një novelë fantastike shkruar nga autori nigeriano-amerikan Tomi Adeyemi. Libri tregon rrugëtimin e Zelie Adebolas e cila kërkon të rikthejë magjinë në Orisha. I konsideruar si një version ndryshe i Harry Potter, kjo histori pritet të ketë vazhdime në seritë e tjera që pritet të dalin së shpejti në treg. Për shumë kohë libri ka kryesuar listën e librave më të shitur për të rinj në Neë York Times .

5.Rrushtë e zemërimit, John Steinbeck

I botuar në vitin 1939, “Rrushtë e zemërimit” do të mbetet një ndër romanet më të rëndësishëm të John Steinbeck, I cili do të përmëndej dhe kur shkrimtari mori çmimin Nobel më vitin 1962. Ngjarjet vendosen në kohën e Depresionit të madh, rrëfyer përmes historisë së një familjeje të varfër fermerësh, të cilët pas shumë peripecish nisen për në Kaliforni. Romani konsiderohet kryevepër e Steinbeck dhe pjesë e kanunit letrar amerikan. Në 75 vitet e para të botimit, libri ka shitur 14 milionë kopje. John Steinbeck konsiderohet si një ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë amerikane. Veprat e tij lexohen gjerësisht jashtë vendit dhe shumë nga veprat e tij konsiderohen klasike të letërsisë perëndimore.

Gra të vogla, Louisa May Alcott

Historia e tri motrave, që sillen si të rritura dhe i bëhen krah familjes dhe atyre që janë në nevojë, i bën fëmijët t’i admirojnë dhe t’i kenë si shëmbëlltyrë vajzat Marsh, aq të ndryshme nga njëra-tjetra, por të gjitha të ëmbla dhe me dashuri për jetën. Kjo vepër mbetet ndër më të rëndësishmet e Louisa May Alcott e cila vijon të tërheqë lexuesit, pavarësisht faktit se realiteti shoqëror dhe familjar i përshkruar në roman është shumë i ndryshëm nga jeta familjare e ditëve tona. Jo March shikohet si një nga personazhet më të kompletuar dhe më i dashuri personazh në letërsinë për fëmijë.Autorja tentoi t’i jepte personazheve të veta një dozë egoizmi, vaniteti, inati dhe turpi, cilësi që nuk qenë parë kurrë më herët në personazhe të tilla për fëmijë. Romani u bazua në eksperiencën e vetë autores, e cila e kaloi fëmijërinë në Germantoën të Pensilvanisë me tre motrat e saj, Anna, May dhe Elizabeth.

The Giving Tree, Shel Silverstein

Konsiderohet si një nga librat më të bukur për fëmijë që duhet lexuar. Libri tregon historinë e një djali dhe një peme. Çdo ditë djali ngjitej në trungun e pemës duke u lëkundur në degët e saj e duke e bërë pemën e lumtur. Vitet kaluan dhe djali u rrit. Ai nuk luante më me pemën por kërkonte më tepër prej saj. Pema nisi t’ia plotësonte dëshirat. Nëse ai donte para ajo ia siguronte duke shitur mollët e saj. Ai dëshironte shtëpi, dhe pema i kërkoi të priste degët e saj…Ai donte një varkë dhe pema i tha të merrte trungun e saj…E në fund kur djali tashmë ishte një burrë i vjetër dhe i moshuar, nuk donte gjë tjetër veçse një vend të qetë për tu ulur e pushuar…

Unë e di përse këndon zogu në kafaz, Maya Angelou

I shkruar në vitin 1969 libri është një autobiografi e shkrimtares dhe poetes së njohur amerikane Maya Angelou. Ajo është një nga personazhet më të njohur të letërsisë amerikane, e njohur veçanërisht për poemat e saj. Vargjet e saj vazhdojnë të jenë frymëzim duke transformuar shumë jetë grash. Historia e saj ka lënë gjurmë në breza të tërë njerëzish e admiruesish. Kur ishte vetëm 7 vjeç, ajo u përdhunua nga i dashuri i mamasë, gjë që i shkaktoi një traumë të madhe. Për shumë vite, ajo nuk foli me askënd dhe i kaloi ato, vetëm duke lexuar dhe dëgjuar. Më pas, në rininë e hershme, kohë përpara se ajo të bëhej poete e famshme, ishte një mama beqare, e cila punoi në bare striptizmi. “Ne dashurojmë, duke e fërkuar lakuriqësinë me dorashka në duar. Duke përjargur gojën me puthje gjuhë më gjuhë. Puthje që, as nuk prekin, as që duan të prekin, nëse dashuria është e brendshme”, shkruan ajo. Përgjatë viteve të saj si shkrimtare e njohur, Maya Angelou loboi për të drejtat e njeriut kundër racizimit dhe pro barazisë gjinore. Për këto kauza, që i ndoqi deri në fund të jetës së saj, ajo pati ndikim te figura të shquara, si disa presidentë amerikanë, te Nelson Mandela, si dhe te Martin Luther King, i riu. Ndër vite ajo fitoi dhjetra çmime dhe disa shkolla fillore mbajnë sot emrin e saj.

Vdekja e Salesman, Arthur Miller

Konsiderohet si një nga veprat madhore të shkrimtarit, eseistit, dhe dramaturgut të njohur amerikan. Emri dhe vepra e Miller  kanë plazmuar në kujtesën e gjeneratës figurën e një personazhi që me artin e tij zgjodhi t’u drejtohet të gjithëve. U nderua me shumë çmime por vlerësimin më të madh ia atribuon vënia dhe rivënia e vazhdueshme në skenat teatrore të veprave të tij dhe vlerësimi që përfton në një botë që ndryshon.

Getsbi i Madh, F. Scott Fitzgerald

Në vitin 1922, Francis Scott Fitzgerald bëri të ditur vendimin e tij për të shkruar “diçka të re, diçka të jashtëzakonshme, të bukur dhe të thjeshtë, por njëherësh të ngatërruar në formë.” Kjo gjë e jashtëzakonshme, e bukur, me formë të ndërlikuar dhe mbi të gjitha e thjeshtë u bë më pas Getsbi i Madh, ndoshta puna më e mirë e Fitzgeraldit dhe sigurisht libri me të cilin u bë i njohur.

Si një portret i Epokës Xhaz, me gjithë dekadencën dhe teprimet e saj, Getsbi bëri për vete shpirtin e brezit të autorit dhe zuri një vend të përhershëm në mitologjinë amerikane. Milioneri i sajuar dhe i vetshpikur Xhej Getsbi mishëron disa nga tiparet më karakteristike të Fitzgeraldit dhe vendit të tij: paranë, ambicien, lakminë dhe premtimin për fillimin e ri. “Getsbi besonte në dritën e gjelbër, në të ardhmen që hapet vit pas viti para syve tanë e na rrëshqet nga duart. Por nuk ka rëndësi. Nesër do të vrapojmë më shpejt, do t’i shtrijmë krahët më larg…”

Dhe një mëngjes të bukur ngjitja e Getsbit drejt lavdisë dhe rënia e tij bëhen një lloj përralle paralajmëruese rreth Ëndrrës Amerikane. Është gjithashtu një histori dashurie dhe fatesh ky rrëfim i pasionit donkishotesk të Getsbit për Dejzi Bukananin. Çifti takohet pesë vjet para se të fillojë romani, kur Dejzi ishte një bukuroshe e hijshme nga Louisville dhe Getsbi një oficer i varfër. Ata bien në dashuri, por ndërkohë që Getsbi shërben jashtë shtetit, Dejzi martohet me pasanikun brutal e zemërgur Tom Bukananin. Pas luftës, Getsbi ia kushton veten verbërisht vënies së pasurisë me çdo mjet, si dhe ndjekjes së Dejzit.

Pas bëri miliona, Getsbi blen një rezidencë në Long Island, organizon festa bujare dhe pret që ajo të rishfaqet. Kur më në fund ajo vjen, ngjarjet shpalosen me gjithë tragjedinë e pashmangshme të një drame greke, kurse fqinji cinik Nik Karrauej shërben si një lloj kori për gjithçka ndodh. Komploti, i thurur me elegancë dhe i shkruar në prozë të kristaltë, e bën librin “Getsbi i Madh” po aq të përkryer sa edhe lloji më i mirë i poemës.

To Kill a Mocking Bird nga Harper Lee

The Poëer of Myth nga Joseph Campbell

Fahrenheit 451 nga Ray Bradbury

The Children of Blood and Bone nga Tomi Adeyemi

The Grapes of Ërath nga John Steinbeck

Little Women nga Louisa May Alcott

The Giving Tree nga Shel Silverstein

I know Why the Caged Bird Sings nga Maya Angelou

The Death of a Salesman nga Arthur Miller

The Great Gatsby nga F. Scott Fitzgerald /KultPlus.com